Home Gjeo-Ekonomia BE kundër ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Çitaku: Hipokrizia ka emër

BE kundër ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Çitaku: Hipokrizia ka emër

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka reaguar pas deklaratës së Bashkimit Evropian për çështjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit si dhe paralajmërimit për hapjen e ambasadës në Jerusalem.

Çitaku, përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se Brukseli para se të japë leksione për Ambasadën në Jerusalem duhet të deklarohet pak për mungesën e misionit të Kosovës pranë BE-së.

“Hipokrizia ka emër. Kosova nuk ka Ambasadë në Madrid, Bratisllave, Athinë, Bukuresht, Nikozia. Qe besa, Kosova nuk ka Ambasadë as pranë BE. Kish qenë mirë Brukseli, para se të na japë leksione për Ambasadën në Jerusalem, të deklarohet pak për mungesën e misionit të Kosovës pranë BE. Pastaj, a nuk është BE “neutrale” karshi statusit të Kosovës a?! Nejse…Për viza nuk po foli ma mirë”, është shprehur Çitaku.

Më herët, Peter Stano nga BE ka thënë që qëndrimi i tyre është që ambasadat e vendeve të BE-së të vendosen në Tel Aviv.

Pozicioni i BE-së për vendosjen e ambasadave në Jerusalem është i qartë, pra në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1980, e cila u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e shteteve anëtare të BE-së si dhe delegacionin e BE-së në Izrael janë të vendosura në Tel Aviv”, tha ai mediat kosovare./ Opinion.al

Share: