Home KRYESORE Eglantina Aliaj: Ja faktorët që mundojnë median shqiptare

Eglantina Aliaj: Ja faktorët që mundojnë median shqiptare

Ajo është pjesë e medias tashmë prej shumë vitesh dhe çdo ditë lë gjurmë në të përmes punës që bën. Eglantina Alliaj, gazetarja e dashur e ekraneve por edhe medias së shkruar, në këtë fillim viti vjen me një vision të qartë për të ardhmen mediatike dhe këtë do e mësoni vetëm përmes kësaj interviste…

Fabjloja Kuburi: -Eglantina Alliaj, si një nga emrat më të njohur në media, një rezyme nga 2020 dhe si të gjeti personalisht dhe profesionalisht 2021…

Eglantina Alliaj:-2020, një vit i vështirë për të gjithë ne, për shkak të situatës së pandemisë. Një vit që na bëri të kuptojmë se shëndeti dhe jeta ka vlerë mbi gjithçka. Ky vit na mësoi se jeta është e mbushur me rreziqe të vogla e të mëdha. Çdo ditë të duhet të llogarisësh riskun e asaj që do të bësh apo koston e asaj që do të lësh pas dore. Mësuam se jeta është më e pasigurtë nga sa menduam. Një vit i vështirë, pasi njerëz që njohim kanë ikur papritur, të tjerë kanë ngelur duke luftuar për të rifituar shëndetin e humbur. 2021? E gjendur në ‘grackën’ e jetës akoma, për shkak të situatës. Me plane dhe projekte në vazhdim, sepse sapo kemi hyrë në 2021, me shpresën se gjërat do ndryshojnë dhe jeta do kthehet në normalitetin e saj.

Çfarë e mundon median shqiptare, të shkruarën dhe atë vizive?

Ka shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e medias në vendin tonë, në median e shkruar, në median vizive dhe tashmë vitet e fundit dhe në median sociale. Pika kyçe për mendimin tim është vështirësia financiare, e cila qëndron në majën e piramidës së problemeve me të cilat përballet media në Shqipëri. Duke mos patur mundësi financiare, për të qenë të pavarura nga pushteti, në një farë mënyre bëhen ‘palë’ me interesat e pushtetit, duke dalë nga misioni i së vërtetës. Mungesa e kontratave të punës, deklarimi jo i plotë i pagës për efekt të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe mosrespektimi i të drejtave që burojnë nga Kodi i Punës, janë problem që kanë shoqëruar vitet e tranzicionit në median shqiptare. Një problem tjetër janë kërcënimet dhe ngacmimet kundër gazetarëve, profesionalizmi dhe mungesa e politikave dhe kodeve të qarta editorial. Do të theksoja dhe çensurën dhe vetëcensurën në median shqiptare. Ka kohë që profesionin e gazetarit kërkojnë ta intimidojnë, ta zhvlerësojnë.

Eksperienca mediatike më e bukur që ke patur në jetë…

Vështirë ta veçoj, pasi kam 17 vite punë në media të ndryshme, si tek gazeta “Panorama”, gazeta “SOT, gazeta “Republika”, duke vijuar më pas tek Televioni Neës 24, gazetare politike. Ndërkohë prej 3 vitesh punoj për Televionin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ACTV). Në çdo media që kam punuar kam eksperienca të bukura, por do veçoja punën në TV NEËS 24, ku shpeshherë jam përballur me situata të vështira në raportim, por dhe të papritura, që të krijonin emocione në raportimet live.

Arrin ta dallosh gjithnjë të vërtetën nga e pavërteta?

Patjetër, eksperienca është një akses që të përgatit për t’i dalluar të vërtetat  nga të pavërtetat. Gazetari ka mënyrat e veta për të vërtetuar një lajm, apo të bëj dallimin nga ajo që është lajm nga ajo që është propagandë.

Me çfarë mendimi u zgjove sot?

U zgjova me mendimin se e keqja është duke u larguar…

Çfarë të pëlqen më shumë dhe çfarë t’i ngre nervat në Tiranën tonë të dashur?

Smogu, trafiku i rënduar.

Megjithatë më pëlqen Tirana, është qyteti i dytë më i dashur për mua, pas qytetit të lindjes, Vlorës.

Cila nga fjalët e urta, mendon se të shpreh ty më së miri?

“Kur jeta duket e vështirë, guximtarët nuk mposhten dhe pranojnë humbjen, por ata janë më të vendosur për të luftuar për një të ardhme më të mirë.”-është një shprehje frymëzuese nga Mbretëresha Elizabeta II.

Çfarë do ta prishte miqësinë me ty?

Miqësia është e shtrenjtë, është një investim do ta quaja, që gjithësecili nga je jep nga vetja në shoqëri. Mundohem që të mos i prish miqësitë e ngritura ndër vite, por nuk duroj dot pabësinë, gënjeshtrën dhe hipokrizinë në një miqësi.

Çfarë quan ti “të humbësh veten”?Po “të gjesh veten”?

Të merresh me një punë jashtë dëshirës dhe vullnetit tënd, të jetosh pa miq, pa dashuri në të gjitha kuptimet. Në jetë ka momente që njeriu ndihet i përhumbur, nga humbja e diçkaje, shpirtërore apo ndërprerja e një ëndrre. Rëndësi ka të ringrihet përsëri, madje dhe më i fortë. Unë kështu bëj, ngrihem më e fortë pas çdo stuhie në jetë..

Si do e mbyllim këtë intervistë?

Duke ju uruar stafit të Gazetës Intervista suksese në misionin tuaj! Me një urim padyshim për të gjithë shqiptarët kudo janë brenda dhe jashtë saj, një vit sa më të mbarë!

Marre nga gazeta Intervista

Share: