Home KRYESORE Shqiptarët midis politikës së hamburgerit dhe të sufllaqes

Shqiptarët midis politikës së hamburgerit dhe të sufllaqes

Nga Dr. Enriko Ceko

Hamburgeri është një ushqim is shpejtë, pa kombinim vlerash ushqimore dhe që nëse konsumohet për një kohë të gjatë, duke u bërë edhe si një farë stili jetese, kthehet në një produkt të dëmshëm për jetën e njeriut.
E njëjta gjë mund të thuhet pa asnjë dyshim edhe për sufllaqen. Edhe sufllaqia është një ushqim i shpejtë, shpesh i gatuar në çast, që nëse konsumohet shpesh mund të krijojë problem të shumta shëndetsore dhe jo vetëm.

Të dy këto produkte nuk kanë vlera ushqimore të përshtatshme për konsum për një kohë të gjatë dhe parë në këndvështrimin ekonomik, më shumë sjellin dëme se sa përfitime.

Edhe në aspektin social, konsumi i hamburgerëve dhe sufllaqeve largon individin nga familja dhe kthen pas shoqërinë dhe jëtën sociale, duke dëmtuar vlerat kryesore edhe padyshim edhe vlerat kulinarike të një kombi.

Por, duket se kohët e fundit këto dy produkte qënkan bërë simbole të fushatave politike të dy partive kryesore në Shqipëri.

Partia demokratike duket se ka mbërthyer fort imazhin e hamburgerit dhe po bën një fushatë të ngjashme me fushatat komerciale të firmave më të mëdha të prodhimit të hamburgerëve në botë, që e dinë fare mirë se ç’farë produkti kanë, ndërsa Partia Socialiste duket se e paska më shumë për shtat përdorimin e imazhit të sufllaqes, duke përdorur një fushatë frenetike tipike për produkte skarco.

Në fakt, hamburger dhe sufllaqia nuk është se ndryshojnë shumë. Të dyja bëhen me mish të grirë ose jo kau ose lope dhe në rastin më të mirë me mish derri ose pule të cilësisë së ulët. Që të dy këto produkte kanë në përbërje edhe qepë, domate, speca, majonezë, salcë kosi, e të tjera si këto dhe padyshim edhe nga një krodhe buke.

Nëse flasim konkretisht, të dy partitë, ajo demokratike dhe ajo socialiste çirren e bërtasin për taksën e sheshtë dhe atë progresive, por nëse e shikon në themel çështjen, si në rastin e taksës progresive, ashtu dhe në rastine taksës së sheshtë, fjalë bëhet vetëm për 250 – 300 milionë euro apo dollarë në vit.

Në fakt, politikanët e vërtetë dhe me sens ekonomik duhet të flasin me miliarda e jo me qindra mijëra e miliona, sepse bëhet fjalë për buxhetin e shtetit dhe është e pafalshme për një vend si Shqipëria, që është lehtësisht i krahasueshëm për nga territori, pasuritë natyrore e popullsia me vende të tjera shumë të pasura në botë, të ketë një buxhet që është sa gjysma e buxhetit për eksperimente të disa prej firmave mesatare në Evropë. Aq sa është aktualisht buxheti i shtetit i Shqipërisë shpenzon në vit Benz Mercedes vetëm për të përplasur në mur makinat për të provuar fortësinë. Aq sa është buxheti i shtetit i Shqipërisë nuk vlen për të blerë kapse aktesh për mbledhjet e Bashkimit Evropian.

E pra, kur klasa politike shqiptare merret me taksën e sheshtë dhe progresive me shumën 250 – 300 milionë euro a dollarë në vit, kuptphet se sa e varfër është kjo klasë politike në mentalitet dhe se sa të varfër janë në praktikë qytetarët e këtij vendi.

Partia demokratike deklaroi se do rrise pensionet pak më shumë se sa inflacioni dhe se po shqyrton mundësinë që të shtojë pensionet e të persektuarve politikë të regjimit të kaluar me 100 euro në muaj. Kjo deklaratë është një deklaratë e pa vlerë, sepse të shqyrtosh këtë mundësi duhet që të jesh në pushtet dhe në drejtim dhe nëse të del hesapi e bën realitet dhe nëse nuk del hesapi nuk e hap gojën fare, sepse në fund qytetarët do të kërkojnë llogari. Kjo deklaratë tregon kryekëput paaftësinë e atij që deklaron se do jetë kryeministër ende pa u bërë zgjedhjet, që është qesharake dhe e pavend. Është thjesht mendjemadhësi dhe asgjë më shumë.

Gjithashtu, kreu i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, i shquar së fundmi edhe për njohuritë e tij tepër specifike në shifra, statistika dhe informatikë, ka deklaruar se do e kthejë Shqipërinë në një HUB, pasi Shqipëria ka pozicion gjeografik shumë të mirë, është afër me Evropën dhe se ka porte detare në bregdet. Sa për të qeshur dhe sa për të qarë.

Për të qeshur sepse kthimi i një vendi, rajoni, qyteti apo subjekti publik apo privat në një HUB nuk ka lidhje fare me pozitën gjeografike, afërsinë me vendet e pasura dhe me pasjen e porteve detare. Për të qarë sepse edhe nëse një drejtues ka ndër mend të bëjë deklarata të tilla, ku janë këshilltarët? Dhe nëse ai në fakt i bën këto deklarata, partia ku ky individ bën jetë politike, a ka mekanizma që të mos lejojë të ndodhin të tilla gjëra në të ardhmen? Duket që këto mekanizma mungojnë, sepse gafat e këtij individi që e mban vehten për politikan madhështor janë me frekuencën një në javë, pa ndërprerje.

Po kështu edhe Partia Socialiste. Deklarat e kreut të saj dhe të atyre që i vijnë nga pas në nivele të larta drejtimi, janë tipike anarkiste dhe kaotike.

Jo më largs e para dy ditësh kreu u kësaj partie deklaroi se është më mirë që qytetarët të marrin shërbime mjeksore në klinikat publike, ku mjekët të kenë mundësi të punojnë edhe jashtë orarit. Kjo deklaratë nuk ka lidhje aspak me ekonominë e tregut.

Gjithashtu, kreu i kësaj partie, që fushatën e kaluar dhe në vazhdim deklaron se do thellojë progresin që është arritur në sektorin privat, duke synuar që ata që janë pronarë biznesi të kenë fitim sa një rrogë e mirë në shtet dhe jo më shumë. Tipike deklaratë unifikimi njerëzish, që vetëm një individ me nivel të theksuar arrogance mund ta artikulojë.

Duke mos u marrë edhe më shumë me deklaratat e këtyre dy drejtuesve të partive kryesore politike në vend, që kanë shprehur hapur synimet e tyre për të qenë drejtues kryesorë të shtetit shqiptar, kur niveli i tyre i mendjemadhësisë, arrogancës dhe injorancës politike dhe ekonomike është në maksiumum, duket se këto deklarata ngjajnë midis tyre si dy pika uji. Ato janë thjesht njëra hamburger dhe tjetra sufllaqe, në një kohë kur qytetarët e Shqipërisë kërkojnë përmirësim real të cilësisë së jetës së tyre dhe të fëmijëve të tyre, kur ata kërkojnë program zhvillimor ku të garantohet e sotmja dhe e ardhmja evropiane e vendit dhe kur ata kërkojnë paqe, qetësi, siguri dhe ekonomi të fortë individuale dhe kombëtare, të cilat nuk mund t’ja sjellë politika e hamburgerit dhe e sufllaqes, por forcimi i ekonomisë, forcimi i diplomacisë dhe forcimi i ushtëise dhe shërbimeve sekrete.

Share: