Prej katër ditësh në vendin tonë janë zhvilluar protesta për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektivi i policisë në Tiranë. Në qytete të ndryshme në Shqipëri u protestua me thirrjet “Drejtësi për Klodian”. Ndërkohë nga uniformat blu janë shoqëruar shumë persona në polici. Policia e Shkodrës njoftoi se në Shkodër pas protestave të zhvilluara, janë proceduar penalisht edhe dy punonjës të zjarrfikëses së Bashkisë Shkodër, për shpërdorim detyre.
Dy punonjësit zjarrfikës akuzohen se kanë reaguar me vonesë për shuarjen e zjarrit.
Sindikata e PMZSH reagon me indinjatë ndaj këtyre procedimeve. Edhe njëherë Sindikata e PMZSH sqaron se:
Punonjësit zjarrfikës nuk mund të ndërhyjnë kur ka protesta, pasi nuk janë të pajisur me veshje të posaçme për të përballuar dhunën e mundshme nga protestuesit. Forcat zjarrfikëse ndërhyjnë vetëm pasi vendoset perimetri nga Policia. Siç është raportuar dhe denoncuar edhe nga kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi forcat e Policisë nuk ndërhynë në momentin e dhunimit të godinës së Partisë Socialiste në Shkodër, nga ana e protestuesve.
Sindikata e PMZSH thekson gjithashtu se punonjësit dhe drejtuesit e MZSH Shkodër si dhe në të gjithë vendin, kanë reaguar përherë shpejt në kohë si dhe me një profesionizëm të lartë e të pandikuar asnjëherë politikisht. Punonjësit zjarrfikës në Shqipëri janë ata që ndodhen kurdoherë pranë çdo qytetari, por janë edhe më të keqpaguarit gjithashtu. Janë zjarrfikësit, ata të cilët në thelb të misionit të tyre kanë vetëm shpëtimin e jetës.