Home KRYESORE Artet/ TAP financon 1.7 mln ‎€ , për restaurimin e Sallës së...

Artet/ TAP financon 1.7 mln ‎€ , për restaurimin e Sallës së Koncerteve

Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG do të financojë 1,7 milion Euro për restaurimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve në Tiranë (UAT).

TAP-i dhe Ministria e Kulturës e Shqipërisë nënshkruan sot në Universitetin e Arteve marrëveshjen e bashkëfinancimit për mbështetjen e projektit.

Rinovimi i sallës së koncerteve në UAT është një nga investimet më të mëdha sociale dhe mjedisore të TAP-it në Shqipëri, investim ky që i shtohet një liste të gjatë investimesh në arsim, infrastrukturë, kulturë dhe mjedis. Për më tepër, TAP-i ka financuar edhe studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit të detajuar inxhinierik për rinovimin e sallës së koncerteve, me një vlerë prej 150.000 Euro.

Projekti bën së bashku një sërë partnerësh, si Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe TAP, në cilësinë bashkëfinancuesve të projektit, Agjencinë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (CooperazioneItaliana), Atelier4 dhe Universitetin e Firences.

Punimet restauruese janë planifikuar të zgjasin 14 muaj dhe pritet të përfundohen brenda prillit të vitit 2022.

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, falënderoi TAP-in si një partner të besueshëm. “Restaurimi i sallës së koncerteve dukej si një ëndërr shumë e largët, ashtu si edhe rikonstruksioni i ambienteve të kësaj ndërtese historike, që reflektonte mjerimin e harresës, ndërsa sot është një nga shembujt më të mirë të ruajtjes së trashëgimisë dhe funksionalitetit.

Kjo marrëveshje e dytë që nënshkruajmë me TAP është konfirmimi i një pune gati dyvjeçare për hartimin e projektit, për t’i hapur udhë restaurimit të kësaj salle historike, ku kanë interpretuar artistë të mëdhenj, që kanë kaluar stafetën e artit nga brezi në brez. Dhe gjej rastin që t’i falenderoj përfaqësuesit e TAP që fondin e dedikuar ndaj shërbimeve sociale dhe kulturore e adresuan në këtë sallë, që në memorien e secilit prej nesh nuk është thjesht e vetëm një sallë koncertesh, por pjesë e trashëgimisë sonë monumentale, por edhe artistike e pedagogjike. Kjo sallë është dëshmitare e artit që është bërë në këto hapësira dhe ato bulëza lirie e demokracie që kanë lindur pikërisht këtu. Ka qenë një punë e gjatë, që të mund të ruhej çdo element trashëgimie dhe për të integruar në të teknologjinë më të fundit, që do ta shndërrojë këtë sallë në një ndër më të mirat në Shqipëri”, tha ministrja Margariti.

Malfor Nuri, Drejtor Vendi për TAP në Shqipëri, u shpreh: “TAP-i ka qenë gjithmonë i angazhuar në mbështetje të kulturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Përveç rehabilitimit të Muzeut Gjon Mili, ky është një investim tjetër kyç në arenën kulturore të vendit, duke qenë se salla e koncerteve në UAT është pikë referimi për artet performuese. Përgjatë viteve, këto ambiente mbresëlënëse kanë pritur një sërë aktivitetesh kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare, nga shfaqje teatrale në koncerte dhe ne shpresojmë që veprimtari të tilla të rikthehen përsëri në të ardhmen e afërt pas heqjes së kufizimeve. Salla e rinovuar e koncerteve në UAT do të sjellë përfitime jo vetëm për qytetarët e Tiranës, por edhe për të gjithë komunitetin kulturor shqiptar”.

Godina e UAT-së gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë II dhe si rrjedhojë mbrohet me ligj. Ajo është projektuar nga arkitekti italian GherardoBosio, është ndërtuar në vitin 1942 dhe konsiderohet si pikë referimi për arkitekturën shqiptare të periudhës së mes shekullit të 20-të. Duke marrë parasysh statusin e veçantë të godinës, rinovimi i saj kërkon kujdes dhe ekspertizë të veçantë teknike. Universiteti i Firences, i cili ka përvojë të konsiderueshme në restaurimin e godinave historike dhe objekteve të artit, ka kryer tashmë një studim lidhur me qasjen e konservimit dhe do të vijojë të monitorojë dhe të mbështesë zbatimin e këtij projekti.

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyral nga fusha gjigante e Shah Deniz në sektorin Azerbajxhanas të Detit Kaspik për në Evropë.Gazsjellësi me gjatësi përafërsisht 878 km lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë dhe Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.

TAP-i lehtëson furnizimet me gaz në vendet e Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të ardhshëm.Në veçanti, Bullgaria do të jetë e aftë të mbulojë 33% të kërkesës së vet për gaz përmes TAP-it pas përfundimit të Interkonektorit Greqi-Bullgari (IGB). Daljet e TAP-it në Greqi dhe Shqipëri se bashku me hyrjen e tij në tokë në Itali, sigurojnë mundësi të shumta për transportin e gazit nga Azerbajxhani në tregjet e mëtejshme të Evropës.

Si pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP-i është mjaft i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike dhe ekonomike për Evropën dhe është thelbësor për ofrimin e aksesit të besueshëm në një burim të ri të gazit natyror.TAP-i luan rol të rëndësishëm për rritjen e sigurisë së energjisë, në diversifikimin e furnizimit, si dhe për arritjen e objektivave të dekarbonizimit në Evropë.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Share: