Home Gjeo-Ekonomia Inaugurimi i Biden, çfarë e lidh atë me Lincoln dhe Hayes

Inaugurimi i Biden, çfarë e lidh atë me Lincoln dhe Hayes

Nga – Thomas Balcerski

Më 20 janar, Joe Biden do të inaugurohet si presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por dita e ceremonisë vjen mes kërcënimeve të shtuara nga ekstremistë, të cilët pretendojnë se zgjedhja e tij nuk ishte e ligjshme. Si rezultat, presidenti nuk do të shkojë në Uashington me tren, ndërsa prova gjenerale e ceremonisë, e programuar për të dielën, është anuluar.

Masat e sigurisë u vendosën pas mësymjes së dhunshme brenda godinës së Kapitolit më 6 janar. Pamjet e mijëra ushtarëve të Gardës Kombëtare që janë stacionuar në kryeqytet vërtetojnë se rreziku vijon të jetë i lartë.

Sidoqoftë, Amerika ka qenë edhe më parë në këtë situatë. Vendi është përballur dy herë të tjera më parë me kërcënimin për kryengritje, pas dy zgjedhjesh me rezultat të kontestuar, në 1860-1861, para inaugurimit të Abraham Lincoln, dhe në periudhën 1876 – 1877, para inaugurimit të Rutherford B. Hayes.

Në secilin rast, këto kërcënime kanë bërë që të shtohet prania e forcave ushtarake ditën e marrjes së detyrës nga presidenti i ri.

Këto dy inaugurime gjithashtu kanë qenë momente kyçe në epokën e Luftës Civile Amerikane dhe atë të Rindërtimit. Sikurse Lincoln-i u përpoq të shmangte luftën, Hayes shpresonte të shmangte zgjatjen e konfliktit me Jugun dhe të mbronte të drejtat e afro-amerikanëve. Edhe pse asnjëra prej administratave nuk e arriti synimin që i kishte vënë vetes, përkushtimi i presidentëve të rinj për të mbrojtur demokracinë ishin frymëzime të vlefshme për kohën e tyre… dhe tonën.

Njësoj si ata, inaugurimi i Biden jo vetëm që do të përmbushë një detyrim kushtetues, por do të përforcojë vendosmërinë e amerikanëve që kërcënimet për dhunë nuk do të ndalojnë dot një proces demokratik.

Të dy, Lincoln dhe Hayes, u ballafaquan me sfida të mëdha. I njëjti fat mund të ndjekë edhe Biden. Por pavarësisht kësaj, t’i përulesh atyre që do të donin të zhbënin rezultatin e zgjedhjeve përbën një rrezik të madh për Amerikën. Inaugurimi i një presidenti të ri, njëlloj si vetë eksperimenti amerikan me demokracinë, duhet të vazhdojë.

Le t’i hedhim një sy inaugurimeve historikë të zhvilluar pavarësisht kërcënimit për dhunë.

Presidenti Lincoln mori detyrën pasi 7 shtete të Jugut kishin shpallur shkëputjen pas zgjedhjeve të vitit 1860. Kërcënimet ishin të ndryshme. Pati një ide për të marrë peng presidentin, në mënyrë që shtetet e Jugut të kishin mundësi të negocionin për kushte më të mira. Nëse pengmarrja do të dështonte, plani B ishte ekzekutimi i tij.

Teksa presidenti po udhëtonte drejt kryeqytetit nga Springfilld, Illinois, rojet e tij mësuan për një komplot të një bande nga Baltimora për të sulmuar trenin. Kësisoj, ai pranoi të mos ndalonte fare në Baltimorë.

Ditën e inaugurimit, Gjeneral – Lejtnanti  Winfield Scott urdhëroi milicët e Uashingtonit – pararendësit e Gardës Kombëtare – që të ruanin rrugën që do të përshkonte Lincoln, nga hoteli ku po qëndronte, deri në Kapitol. Një njësi speciale i parapriu paradës së presidentit për të hapur rrugën, ndërsa kalorësia shoqëroi Lincoln dhe zëvendësin e tij, Buchanan, dhe snajperët ruanin nga çatitë e godinave për të mos lejuar njeri të afrohej më shumë sesa duhej.

Më pas, Lincoln mbajti një fjalim ku bëri thirrje për bashkim dhe shmangie të luftës civile. “Nuk jemi armiq, por miq. Nuk duhet të bëhemi armiq. Edhe pse nervat mund të jenë të tendosura, nuk duhet të thyejnë lidhjen e dashamirësisë mes nesh”, përfundoi presidenti. Por në fund, lidhja u thye. Lufta Civile zgjati deri në vitin 1865, dhe i mori jetën më shumë se 600 mijë amerikanëve.

Në vitin 1876, rezultati i zgjedhjeve mes republikanit Rutherford B. Hayes nga Ohajo dhe demokratit Samuel Tilden nga Nju-Jorku, ishte tepër i ngushtë. Platforma e Hayes bënte thirrje për mbrojtje të të drejtave të të gjithë qytetarëve, edhe afro-amerikanëve në Jug, ndërsa Tilden qëndroi kryesisht i heshtur sa i përket çështjeve racore.

Të dy palët shpallën fitore, por rezultatet e kontestuara në Luiziana, Florida, Karolinën e Jugut dhe Oregon, bënë që Tilden të mbetej pas me një votë në Kolegjin Zgjedhor.

Edhe një herë u rishfaqën kërcënimet për dhunë. Në fund të nëntorit 1876, qarkulluan zëra se ish-oficerë të Ushtrisë së Konfederatës do të përpiqeshin të merrnin kontrollin e kryeqytetit me 1000 burra. Në kundërpërgjigje të këtij kërcënimi, presidenti Ulysses S. Grant vendosi 7 kompani në Uashington. Dy ditë më vonë, anija luftarake USS Wyoming, u shfaq në lumin Potomak në Uashington, dhe kërcënimi nuk u bë kurrë realitet.

Në dhjetor, shtetet dërguan votat e tyre në Kongres. Por pa një fitues të certifikuar, Kongresi ngriti në janar një komision zgjedhor për të përcaktuar rezultatin. Me vota strikte partiake, 8 me 7, komisioni shpallu Hayes fitues te çdo votë e kontestuar (Akti i Numërimit Zgjedhor i vitit 1887 kodifikoi procedurat e reja, për të shmangur bllokime në të ardhmen).

Demokratët e Jugut vendosën të pranonin rezultatin e komisionit, në këmbim të tërheqjes së trupave federale nga Jugu. Megjithatë, disa kongresmenë demokratë kërcënuan të pengonin numërimin e votave elektorale, duke e shtyrë procesin edhe për disa ditë. Më në fund, mëngjesin e 2 marsit, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Samuel Randall, lexoi një telegram nga Tilden, i cili shprehte vullnetin për të lejuar përfundimin e numërimit.

Në orën 4 të mëngjesit, Kongresi kishte përfunduar numërimin e votave dhe Hayes u shpall fitues, duke i dhënë kështu fund zgjedhjeve më të gjata amerikane. Duke mos dashur të priste ditën e inaugurimit, Hayes u betua në një ceremoni private në Dhomën e Kuqe në Shtëpinë e Bardhë, në 3 mars.

Dy ditë më vonë, Hayes u nis për në Shtëpinë e Bardhë, i shoqëruar me Gardën e Uashingtonit dhe artileri të lehtë. Në fjalimin e tij, Hayes i bëri thirrje për bashkim votuesve të Jugut. Por një muaj pasi kishte marrë detyrën, ai përmbushi premtimin dhe tërhoqi trupat nga shtetet e Jugut, duke lënë forcat e Supremacistëve të Bardhë të rivendosnin kontrollin mbi territorin.

Historia na mëson se kërcënimet për dhunë gjatë periudhës së tranzicionit politik nuk kanë ndaluar – dhe nuk duhet të ndalojnë – inaugurimin e një presidenti të ri, me një vizion të ri për Amerikën, pavarësisht asaj që vjen më pas.

Shënim: Autori është pedagog i historisë në “Eastern Connecticut State University”/Opinion.al

Share: