Kryeministri Edi Rama është ftuar të konfirmojë para gjykatën, se të paktën në njërën prej shumë padive të hapura prej tij për shpifje, i është tronditur bota e tij e brendshme ne një masë prej 10 milion lekësh. Vendimi është marrë nga gjyqtari Dritan Caka i cili ka ftuar kryeministrin të paraqitet vetë në sallën e gjygjit për sqaruar këtë rrethanë.
Aktivistja, e cila përfaqësohet nga avokati Dorian Matlija, drejtues i qendrës Res Publica me mbështetjen e National Endowment for Democracy, u padit për shpifje nga avokatët e kryeministrit në fund të vitit 2018. Në padinë e ngritur, kryeministri argumenton se është cenuar dhe fyer rëndë nga deklaratat e bëra në emisionin televiziv “A Show” të transmetuar në televizionin “News 24”, nga aktivistja Arbana.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, avokati Matlija ka vënë re se padia nuk është nisur direkt nga Kryeministri, e as në bazë të një prokure të posacme për këtë rast, por thjesht në bazë të një prokure të përgjithshme, ku Kryeministri i ka lënë tagër avokates Enkelejda Muça (sot Avokate e Përgjithshme e Shtetit), që të hapë padi në emër të tij në çdo rast që avokates do i dukej e arsyeshme, sipas perceptimit të saj personal.
Për avokatin Matlija është e papranueshme që të nisë një proces gjyqësor për një dëm që bazohet vetëm mbi perceptimet e ngushta të vetë paditësit, ndërkohë që ky i fundit nuk ka shfaqur asnjë shenjë vullneti dhe që publikisht ka bërë të ditur se do hapë padi për shpifje vetëm në rastet ekstreme. Në këto kushte nuk mund të jetë një avokate që të vlerësojë faktin se u cenua apo jo Kryeministri dhe sa është vlera e këtij demi në psikën e tij, pa u shprehur vetë personalisht paditësi.
“Për nga natyra ky lloj dëmi, ka karakter subjektiv e për pasojë, është vetëm personi që ka pësuar këtë dëm që mund të vlerësojë se është dëmtuar apo jo nga thënie të gazetarëve, aktivistëve, apo politikanëve”- deklaroi në seancën e radhës të këtij procesi gjyqësor, avokati Matlija.
Për të sqaruar këtë rrethanë, mënyra e duhur është që kryeministri Edi Rama, të paraqitet personalisht për të konfirmuar vullnetin e shprehur indirekt nga avokatja e tij.
Gjykata e vlerësoi të drejtë këtë kërkesë dhe e ftoi Kryeministrin të paraqitet vetë personalisht në gjykatë, në seancën e radhës e cila ishte planifikuar të zhvillohej me 5 shkurt, por që nuk u zhvillua për shak të mungesës së gjytarit për arsye familjare.
Sevim Arbana nuk është personi vetëm që është paditur nga Edi Rama që kur ai mori postin e kryeministrit.
Në mars të vitit 2019 Edi Rama në rrjetin e tij social publikon lajmin e hapjes së 17 çështjeve gjyqësore me të paditur kundërshtarët e tij politik, gazetarë dhe personalitete të shoqërisë civile. Në vijim ai shton se janë edhe 44 të tjera në proces kryesisht të ngritura për shpifje dhe dëmshpërblim të dëmit jo pasuror nga thënie në abuzim dhe tejkalim të lirisë së shprehjes. Në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar 19 padi dhe shifrat nuk korespondojnë.
Mbetet e paqartë nëse Kryeministri ka inventarin e plotë të padive që avokatja ka hapur në emër të tij, në bazë të një prokure që ka trajtën e një license të pakufishme për të paditur këdo që avokates ia merr mendja se mund të cenojë dinjitetin e klientit të saj. Pikërisht këtë detaj gjykata e pa të arsyeshme që mund të sqarohet vetëm në se Kryeministri vjen vetë në gjykatë./ Res Publika