Ishin vitet 2003-2005 kur fraza klishe e shumicës së opinionistëve dhe shumë përfaqësuesve të gjoja shoqerisë civile ishte “largimi i Nanos dhe Berishës nga politika”. Nuk do zgjaste shume dhe në shtator të vitit 2005 Nano jep dorëheqjen nga kryetar i Partisë Socialiste duke i hapur rrugën Edi Ramës në drejtimin e partisë më të madhe të opozitës. Por në krahun tjetër, megjithë përpjekjet e vazhdueshme për të “hequr qafe” edhe Berishën, ai u zgjodh kryeministër me një rezultat aq të ngushtë, saqë pa ndihmën e Partisë Agrare rotacioni nuk do ishte i mundur.
Të njëjtët opinionistë qe paradite shkruanin për lodhjen nga konfliktualiteti i atëhershëm 15 vjeçar, pasdite mendonin të kundërtën duke sulmuar marrëveshjen mes Nanos dhe Berishën në vitin 2002, si e keqja e gjithë të këqiave. Dallohej qartë që një dorë jo e dukshme nxiste prej vitesh tezën e largimit nga politika të dy kryetarëve historike të PS dhe PD, për tu hapur rrugën kush e di se kujt. Njëri ishte e qartë se ishte Rama, pas një karriere 7-vjeçare në Ministrinë e Kulturës dhe bashkinë Tiranë dhe që entuziazmonte ndjekësit e tij me koleksionin e çorapeve shumëngjyrëshe . Tjetri sapo kishte filluar të shfaqej në korridoret e politikës si “fytyra e re e PD”, një djalë i ri që qeshte shpeshhere pa arsye, por i arsimuar jashtë dhe që kish punuar në Kosovë për UNMIK.
Ndërsa i pari kishte hyrë në politikë nga dera e artit dhe publicistikë anti-konformiste, tjetrit i mjaftonte një diplomë si mijëra të tjera e shkruar anglisht. Por të dy dukej se do kishin të njëjtin mision: “mbylljen e ciklit të politikës së vjetër dhe nisjen e një epoke të re”. Megjithëse në pamjë të parë tingëllonte si shpresëdhënëse pas 15 vitesh të vështira tranzicioni, “formula magjike” nuk kishte substancë pasi askush nuk e kuptoi asnjëherë dallimin mes të “resë dhe të vjetrës”. Dhe pse Nano e Berisha ishin të vjetër e dy pasuesit e tyre të rinj, veç për shkak moshës. Por insistimi i avokatëve të kësaj teze nuk kish të bënte me moshën, por me ndryshimin e vërtetë. Një frymë perendimore e përparimtare që do e shkëpuste Shqipërinë nga e shkuar e zymtë drejt një të ardhmeje vezulluese. Dhe e ardhmja nuk do vononte. Me humbjen e koalicionit të djathtë ne vitin 2013, Rama dhe Basha do fillonin të jepnin frytet e ngazëllimit të analistëve që i mbështesnin në nisjen e “epokës së re”! E vjetra, e shkuara, e zymta do hidheshin tej, për ti hapur rrugë modernes, përparimtares, revolucionares etj.. Si në përrallën e vjetër gjermane të Shllafarisë, “lumenj me qumësht të mbushura më bukë të bardhë” do përmbysnin rrugët e Shqipërisë. Prosperitet, ndryshim, persepktivë europiane e bla, bla, bla pafund….
LEXO EDHE: Ina, Ina, Hiqi brekët/ Publicistikë nga Edi RAMA
Por çfarë ndodhi në të vërtetë pas 2013? Qeveria e Rilindjes së dytë pas asaj të vëllezërve Frashëri, Kristoforidhit, Pasho Vashës e të tjerë, në 7 vite nuk ka mbajtur pothuaj asnjë premtim nga ato të bëra. Jo vetëm, kaq por lajmi i djeshëm nga Gjermania se nuk do ketë hapje negociatash për anëtarësim në BE, po e mban Shqipërinë jashtë BE në mënyrë konstante. Ndërkohë arroganca, korrupsioni e lidhjet e mazhorancës me krimin ka qënë kryefjalët e bilancit qeverisës, pavarësisht se “çorapet shumëngjyrëshe” i kanë lënë vendin qëndrave urbane të rikonstruktuara. Por si gjithnjë ato rrethohen nga kulla që po ndërtohen me para të dyshimta për sa kohë kriza ekonomike është e dukshme.
Ndërsa gjysma tjetër e “politikës së re” është për të qarë hallin më shumë se për të parën. Në 7 vite, “përkthyesi magjik” ka krijuar një trashëgimi të konsoliduar humbjesh elektorale, mediokrizim të përfaqësimit në PD, mbytje të debatit të brendshëm dhe është shndërruar fatkeqësisht në personazhin më të preferuar të meme-ve në rrjetet sociale.
Po të shtojmë dhe kaosin në sistemin e drejtësisë, një standart zgjedhjesh shumë të keq se ato të viteve 2005, 2007, 2009, 2011 dhe 2013 ku njëra palë blen vota e tjetra bojkoton, dështimi demokratik i çiftit Rama-Basha krahasuar me atë Nano-Berisha është pothuaj spektakolar.
E pra, eksperimenti me “të përzgjerurit” perëndimor ka dështuar për fat të keq. Shqipëria e 2020 është më e keqe se ajo e viteve 2000-2013 si nga pikëpamja e lirive dhe të drejtave ashtu edhe nga ajo ekonomike ku rrethi i atyre që bejnë përpara është ngushtur shumë. Asfiksimi i elitave që janë zëvendësuar nga “kukulla të paketuara” nga establishment, e ka futur një masë shumë të madhe votuesve në një spirale të rrezikshme abstenimi masiv. Ndaj, ata që bërtisnin me të madhe “të ikin Nano e Berisha” duhet të kërkojnë një falje të madhe. Jo pse u larguan nga drejtimi këta të dy, por se vendin e tyre e zunë dy sharlatanë që garojnë se kush gënjën më shumë.