Presidenti Ilir Meta, priti sot në një takim Avokatin e Popullit, znj.Erinda Ballanca.
Në njoftimin zyrtar nga institucioni i Presidencës njoftohet se: Presidenti Meta i bëri me dije Avokates së Popullit peticionin dhe shqetësimet e drejta të ngritura nga banorët e Radhimës, Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit, gjatë takimit të zhvilluar me ta, për shkeljen e të drejtave të tyre themelore në procesin e hartimit të projektit infrakstrukturor “Rehabilitimi dhe ndërtimi i objekteve në afërsi të rrugës bregdetare Vlorë-Orikum” (Rikualifikimi i Vijës Bregdetare Vlorë – Radhimë- Orikum), si dhe trajtimit të pronave të tyre të ndodhura në këtë aks rrugor.
Kreu i Shtetit u njoh nga znj.Ballanca se edhe pranë Avokatit të Popullit janë parashtruar deri më tani mbi 60 ankesa nga banorët lidhur me këtë projekt dhe se ky institucion, ka filluar një hetim administrativ për këtë çështje.
“Shumë shpejt do të bëhet vlerësimi final dhe hartimi i një Raporti Përfundimtar në lidhje me këto problematika, që janë në shqyrtim prej Avokatit të Popullit dhe që banorët i kanë ngritur së fundmi edhe tek Presidenti i Republikës”, – sqaroi znj.Ballanca.
Presidenti Meta e nxiti Avokatin e Popullit të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme, në mënyrë objektive dhe të pavarur, vlerësimin e ankesave të komunitetit lidhur me mosrespektimin e pretenduar të të drejtave dhe lirive themelore, të garantuara nga KEDNJ, Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, gjatë hartimit, miratimit dhe implementimit të projektit infrastrukturor “Vlorë-Orikum”.
Kreu i Shtetit theksoi se, nëse Qeveria dhe pushteti vendor, shmangin respektimin e të drejtave të qytetarëve, është detyra e institucioneve të pavarura dhe e Gjykatës, të kryejnë vlerësimin e çdo pretendimi sipas fushave të tyre të përgjegjësisë.
“Qytetarëve u nevojitet transparencë, pasi çdo projekt infrastrukturor i një rëndësie kaq të madhe duhet të jetë i mirëmenduar, i konsultuar sipas kërkesave të ligjit dhe duhet të respektojë të drejtat themelore kushtetuese të banorëve dhe pronarëve.
Avokati i Popullit është pjesë e atyre institucioneve të veçanta, që me punën e tij, bën të mundur të garantohet funksionimi i shtetit ligjor, në respektim të të drejtave të njeriut. Ndaj pritshmëritë dhe shpresat që kanë qytetarët tek ky institucion, duhen justifikuar me punë objektive dhe të pavarur”, – theksoi Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit vlerësoi se roli i Avokatit të Popullit është i pazëvendësueshëm në këtë çështje edhe për faktin se rekomandimet e tij për veprimtarinë e çdo institucioni publik, janë një nga mjetet që nxjerrin në pah të vërtetën, luftojnë padrejtësitë e ushtrimit jo korrekt të pushtetit publik dhe rikthejnë besimin tek shteti i së drejtës.
Top Channel