Emigrantët kanë sjellë më shumë para në shtëpitë e tyre në tremujorin e tretë, pas rënies së ndjeshme në prill-qershor, kur Europa ishte pothuajse në izolim total.
Të dhënat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në tremujorin e tretë, prurjet e emigrantëve arritën në 197 milionë euro, me një rritje prej 6.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë i remitancave në këtë tremujor që nga viti 2008, sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë (shih grafikun).
Rritja e remitancave në tremujorin e tretë vjen pas tkurrjes së ndjeshme të tyre në të dytin, kur ata që jetojnë e punojnë jashtë dërguan në shtëpitë e tyre vetëm 121 milionë euro, ose 35% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Si rrjedhojë e ecurisë negative në tremujorin e dytë, për gjithë periudhën janar-shtator, prurjet e emigrantëve, apo remitancat janë tkurrur me 9.6%, duke rezultuar në total në 470 milionë lekë, niveli më i ulët që nga 2017-a.
Aktorët e tregut pohojnë se në tremujorin e tretë është konstatuar rritje e prurjeve, por kjo tendencë ka reflektuar dhe mbylljen e rrugëve informale, si sjellja e parave dorazi, nëpërmjet autobusëve, miqve, etj., dhe orientimin drejt operatorëve të licencuar.
Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten kanalet kryesore të dërgimit të parave në vend, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje. Por vitet e fundit po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania. Aktorët e tregut pohojnë se Gjermania, për vetë faktin që është në tipologjinë e një vendi me emigracion të ri, gjatë viteve të fundit ka qenë në një rritje konstante.
Trendi i remitancave ka ndjekur në tri dekadat e fundit një tendencë ciklike, duke kulmuar në vitin 2008 dhe më pas filloi rënia, teksa me kalimin e më shumë se një dekade, emigrantët filluan të shkëpusin lidhjet me vendin mëmë, të krijonin familjet e tyre dhe të dërgonin më pak para.
Por vitet e fundit, vendi po përjeton një valë të re emigracioni, që solli sërish një rritje të remitancave, që pas vitit 2013 (shih grafikun: Të ardhura nga emigrantët, 9-mujori).
INSTAT, në një anketë të fundit, konstatoi se gjatë viteve 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011. Emigracioni i dekadës së fundit ka përfshirë një pjesë të konsiderueshme të shtresës së mesme edhe nga ana e formimit arsimor.
Sipas të dhënave të anketës, nga të larguarit, 54% e tyre kishin një diplomë të arsimit të mesëm, profesional ose të përgjithshëm, ose një diplomë të studimeve të larta. Gati 14% e emigrantëve gjatë periudhës 2011-2019 ishin me arsim të lartë./ Monitor
Burimi: Banka e Shqipërisë
Burimi: Banka e Shqipërisë