Home KRYESORE Po e sulmojnë gjithmonë apo Albini i viktimizuar?

Po e sulmojnë gjithmonë apo Albini i viktimizuar?

Nga Pren Dongjomi

Po e sulmojnë gjithmonë apo Albini i viktimizuar?Sponzor

Po t’i analizojmë veprimet e Albinit mirë, e shohim se ai gjithmonë bën përpjekje për t’u viktimizuar.

Populizmi folklorik i tij shihet shumë qartë. I kemi dëgjuar dhe lexuar fjalimet e tij. Çdo veprim i tij bëhet vetëm për një qellim, të përfitojë maksimalisht në vota. 

Shikojeni rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mund të jetë interpretim i gabuar, nuk jam ekspert i fushës. Por, pse Albini e duartrokiti një vendim që shkarkoi nga detyra Qeverinë dhe i njëjti nuk pranon të njëjtin vendimin për moskandidimin e deputeteve të dënuar nga Gjykata. 

Si ka mundësi se Gjykata qenka e kapur vetëm në rastet kur nuk i konvenon Vetëvendosjes?! Pse nuk paska qenë e kapur nga Shteti (Qeveria) kur e shkarkojë Qeverinë Hoti, kur e shkarkoi presidentin Pacolli etj.?!

Edhe këtë çështje po e shfrytëzon në maksimum për t’u paraqitur një viktime e radhës. E vërtetë se në lista të partive ka të dënuar për vepra të ndryshme, që dikush i cilëson si më shumë kriminale dhe më pak kriminale. Mirëpo vendimi thotë qartë se nuk mund të garojë, pse tenton të garojë? Pse nuk ndjek rrugën ligjore nëse paska shkelje? Ndoshta ka shkelje dhe fiton. Së paku le ta provojë para se të sulmojë institucionet. 

Le të na bindë se ky njeri do shtet ligjor. Nëse nuk i lejohet sipas këtij vendimi, le të presë deri në skadimin e kohës 3 vjeçare (që duket se është në shtatorin e ardhshëm) dhe të tregojë një shembull të mirë, të një lideri që respekton ligjet dhe institucionet?! Pse cila është tjetra zgjidhje nëse nuk lejohet? A duhet të luftojmë me armë?

Si ka mundësi që dikush që sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit thotë se e ka parim kryesor në qeverisje, dhe të mos i pranojë vendimet e institucioneve shtetërore?! Nuk janë institucione të pushtuesve këto.
Nuk ndjek rrugën ligjore. Bën show… E bën vetëm për t’u viktimizuar para militantëve.
“Shikoni o qytetarë, këta nuk duan të më lënë mua të bëhem kryeministër! Kanë frikë nga unë!
Shteti i kapur!
KREJT dhe DREJT o popull!
O popull…!” 

Edhe hedhja e gazit në Kuvend ishte “kauzë” që e përdori për populizem, bashkë me AAK-në. Kjo e fundit e përkthei “kauzën” në pushtet, kurse Albini mbeti pa pushtet asaj radhe, sepse nuk mori vota të mjaftueshme edhe pse e “mbrojti” Çakorrin me gaz, në Kuvend, për të cilën vepër edhe u dënua. 

Nuk është hera parë që ka gabuar Albini. E keni parasysh edhe pozicionimin e Albinit në lidhje me gjitha momentet kyçe në për Republikën e Kosovës, sikurse Rambujenë, Shpallja e Pavarësisë të mbështetur nga aleatët tanë kryesor, ata që na mbështeten për çlirim. 

Çfarë do të ndodhte po ta refuzonim Rambujenë dhe Pavarësinë? A kishte të drejtë Albini dhe duhet t’i besojmë KREJT?
A e mendoni ndonjëherë se çfarë do të ndodhte po ta refuzonim Rambujenë në 1999 dhe Pavarësisë me mbështetje ndërkombëtare në 2007? 

A mendoni se Bashkësia ndërkombëtare do të na sanksiononte, braktiste si refuzues apo përkëdhelte?
Këto pyetje kanë një përgjigje. Sigurisht se me refuzim ne nuk do të fitonim ne. 

O krejt o hiç!
Krejt i merr kur je i zoti vet, e jo kur negocion dhe kërkon ndihmë nga aleatët dhe pastaj refuzon ata.
Një gjë të tillë (si Rambujenë dhe Planin e Ahtisarit-Pavarësinë) e refuzuan palestinezët në 1947. E refuzuan Planin e OKB-së (bashkësisë ndërkombëtarë) për krijimin e dy shteteve Izrael dhe Palestinë. E refuzuan atëherë dhe sot nuk kanë shtet. E refuzuan sepse kishin liderë si Albini, o KREJT o hiç! 

Edhe në zgjedhje, jo KREJT, jo. Nuk ka KREJT në demokraci. KREJT votonin njëjtë në kohën e xhaxhit Enver në Shqipëri. Në demokraci ka pluralizëm, ka disa parti. Ka qytetarë që mendojnë ndryheshe për të njëjtën çështje. Prandaj, jo KREJT jo!

A i mbani mend veprimet Vetëvendosjes ndaj përfaqësuesëve diplomatikë të vendeve aleate shumë të rëndësishme. Albini si “shpetimtar” i shtetit qe nuk e njeh dhe respekton (nuk i njeh ligjet dhe institucionet e saj), ka njerëz në listë që kanë djegur simbolet e shtetit. Simbolet mund të kërkojmë t’i ndryshojmë nëse nuk pajtohemi por jo t’i djegim nëse ato simbolizojnë shtetin tonë. Me ato simbole na njohin si shtet. Me atë simbol paraqitet sportistët tanë. 

Të mos harrojmë edhe faktin se Vetëvendosje ka marrë shumë nga mbetjet e partive tjera. I ka grumbulluar disa figura antikombëtare që publikisht sulmojnë figurat më të mëdha kombëtare (ketë e bëjnë për t’i ndarë shqiptarët e jo bashkuar). Me veti i ka marrë edhe ata që sulmojnë hapur aleatet tanë SHBA-në dhe BE-në. Me veti i ka marrë edhe ata që bëjnë thirrje për zhdukjen e Izraelin (tani i ka marrë në listë, në kohën kur duhet të vendosen marrëdhënie diplomatike me Izraelin). 

Albini e valëvitte flamurin për bashkim kombëtar, e i njëjti nuk përmendi si përpara po sa erdhi në pushtet. Edhe bashkimin kombëtar e shohin si loje për pushtet. Pazar për pushtet çdo gjë, antikombëtaret, antisemitistët, antistekderbeistët, homofobistët, KREJT pranohen sepse Albini do pushtet absolut. 

Gjatë 20 vjetëve kishte shumë gabime, por edhe përparim e shtetndërtim dhe të gjithë akterët kanë përgjegjësitë për gabimet dhe meritat për sukseset. Është fakt se ka korrupsion, nepotizëm papunësi, varfëri, degradim mjedisi, shëndetësi dhe arsim të dobët etj. dhe raportet e ndryshme tregojnë ketë. Por jo gjithçka duhet të përmbysët, e të mos respektohen ligjet dhe institucionet. Jo çdo gjë do të fillojë nga 14 shkurti. Jo KREJT jo! 

Historia njeh diktatorë dhe ekstremistë që për të ardhur në pushtet kanë premtuar luftën kundër padrejtësisë, krimit korrupsionit kanë premtuar lule.
Kujdes nga ai që e ka lakmi pushtetin absolut. Atë që do KREJT. Atë që bën çdo gjë për të ardhur në pushtet sepse bën çdo gjë për të mbajtur pushtetin. 

Kështu po t’i analizosh gjitha këto, Albini në qendër e ka Albinin, pushtetin e Albinit e jo Shtetin. Duket se nuk ka ndryshuar aspak. Nuk tregoi se di të negociojë, u bllokua, u izolua dhe sanksionua nga administrata e SHBA-së. E përdori për t’u viktimizuar edhe atë. E “mbrojti” Kosovën nga thikat. U sakrifikua. U bë kurban. Kosova shpëtoi nga ndarja, falë Albinit. 

Duket se i do KREJT vet dhe nuk respekton asgjë të krijuar deri me tani. E sulmojnë KQZ-në, militantë “intelektualë” bëjnë thirrje se ka ardhur fundi, militantët huliganë kërkojnë t’i varin, t’i tërheqin zvarrë njerëzit. Një tjetër kërkon t’i ngul kryqin në ballë një gruaje në krye të KQZ-së. 

Për ketë jeni KREJT?
Nëse jo, distancoheni nga kërcënimet e huliganizmi!
Jo të korruptuarve dhe kriminelëve!
Jo ekstremistëve dhe të eturve për pushtet absolut!

Share: