Home KRYESORE Prokuroria/Efektivi u rrëzua, më pas qëlloi plumbin e dytë mbi 25-vjeçarin

Prokuroria/Efektivi u rrëzua, më pas qëlloi plumbin e dytë mbi 25-vjeçarin

Janë zbuluar detaje të rëndësishme nga dosja hetimore ndaj efektivit Nevaldo Hajdaraj. Në kërkesën e prokurorisë për masën e arrestit specifikohet se, polici ka shtënë dy herë ndaj të riut.

Ne momentet e fundit te ndjekjes sipas prokurorisë, efektivi pretendon se është rrëzuar dhe në atë moment, ka qëlluar ndaj Klodian Rashës. Sipas ekspertizës, ky plumb është përplasur në qepenin e një servisi dhe ka përfunduar në asfalt.

Më pas, polici është ngritur dhe ka vazhduar ndjekjen. Pas disa sekondash ai ka shkrehur për herë të dytë pistoletën. Ky plumb ka goditur në shpatull 25 vjecarin dhe është gjetur në trupin e tij. Prokurori nënvizon se ky është moment ku polici ka tejkaluar kompetencën. Ai nuk kishte asnjë arsye të qëllonte ndaj Klodianit përderisa, 25 vjecari, ishte larguar dhe nuk kërcënonte jetën e efektivit.

Ne raportin mjekoligjor përcaktohet se në trupin e viktimës është gjetur vetëm një vrimë hyrëse e plumbit. Ndërsa nënvizohet se, ai ka hematoma në pjesën e fytyrës dhe në kokë, por pa përcaktuar qartë se nga janë shkaktuar.

Raporti i Prokurorisë mbështetet vetëm në dëshmitë e 2 policëve protagonist dhe disa të tjerëve që erdhën pasi ndodhi ngjarja. Ajo është raportuar se ka nisur të ndodhë në orën 01:09 minuta dhe ka përfunduar në orën 01:14 minuta. Ndërsa nga spitali, konfirmimi për vdekjen e Klodian Rashës është bërë në orën 01:23 minuta.

Nevaldo Hajdaraj do të hetohet në burg, vendim i cili u dha nga gjykata mesditën e së premtes. Me kokën ulur dhe me duart pas shpine ai priti këtë vendim. Hajdaraj ka thënë se kjo i ndodhi atij, mos i ndodhtë askujt. Polici i “Shqiponjave” është penduar për krimin.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura ai i kishte bërë një kërkesë gjyqtares. Gjatë seancës ai ka folur shumë pak. Theksoi se ja ka lënë gjithcka në dorë prokurorisë dhe gjykatës. /Abcnews

Share: