Home KRYESORE Pfizer,Manastirliu:40.000 doza brenda shkurtit,të tjerat në Korrik

Pfizer,Manastirliu:40.000 doza brenda shkurtit,të tjerat në Korrik

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se sipas kontratës me Pfizer, në Shqipëri do të vijnë deri në shkurt më shumë se 40 mijë doza të kësaj vaksine.

Manastirliu pohoi se pjesa tjetër e vaksinave nga kjo kontratë (që në fakt janë dhe pjesa më e madhe e tyre, rreth 460 mijë doza) do të fillojnë të vijnë në fillim të korrikut.

Sipas ministres, periudha tjetër kohore do të mbulohet nga vaksina të siguruara me mekanizimin e Covax dhe nga negociata me kompani të tjera që qeveria shqiptare është duke kryer.

“Dërgesa e tretë e Pfizer pritet të vijë në fillimet e muajit korrik. Ndërkohë kemi kontratën me COVAX”, u shpreh Manastirliu.

Ky fakt është konfirmuar në fakt edhe nga publikimi i kontratës nga gazetarja Valmora Gogo, sipas së cilës parashikohet që pjesa tjetër e vaksinave Covax të mbërrijë në vend tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2021.

Më tej ministrja foli edhe për çështjen e konfidencialitetit të kontratës, duke pohuar se kompania e ka patur edhe me vende të tjera.

“Kontrata me nuk është e bërë e tillë vetëm me Shqipërinë. Edhe vendet e tjera kanë kërkuar konfidencialitet. Kontrata ruhet nga sekreti tregtar për arsye se ata kanë një ekskluzivitet vaksinash dhe ky ishte një kusht i panegociueshëm. Kjo kontratë është miratuar nga parlamenti shqiptar. Akti normativ kërkuan ruajtjen e sekretit tregtar”, tha Manastirliu./Opinion.al

Share: