Home Gjeo-Ekonomia Trumpizëm përball Sorosizëm!

Trumpizëm përball Sorosizëm!

Nga Brikena Bogdo

Përballja Tramp-Soros, pavarësisht se serviret me forma të reja, në thelb është e mbështetur mbi ideologji të vjetra; e majta e djathta, konservatorizëm-liberalizëm, progresizëm-regresizëm, globalizëm-sovranizëm.

Kur një ide shndërrohet në ideologji? Kur merr përmasa përtej personit që e hedh? Kur përdoret nga elitat politiko-ekonomike, apo ka impakt edhe shumë më gjerë në shtresa të mesme dhe më të ulta? Arrin Sorosi statusin e sorosizmit? Soros përveç shoqërisë së hapur, një lëvizje tepër e diskutueshme, përveç se bëri disa lojra në bursë dhe u bë nxitësi i disa revolucioneve portokalli apo të kuqe, nuk prodhoi, as mirëqenie, as paqe, as zhvillim. Globalizmi sorosian rezultoi, më se shumti, një lëvizje e strukturuar në mbështetje konkrete të lëvizjeve të majta. Globalizmi i nxitur nga ai, një formë e kamofluar e internacionalizmit proletar, përveç se ishte e nxitur artificialisht, jo një shkëmbim kulturash, ideshë, lëvizje e lire dhe e natyrshme, ishte një tendencë e rrezikshme për transformimin demografik, rracor, antropologjik të klasave, të vendeve europiane, por edhe më gjerë. Prandaj, do të mbetet utopi ashtu si Marksi, kur hodhi idenë e përhapjes së komunizmit, në të gjithë botën, duke e quajtur internacionalizmi proletar. Edhe Marksi kishte parasysh revolucionin proletar, në të gjitha vendet e botës, për të vendosur komunizmin njëkohësisht, globalisht, një shoqëri pa klasa në të gjithë rruzullin, një botë unike, pa të pasur dhe të varfër. Kjo u quajt utopi, sepse historia e ka treguar, të paktën deri tani, që vendet nëpër botë e kanë të pamundur të zhvillohen njëkohësisht, pasi janë multikulturë, multirracë, me zhvillime të ndryshmë ekonomike, ku klasat shoqërore kanë zhvillime të ndryshme në vende të ndryshme, me ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik. P.sh. shteti grek, klasën e mesme e ka 80% të shoqërisë, ndikuese e drejtpërdrejtë, në zhvillimin e ekonomik të vendit, në krahasim me një vend tjetër, ku përqindja e shtresës së mesme është  më e ulët.

Shoqëria e hapur e Soros, më së shumti, ka rezultuar një lëvizje për të vendosur figurën e tij në qendër të botës, themeli i diktaturave, dhe jo qytetarin, që është themeli i demokracisë. Përtej retorikave, lëvizjet e tij kanë qenë thjesht për pasurim  personal, apo lojra politike për të ndërhyrë politikisht, nëpër vende sidomos të brishta, demokratike të lindjes, për të devijuar politikën e tyre majtas, pa dhënë zhvillim, paqe, apo mirëqenie. Domethënë, thjesht një lojtar i politikave të vjetra me një petk të ri, për qëllime personale. Soros diskutohet që ka qenë financues i disa lëvizjeve të majta, si BLMatter, që kanë shkaktur trazira në vite, me tentativën e fortë për të depërtuar komunizmin edhe në Amerikë, pasi ky vend i qëndroi fort me “gjuetinë e shtrigave”, pas Luftës së Dytë Botërore, mos depërtimit të komunizmit.  Ka nxitur revolucionin portokalli, për të cilën e ka deklaruar vetë në CNN. Mbështetës i fuqishëm apo dhe ideues i politikave emigratore, që ka ngjallur mjaft reaksione, në shumë vende të Europës. Me gjithë dëshirën e tij, me këto qëndrime dhe veprime, ai mbetet jashtë listës së ideologëve, për të fituar statusin e sorosizmit, ose të paktën, askush deri më sot, nuk e ka përmendur këtë, paçka se për mendimin tim e ka tentuar (këtë fakt e kam përmendur në një nga shkrimet e mia).

Ndërsa trumpizmi po diskutohet, tashmë në të gjithë botën, si frymë e sapo filluar, me tendencë për të vazhduar gjatë. Pse u sulmua, diskutua kaq shumë dhe pse fitoi statusin e trumpizmit përgjatë presidencës Trump? Pse u bë përpjekja nga demokratët që të digjej figura e Trump, përfundimisht, politikisht? Përse frika e një mandati të dytë të tij ishte e jashtëzakonshme, nga kundërshtarët politik? Trump, ndryshe nga paraardhësit e tij vuri në qendër të politikave të tij, qytetarët amerikanë, thelbi i damokracisë (demos- popull, cratio-pushtet) dhe zgjidhjen e problemeve të brendshme pa u përzier shumë në çështjet e jashtme, ndryshe nga paraardhësit, që kanë kontribuar për ta bërë botën më të pasigurtë, me plot tensione dhe përplasje, sidomos në Lindjen e Mesme. Trump bëri ndryshimin e megapolitikës botërore, pasi mënyra agresive e trajtimit të politikës së jashtme amerikane, solli një ndjenjë antiamerikane në vitet ‘80-;90, dhe forcimin e terrorizmit islamik që kulmoi me sulmin e 11 shtatorit, kur vdiqën rreth 3 mijë amerikanë. Trump eci diametralisht kundër, në kahun e një politike soft, që duket sikur e nxorri Amerikën në plan të dytë, në rrafshin ndërkombëtar, por në fakt, bëri një të mirë në rrafshin botëror, uli tensionet si dhe pakësoi episodet e rënda terroriste nëpër botë, duke i sjellë disa suksese në rrafshin e politikës së jashtme. Bëri që t’i ulej hunda diktatorit koreano verior Kim Jong Un, që paraqiste kërcënim bërthamor për të gjithe botën. Gjithashtu, Trump ishte ndërmjetës i marrëveshjes së paqes mes Izraelit dhe disa  vendeve të botës arabe.

Në politikat e brendshme uli taksat nga 35% ,në 21%, papunësinë e uli në minimum historik, sipas të dhënave të fundit të 2019-ës. Në tre mujorin e parë të 2020 arriti prodhimin e përgjithshëm bruto, në nivele të larta, që nuk ishin parë, që pas Luftës së Dytë Botërore.

Ajo që e diferencon Trump është, që ai nuk i përkiste politikës aktive të mirëfilltë, duke mos u cilësuar politikan, por populist. Cila është diferenca midis politikanit të karrierës politike dhe populistit? Politikanët e karrierësë janë politikisht korrekt dhe populistët janë politikisht jokorrekt? Sepse, po serviret gjithmonë e më shumë termi populist, me konotacion negativ. Në fakt, si gjenezë, që te dyja fjalët kanë të njëjtin kuptim, që do të thotë: politikan (në shërbim të qytetarëve), me rrënjën e fjalës polis (qytet), ndërsa populizëm, e lidhur me popullin d.m.th. në shërbim të tij. Por pyetja mundet të ngrihet ndryshe; Mos politikanët e karrierës janë shndërruar në elita politike, të shkëputura nga interesat e qytetarëve, që punojnë për interesat e tyre, duke humbur kuptimi i fjalës dhe qëllimi i veprimtarisë së tyre? Mos, elitës politike i pëlqen një individ, sa më i varfër për ta komanduar dhe drejtuar jetën e tij, ndërsa populistit i pëlqen një individ i fortë, zot i fatit të tij dhe prezent në vendimmarrje të rëndësishme? Të quash me konotacion negativ, si populist dikë, që punoi për qytetarin amerikan për mirëqenien e tij, ringriti sipërmarrësit amerikanë, rriti punësimin siç nuk ishte parë me dekada, bëri një reformë fiskale me ulje drastike taksash, dhe fuqizoi Ëall Street, reforma që sigurisht do të duhej të vazhdonin, këtu konceptet vendosen në një ngërç, por edhe të gjitha qëllimet e elitave politike komprometohen. Atëhere po të jetë kështu, përtej rrënjës së fjalës së njëjtë “politikan”, me “populist”, qëllimet janë krejt të ndryshme dhe ajo që është më e rëndësishme, efektet janë krejt të tjera. Nuk dua të them, që të gjithë ata që janë cilësuar populistë kanë arritur mirëqenie dhe zhvillim në vendet e tyre, por ishte Trump që megjithëse morri emërtimin e populistit, si negacion, bëri një hap në ekonomi, që sot po disktutohet fryma trumpizëm.

Politikat ekonomike të Trump fuqizuan shtresën e mesme, që është e lidhur drejtpërsëdrejti me fuqizimin e demokracisë,  me fuqinë e individit. Por më e rëndësishmja ishte që politika e tij dhe qasja ndaj individit, solli në kutitë e votimit individë që nuk ishin afruar prej vitesh, ose kurrë. Ai u bë zëdhënës i atyre që nuk përfaqësohen, duke sjellë një votim masiv, si pro, si kundër. Në një demokraci, është mëse normale dhe e shëndetshme të ketë qëndrime pro dhe kundër, sa më prezente dhe sa më pranë kutive të votimit. Kjo tregoi etjen e shoqërisë amerikane për t’u fuqizuar dhe përfaqësuar individualisht, sepse prej kohësh diskutohet që po tentohet ndryshimi antropologjik i shoqërisë amerikane. Një prej pyetjeve që rrjedh prej kësaj tentative është, sa real është rreziku që Trump hedh për depërtimin e komunizmit në Amerikë? Tentativa për ndryshimin antropologjik të shoqërisë amerikane ka filluar me ish presidentin Obama, që përkthehet në një individ sa më të dobët dhe shtet të fortë. Por, masiviteti i pjesmarrjes në zgjedhje  duke e çuar numrin e votuesve në Amerikë në 10 milion më shumë, se katër vjet më parë, në favor të Trump tregon që shoqëria amerikane është në reaksion dhe është pro këtij fuqizimi të individit. Amerika ka kohë që zien një paqetësi që po kërkon të shpërthejë prej kohësh, dhe kjo u duk më faktin që të dy kampet rritën numrin e votuesve. Konfrontimet si të tipit të sulmit të Capitol Hill është një çështje që i takon gjykatës, dhe fatmirësisht Amerika ka një sistem shumë të fortë drejtësie, që do e vendosë drejtësinë në vend.

Deri më sot, të gjitha politikat janë bërë, që të zbehet roli i individit, të varfërohet shtresa e mesme, me një botë sa më të varfër dhe me të pasur ekstrem, sa më pak, pra me ekstreme klasore, deri në zhdukjen e klasave, pra ëndrra e Marksit, por me një ndryshim esencial që do jetë një grusht njerëzish, ekstremisht të pasur, që do të komandojnë botën. Jo më kot përmenda pak më lart Greqinë ,vend që ka hedhur themelet e demokracisë, që ka një shtresë të mesmë prej 80%, që nuk varfërohet kurrë dhe ruan fort standartet demokratike, me individë të fortë, tejet të ndërgjegjsuar dhe tejet agresiv për çdo shkelje të demokracisë dhe të drejtave të tyre. Qytetari grek djeg Athinën për padrejtësinë më të vogël dhe askush nuk flet për autoritarizëm, në atë vend të vogël, por me demokraci të madhe.

Trump e njeh shumë mirë forcën e pavarësisë së individit, pasi vet forcën e tij e mbështeti tek pavarësia ekonomike dhe politike, jo sepse njerëzit e pasur janë politikanë të mirë domosdoshmërisht, por në rastin konkret, pasuria i mundësoi të ruante autonominë e tij në vendimmarrje edhe në traste të nxehta. Trump është pikërisht shprehja e Rusoit, në librin e tij “Rrëfimi”, në vitin 1782, ku thotë-“Paraja që zoterohet është instrument lirie, ndërsa paraja që synohet është instrument skllavërimi”. Trump e tregoi që ishte njeri i lirë, pavarësisht limiteve dhe gabimeve njerëzore.

Kjo është arsyeja përse Trump po fiton statusin e trumpizmit, luks që nuk po e arrin Soros. Një individ e fiton këtë status, kur bën veprime në zhvillim dhe për zhvillim. Ai eci në katër vjet dhe në fjalimin e tij të fundit tha: “Sapo kemi nisur rrugëtimin tonë”dhe “do të kthehem së shpejti në politikë”. Ajo që bëri Trump, përgjatë presidencës së tij katër vjeçare ishte që iu tregoi elitave politike, që bëhet ajo çka premtohet, qënka e realizueshme ëndrra për demokraci dhe vendosjen e qytetarit, në qendër të politikës, pavarësia dhe liria e tij, mirëqenia dhe paqja, kudo nëpër botë. Megjithese, elitës politike kjo nuk i pëlqeu, përsëri ky fakt nuk e zbehu shkëlqimin e Trump, mbase e bëri atë edhe më të fortë.

Share: