Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i ka kërkuar autoriteteve spanjolle informacione për letër-porosinë në lidhje me rastin e Saimir Sulës.
Saimir Sula është i riu, i cili humbi jetën në rrethana misterioze në një spital në Barcelonë.
Kujtojmë se shqiptari humbi jetën më 9 maj të vitit të kaluar, pasi kishte shfaqur shenja COVID-19, ndërkohë që familjarët e tij denoncuan rastin në prokurori, pasi pretendojnë se atij i mungonte organi i zemrës.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj zhvilloi sot një takim online me ministrin spanjoll të Drejtësisë, ku u diskutua dhe çështja në fjalë.
Gjonaj i kërkoi homologut, Juan Carlos Campo Moreno ndjekjen me prioritet të ekzekutimit të kërkesës shqiptare për ndihmë juridike të dërguar nga Ministria e Drejtësisë më datë 09.02.2021 në lidhje me procedimin penal të filluar nga Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “Shitblerjes së paligjshme të organeve”, në kuadrin e hetimeve dhe verifikimeve që po kryhen lidhur me rezultatet e autopsisë së bërë.
Ministri i Drejtësisë i Spanjës garantoi për mbështetjen e tij në këtë kërkesë që lidhet me një ngjarje me ndjeshmëri të madhe humane dhe publike.
Ndërkohë, mësohet se po kryhen hetime lidhur me rezultatet e autopsisë së Sulës. Ka qenë motra e viktimës, Majlinda Sula ajo e cila ka ngritur pretendime për mjekim të gabuar në Barcelonë, ç’ka solli nisen e hetimeve në Tiranë.
Në dosjen e Prokurorisë së Tiranës, bëhej me dije se viktimës jo vetëm që nuk i ishte injektuar medikamenti që pretendonin mjekët në Barcelonë, por ai rezultonte të mos kishte as zemrën, çka ngre dyshime të forta se kemi të bëjmë me një rast të shit-blerjes së organeve/Opinion.al