Home KRYESORE MOSLEXIMI SJELL MOSGUXIMIN!

MOSLEXIMI SJELL MOSGUXIMIN!

Nga Emin Azemi

Në një Shkup me afro 1 milion banorë, prej të cilëve më pak se gjysma janë shqiptarë, e ke problem të gjesh librari. Libri shqip është malli më pak i ekspozuar dhe i kërkuar.
Kjo është një kastrofë kulturore dhe shpirtërore për një shoqëri dhe për një popull.

Shprehia e leximit ka pësuar atentat që në shkollë. Atje nuk ka më arsimtarë idealistë që i udhëzojnë dhe nxisin nxënësit të lexojnë libra. Atje, tash e ke problem të bësh dallimin në mes të arsimtarit dhe nxënësit, sepse ata mund t’i gjesh bashkë gjithkund, e më së shumti aty ku nuk duhet të jenë.

Në shkollat dhe familjet tona, libri është një banor incognito, pa të cilin edhe mundet të jetohet. Ajo pa të cilën nuk mund të jetohet aktualisht janë telefonat e mençur, serialet turke , ahengjet dhe ndejat pa kurrfarë sensi, harxhimet për gjëra koti etj.

Mungesa e librit, sjell mungesën e leximit, kurse mungesa eleximit sjell mungesëne guximit. Nëse provoni të bëni ndonjë anketë televizive me të rinjë në Shkup dhe gjetiu, e ke problem të gjesh ndonjë prej tyre që do të fliste guximshëm për problemet që i shqetësojnë. Mosguximi i tyre i ka dy filtra në tru – njërin e ka nga mosdija, si pasojë e mosleximit dhe tjetrin e ka nga poltronizmi, si pasojë e të menduarit partizançe (si mendon partia, mendoj edhe unë) mbi gjërat që na shqetësojnë.

Kjo armatë intelektualisht-mosguximtarësh nesër mund të jetë problemi më i madh i shoqërisë sonë. Duke vazhduar ta trajtojmë librin si diçka pa të cilin mund të jetojmë, ne gradulaisht po ndërtojmë një algoritëm të ri prioritesh social-kulturore, i cili shprehinë e të lexuarit e shpall armik të rrezikshëm të atyre që duan të vendosin pa oponencë profesionale e etike.

Mungesa e leximit në një shoqëri shpie në forma subkulturore e suburbane të formimit tonë qytetar. Për pasojë, mesjeta e sjelljeve tona ka rrezik të na shndërrojë në dofar beduinësh gërditës, të bindur ndaj çdo kauze që përgatit një rini kurrizthyerish para furtunave e sfidave të kohës.

(e.a)

Share: