Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për mediat, nga stadiumi “Air Albania”, deklaroi se vijon vaksinimi për ata që kanë marrë dozën e parë deri tani. Ajo shtoi se pas mjekëve, do të vaksinohen të moshuarit.
“Do të vijojmë me procesin e vaksinimit. Fushata e vaksinimit vazhdon. Pritet që në javën në vijim të kemi 10 mijë doza dhe më pas 30 mijë doza. Fushata e vaksinimit është më e rëndësishme dhe është për t’u ndjekur dhe për të vijuar me vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve. Me ardhjen e dozave të tjera do të vijojë aksinimi për të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve. Do të jetë një proces i kombinuar. Vijon vaksinimi për ata që kanë marrë dozën e parë dhe për ata që kanë nevojë dhe janë në vijën e parë. Kemi vijuar punën për të bërë gati bazën logjistike. Kemi trajnuar vaksinatorët që do të ndjekin fushatën e vaksinimit në Shkodër dhe Vlorë”tha Manastirliu.
E pyetur nga gazetarët se a do të marrë dozën e dytë mjeku Pëllumb Pipero i cili aktualisht rezulton të jetë i infektuar me COVID, Manastirliu u përgjigj:“ Pipero është mirë. Është duke kaluar ditët e COVID dhe do kemi besoj shumë shpejt lajme nga mjekët që e ndjekin që deri tani më informojnë se gjendja e tij është e mirë. Për marrjen e dozës së dytë do të vendosin mjekët dhe infermierët. Vaksinimi përfshin të gjithë popullatën. Ne jemi të përgatitur. Kemi tre skenarë që i kemi bërë të ditur. Skenari i parë është ai i 14 muajve. Skenari i dytë është 18 muaj. Skenari i tretë është 24 muaj. Ne jemi të përgatitur të vazhdojmë me skenarin e parë, tha ajo./Opinion.al