Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka shpjeguar se si do të vazhdojë mësimi në shkollat shqiptare në situatën e pandemisë.
Në një lidhje në emisionin “Opinion” Kushi tha se çdo shkollë do të marri vendimin në bashkëpunim me zyrën arsimore dhe drejtorinë e kujdesit shëndetësor në çdo qytet, varësisht situatës epidemiologjike.
“Ajo që na takon ne pas vendimit të MSH për të kombinuar mësimin online me atë në shkolla është, që ne u mblodhëm u konsultuam, bëmë një analizë të vendeve të tjera dhe hartuam shtojcën e udhëzuesit.
Vendimi i parë që ne morëm ishte që në zbatimin e varianteve të kësaj strategjie të kishte fleksibilitet midis shkollave të ndryshme. Çdo shkollë merr vendimin në bashkëpunim me zyrën arsimore dhe drejtorinë e kujdesit shëndetësor”, tha Kushi.
Ministrja e Arsimit tha se ndërkohë nxënësit nga klasa 1-5 do të vazhdojnë të shkojnë në shkolla, e po kështu edhe maturantët.
“Nga 1760 shkolla që kemi në të gjithë territorin, në 1360 shkolla mësimi vazhdon sipas skenarit të parë, në të njëjtën mënyrë siç është tani. Ne kemi vendosur që cikli fillor nga klasa 1-5 dhe maturnatët të vazhdojnë me të njëjtët skenarë. Do të jenë në shkollë. Kemi menduar se këto dy kategori duhet të jenë me prezencë fizike. Nga klasa 6-11 do të kenë mësim të alternuar. Alternativat ishin një javë në shkollë dhe një online, ose brenda javës 2 ditë në shkollë dhe 3 ditë online”, tha ministrja duke pohuar se është vendosur për variantin e dytë në mënyrë që të mos ketë shkëputje të gjata të nxënësve. /Opinion.al