Afrimi i Shpëtim Idrizit në koalicionin opozitar të drejtuar nga Lulzim Basha vuri në pikëpyetje qëndrimin e Vangjel Dules në frontin opozitar, po me kalimin e kohës PDIU dhe PBDNJ mësuan të “bashkëjetojnë” në të njëjtin front.
Por, me garën elektorale në prag, ujërat në kampin opozitar janë trazuar sërish. Lulzim Bashës i duhet të gjejë një të “mesme të artë” për të kënaqur të dy aleatët.
Burime nga tryeza e negociatave bëjnë me dije për Top Channel se një ndër skenarët e diskutuar është që minoriteti grek t’i lëshojë Vlorën çamëve dhe vetë të spostohet për një vend të sigurtë në listën e PD-së në Korçë.
I ftuar në studion e “Top Talk” të Denis Dyrnjas, kreu i PBDNJ-së nuk e përjashtoi si opsion.
Vangjel Dule la të kuptohet se nuk ka pretendime, ndryshe nga Shpëtim Idrizi, i cili nuk mjaftohet vetëm me një mandat. Bashkëjetesa e tyre edhe pse jo natyrale, duket se do vijojë edhe pas zgjedhjeve.
Negociatat në selinë blu duken të vështira, ndërkohë presioni është shtuar ditët e fundit, pasi edhe republikanët e Fatmir Mediut janë të pakënaqur me ofertën e bërë vetëm për një vend të sigurtë në listat e PD-së.
Deri më tani, Lulzim Basha ka arritur të mbyllë marrëveshje vetëm me tre aleatë, Agron Dukën, Dashamir Shehin dhe Nard Ndokën, të cilëve u ka dhënë një vend të sigurtë në listën e Durrësit, Tiranës dhe Shkodrës.
Top Channel