Home KRYESORE “A pret kupon Rama për pikturat që shet?”, Denaj shmang pyetjen e...

“A pret kupon Rama për pikturat që shet?”, Denaj shmang pyetjen e deputetit …

Ka nisur interpelanca në Kuvend me ministren Anila Denaj, e kërkuar nga ana e deputetit Artur Roshi, që ka në fokus përballimin e pasojave të pandemisë së Covid 19 nga biznesi i vogël. Sipas Denajt, pavarësisht situatës së pandemisë, vitin e kaluar pati një bilanc pozitiv sa i takon numrit të bizneseve, ku u shënuan 203 biznese më shumë se nga ato që ishin në vitin 2019.

Denaj tha se masat e ndërmarra nga ana e qeverisë kanë dhënë një efekt pozitiv te bizneset, ndërsa tha se formalizimi i ekonomisë është një nga plagët më të mëdha që ka trashëguar qeveria e Edi Ramës.

Por pavarësisht kohës që kishte në dispozicion, Denaj nuk iu përgjigj një prej pyetjeve më pikante të bëra nga Roshi, nëse kreu i qeverisë Edi Rama, pret kupon për pikturat që shet, dhe nëse paguan TVSH.

Roshi: E kam kërkuar këtë interpelancë, pasi sapo lamë pas një vit të vështirë për turizmin, që tregon rendimentin jo pozitiv të qeverisjes suaj. Zonja ministre doja t’iu bëja dy pyetje, a lëshon kryeministri Rama kupon për pikturat e tij, a paguan ai taksa në shtet, a ka një nipt. Po biznesi i makinetave nuk lëshon kupon tatimor për blerësit?

Do mbahesh mend si ministrja që ke favorizuar oligarkët, dhe që ke shkatërruar biznesin e shërbimeve. Mund të na e shpjegoni si do të rriten të ardhurat me heqjen e TVSH-së për jahtet?

A mendoni se me paratë që do të paguhen PPP-të do të bllokohen dhjetra investime të tjera? Sa biznese janë mbyllur për shkak të Covid 19. Ku e di qeveria sa do të fitojë biznesi në fund të ditës?

Denaj: Në fakt unë kam përgatitur kthimin e përgjigjeve për pyetjet tuaja, meqë e keni merak formalizimin e ekonimisë, mua më vjen mirë që ju të kërkoni kupon në çdo biznes ku shkoni. Ekonomia informale është një plagë e vjetër e Shqipërisë, pyetjet tuaja janë shumë të rëndësishme, por një pjese të tyre u keni kthyer përgjigje me aktet që keni votuar.

Mbyllja e bizneseve nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por ka ndodhur në të gjithë botën, por pavarësisht vështirësive, unë them dhe këmbëngul se ne ja dolëm në një vit të vështirë. Kemi akorduar në mënyrë të drejpërdrejtë paga, dhe janë marrë masa fiskale për të lehtësuar barrën e bizneseve.

Do ti mungojnë buxhetit të shtetit 50 milionë dollarë, por qeveria punon në anën e bizneseve. Ju theksoni në pyetjet tuaja që keni depozituar, kërkoni llogari në krahasim me shifrat e vitit të kaluar, ne kemi një situatë e cila shkon me një efekt neto pozitiv me 203 biznese.

Kjo nuk do të thotë që biznesi nuk e ka pasur të vështirë situatën, por kjo do të thotë që masat që ne kemi marrë kanë ndikuar pozitivisht, masat kanë dhënë efekt. Dua të theksoj që ne kemi marrë masa në parlament për tatim fitimin e biznesit të vogël, sikurse kemi bërë shtyrje për pagesat e bizneseve të caktuara, si fasoni, turzimi apo call center.

Numri më i madh i të papunëve është shënuar në muajin Prill, me 46 mijë persona që iu shtuan listës së të papunëve, shifrat janë kokëforte, në Dhjetor të 2020-tës, numri i të punësuarve është më i lartë se ai i të punësuarve në vitin 2019. Unë jam çdo ditë në takim me bizneset e vogla dhe ato të mëdha, të cilët nuk e kanë të lehtë, edhe për një arsye se ekonomia e Shqipërisë është e varur shumë nga ajo e Italisë dhe e Greqisë./360grade.al

Share: