Nga Ismete Selmanaj Leba
Marr shkas për të shkruar dy fjalë pas një komenti të një djali të ri, 27-28 vjeç, i cili ka ardhur shumë i vogël në Itali. Shkruante se nuk arrinte të kuptonte pse intelektualët shqiptarë nuk kishin mundur ta përmbysnin më parë regjimin e Hoxhës, por vetëm pas 45 vitesh.
Sipas asaj që shkruante – nga ajo që kuptova këto informacione ia kishin dhënë prindërit- të gjithë intelektualët në kohën e diktaturës ishin bashkëpunëtorë të regjimit sepse në universitet shkonin vetëm ata që kishin biografi të mirë.
Rrjedhimisht, sipas tij, të kishe biografi të pastër do të thoshte të ishe i/e përkëdhelur e regjimit. Djaloshi akuzonte pothuajse të gjithë të diplomuarit në kohën e diktaturës dhe linte jashtë prindërit e tij dhe të gjithë ata që nuk kishin mundur të shkonin në universitet për shkak të biografisë.
Eshtë e pamundur të shpjegohet me një status në Facebook sesi ishte ndërtuar ingranazhi i sistemit diktatorial në Shqipëri, por që të akuzohet një brez i tërë intelektualësh vetëm sepse kishin mbaruar shkollën e lartë, është e papranueshme dhe e rrezikshme!
Dashje pa dashje krijohet një “luftë brezash” e ngjashme me luftën e klasave. Në fakultet kishim shokë e shoqe nga të gjitha grupet sociale: fëmijë punëtorësh, fshatarësh, intelektualësh, minoritarë…
Asnjë prej tyre nuk ishte bashkëpunëtor i regjimit fatkeq! Në të kundërt, ishim të gjithë viktima të atij sistemi! Ne që kishim biografi “të mirë” nuk ishim as më të mirë dhe as më të këqij sesa ata me ata me biografi “të keqe”…
Thjesht nuk na ra lapsi. Lapsi i mprehtë mund të të binte dhe të të vinte kryq edhe pasi të kishe mbaruar shkollën e lartë. Madje, regjimi pikërisht nga intelektualët ruhej dhe atyre ua kishte frikën.
Mos të harrojmë që ishin pikërisht intelektualët e ardhshëm, studentët të cilët kishin biografi të pastër që bënë të mundur përmbysjen e diktaturës.