Home KRYESORE Klodiani nuk është më i familjes Rasha, sindroma “Kadri Hazbiu” dhe...

Klodiani nuk është më i familjes Rasha, sindroma “Kadri Hazbiu” dhe “lufta e kalamajve”

Nga Ylli Dylgjeri

Miq të mi dhe spiuna sufllaqexhinj të mi në Facebook!

Sot do të heq dorë nga çdo shenjë humori e sarkazme dhe do të flas seriozisht e me dhimbje për çka po ndodh në Shqipëri, në një meditim tripjesësh.

  1. Klodiani nuk është më i familjes Rasha

Po! E them me bindje dhe kam plotësisht të drejtë ta them. Klodian Rasha, 25-vjeçari fatkeq, që iu këput
jeta nga ekzekutimi prej një dore policore, shkaktoi një dhimbje e tragjedi të pamatë për familjen e tij.

Ajo familje e ata prindër e dinë se si u është përvëluar shpirti nga humbja e birit të tyre e çfarë dhimbjeje do t’i shqërojë deri sa të kenë jetë. Dhimbje që nuk e zbut asgjë, as qokat politike. Ata kanë të gjithë të drejtën njerëzore, ligjore e po të doni edhe hyjnore të kërkojnë zbardhjen e rastit dhe vënien në vend të drejtësisë. E nëse me bërjen e drejtësisë apo pa bërjen e saj falin, pajtohen, paqtohen me shkaktarët e tragjedisë së tyre, përsëri është në të drejtën e tyre dhe në fisnikërinë e tyre. Por e drejta e tyre mbaron këtu! Në raportin personal me shkaktarin e tragjedisë, në raportin me eprorët e tij deri në rangjet më të larta, të cilat do t’i vendosin vetë dhe askush nuk ka të drejtë t’i gjykojë, lavdërojë apo përkrahë. Është tragjedia dhe vendimi i tyre.

Ndërsa rasti Klodian Rasha nuk është më i tyri, dhe Klodiani si rast nuk i përket më familjes së vet. Ata nuk kanë më asnjë gram të drejte mbi revoltën për Klodianin. Sepse Klodiani përfaqëson një tragjedi që mund t’i ndodhë edhe çdo Klodiani, Agimi, Iliri, Edlire, Rezarte etj., në lule të moshës për shkak jo të një punonjësi policie të papërgjegjshëm apo të paaftë, por për shkak të regjimit dhunues e përdhunues të instaluar nga Rilindja.

Vrasja e Klodian Rashës ishte kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar.

Prej kohësh është ngritur shqetësimi për politizimin dhe kriminalizimin e policisë shqiptare, për policët civilë që tentojnë të rrëmbejnë njerëz rrugëve, për policët me uniformë që fshehin elementet e identitetit.
Prej kohësh është ngritur shqetësimi për vënien e policisë në shërbim të hashashit dhe të ushtrisë në shërbim të trafikut të narkotikëve më të fuqishëm.

Dhe siç shpërfytyrohen njerëzit e këtyre trafiqeve atë shpërfytyrim ka marrë edhe forca jonë e mbrojtjes civile dhe ushtarake.
Prej kohësh është përfolur korrupsioni në radhët e tyre, që padashje na e vërtetoi dhe ish-ministri Lleshi kur justifikoi BMW-në e tij si pak shpenzim, se dhe policët kanë makina më të shtrenjta, që me një llogari të thjeshtë nuk kuptohet si i kanë vënë në zotërim me rrugë të ndershme.

Prej kohësh është denoncuar dhuna shpërpjesëtimore, madje dhe e Policisë Bashkiake rrugëve të Tiranës ndaj atyre që shesin për bukën e gojës dhe gërrmojnë në kazanët e plehrave.

Prej kohësh janë trajtuar rastet e dhunimeve të paarsyetuara në Komisariate apo aksionet e keqadministruara për eliminim individësh problematikë, aksione kurrë të zbardhura deri në fund.

Për të mbërritur tek dy episode kulmore: ditët e dhunës së pamëshirshme të forcës policore mbi protestuesit kundër prishjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar dhe në ditën e tragjedisë së Klodian Rashës e dhunës policore që pasoi mbi protestuesit.

Kush mendon se vrasja e Klodianit ishte një ngjarje individuale, gabon. Polici dorëvrasës u bë i tillë, sepse e tillë është fryma, urdhri dhe porosia e shefave lart: që popullit t’i tregojnë dhunë. Prandaj dhe polici nuk ngurroi të vriste. Prandaj dhe në krye të forcave të rendit u soll një ushtarak, që kjo forcë të merrte sjelljen e një ushtrie përballë armikut dhe vendi të përfshihej nën një regjim të pashpallur ushtarak.

Sepse e gjithë dhuna e forcës policore të shtetit dhe të Bashkive është në funksion të dhunës ekonomike që po ushtrohet mbi individin dhe biznesin e ndershëm; e përdhunimit të fondeve publike me anë të PPP-ve dhe e përdhunimit të lirisë së shprehjes dhe mendimit.

Polici vrasës vrau sepse atij kjo sjellje i është mësuar. Policët e të gjitha llojeve, civilë e jo civilë, të këtyre ditëve dhunojnë sepse kështu janë orientuar.

Prandaj të rinjtë sot protestojnë e revoltohen në emër të Klodianit dhe në emër të tyre, sepse nuk duan ata të jenë Klodianët e së nesërmes, nuk duan që nesër familjet e tyre të hapin dyer morti e të luajnë tragjedish. Prandaj familje e nderuar Rasha, kurseji thirrjet për politikën e protestuesit në emër të Klodianit. Tragjedia e tij nuk është më vetëm e juaja, por është parathënie për çdo të ri shqiptar që ende ka mbetur këtu, pa emigruar.

  1. Sindroma Kadri Hazbiu

Po! Jam i saktë në term. Nuk flas për “sindromën e Stokholmit”, termin e mirënjohur botëror, por për një term më shqiptar, “sindromën Kadri Hazbiu”. Të gjithëve na sillen me tmerr në mendje përulsia me të cilën ish-pushtetarët e lartë komunistë silleshin në salla gjyqesh e në mbledhje ku shpalleshin armiq. Sidomos kujtojmë fjalët e të ndjerit Kadri Hazbiu, ish-Ministër i Brendshëm, që pranonte pa asnjë revoltë dënimin nga partia e tij, megjithëse partia po i bënte padrejtësi.

Kjo sindromë po tentohet përdhunshëm të injektohet ndër viktimat e pushtetit. Të gjithë e kujtojmë një nënë të shkuar në moshë, diku në Myslym Shyri, që policët bashkiakë e dhunuan pse shiste dy qepë. Opinioni reagoi, njerëzit u irrituan dhe Veliaj nxitoi të shkonte të puthej me atë nënë të ngratë, që rropatej për bukën e gojës e të shkëpuste prej saj falënderime të përzemërta për “dorën e ngrohtë”.

Pa harruar nënën e një djali adoleshent të dhunuar nga policia gjatë karantinës dhe të përfolur ndyrësisht nga vetë drejtori i policies, në vetë Komisionin e Kuvendit të Shqipërisë. Që më pas e thirrën për një falje të mjerë para kamerave dhe një falënderim që nëna e përfolur i bënte përfolësit për kujdesin e treguar dhe premtimin për ta punësuar. Kryepolici shpifës e përfolës e mbajti fjalën. Nëna u punësua shefe gardianësh në burg, sikur të ish në fuqi ligji që detyron përdhunuesin të martohet me viktimën e përdhunimit.

Për të vijuar me falënderimet e njerëzve të goditur nga tërmeti e që shteti i tyre mezi iu gjet në ndihmë, apo të të sëmururve nga COVID-19 për shërbimin në spitale, kur e vërteta është krejt ndryshe.

Dhe për të përfunduar në groteskun e sotëm të letrës së familjes Rasha. E njëjta strategji perverse u ndoq. Fillimisht e përfolën viktimimën si individ me precedent, që njerëzve të mos u vinte keq pse iku një kriminel. Pastaj shpifën e i vunë pranë një armë, që përsëri opinioni të mos shqetësohej pse një i ri që nuk kishte as maskë u vra. Më pas përdorën errësirën dhe kur gjithçka doli në shesh se rruga ish e ndriçuar dhe i ndjeri në dorë kish veç hurma, futën në veprim trajtimin psikologjik me sindromën “Kadri Hazbiu” dhe nxorrën në dritë një letër. Edhe sikur kjo familje vërtet të jetë ulur e të ketë shkruar atë letër në emër të mbrojtjes së të rinjve nga dhuna e mëtejshme, ju lutem duhet t’ia kishit kursyer përdorimin dhe publikimin. Madje, duhej të ishit kujdesur që dhimbjen e tyre të mos e shtynit më tej. Besoj se keqpërdorimi i familjeve të viktimave të 21 janarit me shëtitje bulevardi, por pa guxuar të bëni drejtësi, nuk duhet t’ju shtyjë të vijoni më tej me këtë trajtim pervers.
Shqiptarët kanë mjaft tragjedi, halle e sëmundje mbi kurriz. Mos i rëndoni dhe me “sindromën Kadri Hazbiu”, të duan partinë e pushtetin duke shkelur mbi tragjedinë e tyre.

  1. “Lufta e kalamajve”

Po! Revoltat e këtyre ditëve duhet të hyjnë në historinë e Shqipërisë me emrin “lufta e kalamajve”.

Në nxitim për të zhvlerësuar revoltën popullore, makineria propagandistike e Kryeministrit shpalli se janë të vegjlit, adoleshentët ata që po bëjnë dhunë e rrëmujë nëpër qytet, si fëmijë trazavaçë. Dhe pas këtyre fëmijëve tentoi të turpërojë “armikun” imagjinar se po fshihet pas kalamajve.

Por, makineria tepër e shtrenjtë propagandistike e Kryeministrit këtë herë ra në kurthin e “gjenisë” së vet. Harroi që është e turpshme që një qeveri, e cila pretendon të rilindë vendin dhe që drejtohet nga një Skënderbe elisospiropalian, të vihet përpara nga kalamajtë e zemëruar. Me kalamajtë përballë kjo qeveri rilindase nuk po ngurron të nxjerrë rrugëve forcat e veta policore e të ndërhyrjes së shpejtë, të pajisur gjer në dhëmbë, së bashku me mjetet luftarake të ujit e të gazit, së bashku me mjetet e drurit e të hurit, dhe t’i sulë rrugëve kundër kalamajve. Nuk i është dridhur dora të dhunojnë e gjakosin kalamajtë e të mbushin komisariatet me kalamaj. Nëse kalamajtë e këtij vendi janë zemëruar dhe protestojnë, qoftë edhe pa të drejtë, nga vrulli dhe pakujdesia e moshës, cila është përgjigjja që duhet të japë “prindi në qeveri”? Dhuna Jo!

Çdo manual edukimi dhe trajtimi të fëmijëve adoleshentë, qoftë edhe kur janë problematik, nuk e ka dhunën si mjet.

Kur për kalamajtë e zemrëruar për shokun e tyre 25-vjeçar të vrarë përdoret kjo dhunë në çmenduri, ç’duhet bërë me kalamajtë në krye të qeverisë e të bashkisë, të cilët nuk kanë lënë pa prishur çdo gjë historike e kulturore në kryeqytet për të ngritur lodrat e tyre prej betoni, për të zhgarravitur muret e zyrave e dokumentat, dhe për të bërë rrush e kumbulla paratë publike.

Prandaj ta mbajë dhe këtë turp Edi Rama, që po bën dhunë e luftë me kalamajtë, të cilët protestojnë sot që policia e kalamanit kryeministër të mos u kërcënojë jetët e tyre nesër.

Share: