Home KRYESORE Përse Tirana? Nga Blendi Fevziu

Përse Tirana? Nga Blendi Fevziu

Tirana ka vendosur gjithnjë cila është forca politike që do të qeverisë Shqipërinë. Përtej sondazheve, hamendjeve dhe kalkulimeve, ka një rregullsi që nuk është prishur kurrë në 30 vitet e fundit, dhe që rrëfen pikërisht këtë: Zgjedhjet vendosen në Tiranë. Kush fiton Tiranën, ka fituar praktikisht edhe gjithë Shqipërinë. Madje edhe shmangia e vetme nga kjo rregullsi e vërteton edhe më mirë atë vetë. Si një dëshmitar i të gjitha zgjedhjeve pluraliste shqiptare, po mundohem ta bëj këtë vëzhgim më të kuptueshëm për të gjithë.

Kush fiton Tiranën, fiton Shqipërinë, ka qenë aksioma e vetme e pacënuar e zgjedhjeve në Shqipëri. Ka vetëm një përjashtim, që në vend ta rrëzojë këtë aksiomë, e përforcon edhe më shumë atë. Për të qenë më i saktë po i marr ato një nga një.

Më 1992, PD fitoi të gjitha zonat e Tiranës, duke fituar njëherazi 2/3 e votave në të gjithë Shqipërinë.

Më 1996, me gjithë kontestimet, PD fitoi sërish të gjitha zonat në Tiranë duke fituar njëkohësisht gjithë Shqipërinë.

Më 1997, tashmë PS fitoi të gjitha zonat në Tiranë, duke fituar po ashtu 2/3 e votave në të gjithë Shqipërinë.

Më 2001, beteja për Tiranën qe më e balancuar. Ajo u nda në mos gaboj 6/5 për PS, e cila fitoi po ashtu zgjedhjet në gjithë Shqipërinë, por me një rezultat të kontestuar edhe ndërkombëtarisht.

Katër vjet më pas, më 2005, PD fitoi 8 me 3 në Tiranë, duke shënuar një fitore në të gjithë Shqipërinë.

Më 2009, me gjithë kontestimet e PS, PD ruajti avantazhin në Tiranë dhe doli forcë e parë si numër mandatesh në të gjithë Shqipërinë. Tirana reflektoi më shumë se kurrë edhe nivelin kombëtar të votave.

Më 2013, PS dhe LSI fituan Tiranën duke marrë po ashtu, gati në kufijtë e 3/5 edhe gjithë Shqipërinë.

Më 2017, avantazhi i PS u vërtetua. Ajo mori më shumë vota se PD dhe LSI bashkë në Tiranë, duke pasur po ashtu, më shumë vota se këto të dyja bashkë edhe në nivel kombëtar.

Siç thashë në fillim, rasti i vetëm që ndryshon nga aksioma, por që nuk e përgënjështron, por përkundrazi e vërteton atë, është ai i vitit 1991. Në zgjedhjet e para pluraliste PD fitoi të gjitha zonat e Tiranës që në raundin e parë. Ajo humbi në balotazh vetëm një, që u fitua me shumë vështirësi nga Kryeministri i kohës, Fatos Nano i PPSH – së. Por në nivel kombëtar, PPSH fitoi 2/3 e votave në gjithë Shqipërinë. Por fitorja e Shqipërisë, në kundërshtim me humbjen në Tiranë nuk e la atë të qeverisë. PPSH e mbajti pushtetin vetëm 54 ditë dhe u detyrua të dorëzohet dhe të krijojë një qeveri koalicioni, atë të Stabilitetit, që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. Kjo ishte hera e parë, por edhe vërtetimi më i sigurtë që pa Tiranën, nuk ka fitore të zgjedhjeve në të gjithë Shqipërinë. I vetmi rast kur kjo mund të funksiononte, do të ishte nëse Tirana ndahet barazim.

Beteja për Tiranën do të jetë padyshim beteja më e fortë e këtyre zgjedhjeve dhe të dyja forcat duket qartë që po investohen aty. Basha ka zgjedhur vetë të kandidojë në Tiranë, ndërkohë që PS po investohet edhe me Veliajn që është Kryetar i Bashkisë dhe jo protagonist direkt i këtyre zgjedhjeve.

Tirana është beteja ku përfshihen përfaqësues nga gjithë zonat e vendit, ajo që quhet elita shqiptare e njëherazi vendi ku është përqëndruar 80 % e biznesit shqiptar. Do apo nuk do, Tirana është dera kryesore, hapja e së cilës, mund ta çojë një forcë politike drejt dy godinave në bulevardin qëndror./Opinion.al

Share: