Federata Mjekësore Shqiptare e Europës, e përbërë thuajse nga 3000 mjekë profesionistë i ka dërguar një letë zyrtare presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, në djeni gjithashtu edhe të Ambasadorit të Bashkimit Europian Luigi Soreca.
Në letrën e tyre të hapur për Komisionin Europian, Federata Mjekësore Shqiptare e Europës i kërkon zonjës Von der Leyen të rishikojë qëndrimin e BE-së për dozat e vaksinave kundër COVID-19 të cilat duhet të shpërndahen në vendet e Ballkanit Perëndimor, si Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi.
“Si qytetarë të BE-së, ne kërkojmë që ju si përfaqësuesit tanë të rishikoni pozicionin tuaj dhe të ndihmoni vendet e origjinës sonë për të siguruar dozat minimale të vaksinave kundër Covid- 19. Çështja e Pandemisë në BE nuk do të zgjidhet nëse vendet përreth dhe ato brenda saj do të vazhdojnë të jenë burime të infeksionit dhe përhapjes së tij.”– thuhet në letrën zyrtare.
Ndër të tjera theksohet se Shqipëria por edhe vendet e tjera të rajonit kanë vështirësi në sigurimin e vaksinës, duke nisur këtu që nga mënyra e funksionimit të tregut, por gjithashtu edhe konkurrenca në të cilën tashmë janë futur vendet për të siguruar vaksinën dhe luftuar COVID-19.
“Rajoni shqiptar, për arsye të shumta, ka vështirësi në sigurimin e vaksinës, duke përmendur mënyrën e ndërlikuar të funksionimit të tregut dhe rritjen e interesit për marrjen e vaksinës nga vendet e tjera. Numri aktual i vaksinave që arrijnë në Shqipëri është shumë i ulët dhe i pamjaftueshënm, sa për të sjellë një rezultat pozitiv në luftën kundër Covid 19 dhe për të siguruar mbrojtja e popullatës.”– citohet më tej në letrë.
Sipas letrës së nisur nga Federata Mjekësore Shqipëtare e Europës theksohet gjithashtu se lufta kundër koronavirusit nuk do të zgjidhet duke vaksinuar popullsinë e shteteve të Bashkimit Europian, teksa vendet përreth vijojnë të jenë burim infeksioni.
“Çështja e sigurimit të vaksinave është bërë një problem politik dhe ne tashmë mund ta shohim atë në shfaqjen e një tregu të pakontrolluar privat, me vendet më të zhvilluara që luftojnë për t’u siguruar nivelet maksimale të furnizimit dhe BE që dëshiron të sigurojë vaksinën për të gjithë qytetarët e saj.
Sidoqoftë, kjo nuk adreson situatën në vendet fqinje të Evropës që nuk janë anëtare të BE-së, prandaj ne vijmë tek ju si shqiptarë dhe qytetarë të BE-së, si profesionistë mjekësorë dhe si ekspertë në fushën mjekësore dhe kërkojmë me mirësi të luani rolin tuaj duke ndihmuar në sigurimin e dozave të nevojshme të vaksinave për këto vende të rrezikuara, të cilat kërkojnë nga BE-ja një model moderne dhe qasje progresive me solidaritet ndaj fqinjëve të saj të afërt.”– thuhet gjithashtu në letër.
Letra e drejtuar Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen është hap i ndërrmar në kuadër të fushatës për sigurimin e vaksinë në territoret shqipfolëse, ku bëjnë pjesë mjekë të njohur jo vetëm në vendet e BE por edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.