Home KRYESORE Historia tragjike e njeriut që vuajti nga ‘hija’ e vëllait/ Pasi u...

Historia tragjike e njeriut që vuajti nga ‘hija’ e vëllait/ Pasi u përjashtua nga shkolla ushtarake në Bashkimin Sovjetik, u kthye në atdhe ku u dënua katër herë, më pas…

Publikohet historia e panjohur e Sarandi Lula me origjinë nga fshati Shalës i Kolonjës, vëllai i të cilit, Anastasi, ish-Kryetar i Grupit Komunist të të Rinjëve dhe pjestar i mbledhjes themeluese të partisë Komuniste Shqiptare më 8 nëntor ’41, me urdhër të Enver Hoxhës, u ekzekutua në vitin 1943 në Gllavë të Tepelenës, nga një njësit partizan i kryesuar nga Ramiz Aranitasi dhe Orhan Frashëri.

Angazhimi i Sarandit në Lëvizjen Antifashiste gjatë periudhës së Luftës, ku pasi morri pjesë në njësitet guerile të qytetit të Korçës, ai doli vullnetar duke u rradhitur në forcat partizane, fillimisht me Batalionin “Hakmarrje” që komandonte Petrit Dume dhe më pas në Brigadën e IX-të Sulmuese. Vajtja e Sarandit për studime në shkollat ushtarake të Bashkimit Sovjetik, nga ku pas disa kohësh ai kërkoi të largohej dhe u kthye në atdhe, ku u dënua katër herë më burg politik, duke ndërruar jetë në Spitalin e Burgut të Tiranë në majin e vitit 1986

“Për disa vite rresht, i pandehuri Sarandi Lula, ka agjituar dhe ka propaganduar kundër pushtetit popullor, duke thënë se: ‘në këtë pushtet nuk rrohet, ku punëtori punon shumë e merr shumë pak, 30 lek në ditë. Gabimet që janë bërë në partinë hungareze, janë bërë edhe në partinë tonë’. Ka folur për shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore, e cila do të përfundojë, në favor të anglo-amerikanëve, sepse kampi Kapitalist, është më i fortë se kampi Socialist.

Traktain e Varshavës e ka paraqitur si traktat lufte dhe jo paqeje. Politikën paqësore të Bashkimit Sovjetik, e ka paraqitur si politikë luftë-paqeje. Ka pritur ndryshimet e situatës në vendin tonë nga një ndërhyrje e jashtme”. Kështu thuhej në mes të tjerash në akt-akuzën ndaj të pandehurit, Sarandi Lula, të formuluar nga hetuesi Llambi Jegeni dhe të miratuar nga aprovuar nga zv/drejtori i Punëve të Brendshme të Qarkut, Muço Saliu, në gushtin e vitit 1957. Ky ishte dënimi I dytë i Sarandit, pasi ai u dënua dhe ridënua edhe dy herë të tjera, duke vuajtur në galeritë e tmerrshme të Spaçit, nga ku dhe u sëmur në mushkri dhe ndërroi jetë në Spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1986. Për më shumë rreth historisë së jetës së tij, do njihemi në këtë shkrim që Memorie.al e ka përgatitur në bazë të dëshmive të vëllait të tij, Dhimitarq (Taqo), Lulo, me profesion mësues, dhe pas viteve ’90-të, ish-kryetar i partisë Demokratike të rrethit të Kolonjës.

Kush ishte Sarandi Lulo?

Sarandi Lulu lindi në katundin Shalës të Kolonjës në vitin 1925, dhe ai ishte fëmija i pestë, i Refail Lulos dhe kishte afro dhjetë vite diferencë me të vëllanë e tij të madh, Anastasin. Pasi mbaroi shkollën fillore në Ersekë, ai erdhi në Tiranë dhe ndoqi Shkollën Teknike Amerikane të Fultz-it, por pas fillimit të luftës Italo – greke në vitin 1940, ai u detyrua ta ndërpriste atë dhe u kthye në Korçë për t’i vazhduar atje mësimet në Liceun e qytetit. Në tetor të vitit 1942, i ndikuar dhe nga vëllai i tij Anastasi, që ishte larguar nga Korça për në Tiranë dhe ishte një ndër eksponentët e parë të lëvizjes komuniste (Kryetar i Grupit Komunist të të Rinjëve), Sarandi  doli vullnetar në rradhët partizane në çetën e Ersekës. Pak muaj pas formimit të Partisë Komuniste, ai u pranua si anëtar i saj dhe bënte pjesë në celulën komuniste të lagjes “Lumi” të qytetit të Korçës. Në majin e vitit 1943, Sarandi, përjashtohet nga rradhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për arsye se disa muaj më pare, një njësit partizan i çetës ku ishte komisar Ramiz Aranitasi, (i drejtuar nga Orhan Frashëri), sipas urdhërit të dhënë personalisht nga Enver Hoxha, ekzekutoi me pushkatim në Gllavë të Tepelenës, vëllain e tij Anastasin.

Dy muaj më vonë, në qershor të atij viti, Sarandi, pranohet përsëri në rradhët e lëvizjes, me preteksin se lajmi për vrasjen e Anastasit nga partizanët, nuk ishte i vërtetë. Pas rikthimit në lëvizjen komuniste, ai caktohet dhe vepron në njësitin gueril të “Birra Korçës”. Në gushtin e vitit 1944, Sarandi u transferua në batalionin “Hakmarrja”, që e komandonte Petri Dume, duke e caktuar në fillim si përgjegjës rinie i atij njësiti partizan. Familja e Sarandit (gjithë familja Lula), në këtë kohë ishte shpërngulur nga Erseka në qytetin e Korçës, pasi shtëpia e tyre u dogj nga pushtuesit si bazë e partizanëve. Pas mbarimit të Luftës, në shkurtin e vitit 1946, Sarandi, kaloi me detyrën e përgjegjësit të rinisë së Brigadës së IX-të partizane ku shërbeu deri në qershor e po atij viti, kur u caktua për të vazhduar studimet e larta ushtarake, në Bashkimin Sovjetik.

Sarandi, student në Bashkimin Sovjetik

Më 13 qershor të vitit 1946, Sarandi, bashkë me disa shokë të tjerë, ish-partizanë, të imbarkuar me një anije të vjetër ruse, udhëtuan drejt Bashkimit Sovjetik, për të vazhduar atje studimet në shkollat ushtarake, për oficer. Më 7 korrik, ai mbërriti në Lager Nikolayevski dhe pas një muaj e gjysëm shkollë, transferohet për në qytetin Simferopol të Krimesë dhe në shkurtin e vitit 1947, ai u transferua në shkollën ushtarake të Odesës. Që kur ishin në Saratov, Sarandi dhe shokët e tij kadet të së njëjtës kompani, shprehën pakënaqësitë e para nga trajtimi jo i mirë që u bëhej nga autoritetet e shkollës, si në normën ushqimore, veshmbathje e të drejtat e tjera që gëzonin oficerët e tjerë, rusë e jugosllav.

Nisur nga klima shumë e ashpër me temperatura që në më të shumtën e kohë rrinin nën zero, shumë nga studentët shqiptar, përfunduan në spitale dhe një ndër ta ishte edhe Sarandi, i cili gjatë kohës që ishte në qytetin e Sinterpull u sëmur me një ftohje të rëndë që i çfaqi edhe dobësi në zemër. Duke parë kushtet e rënda në të cilën ata ndodheshin, Sarandi, bisedo me shokët e tij, si: Petro Lubonjën, Agim Zajmin, Pilo Vorfin e Avni Protopapa dhe ata protestuan në komandën e shkollës, duke mos pranuar të veshin uniformën me spaleta ruse, duke thënë se ata ishin ushtarakë shqiptar. Pas kësaj, Sarandi detyrohet dhe bëri një kërkesë, për ndërprerjen e studimeve, duke vënë si pretekst arsyen shëndetësore dhe priste përgjigjen e misionit ushtarak shqiptar në Moskë.

Incidenti i Sarandit me ushatarakët rusë dhe përjashtimi nga shkolla

Më 2 qershor të vitit 1947, Sarandi, bëhet protagonist i një incidenti me disa ushtarak rus, të cilët po rrihnin studentin shqiptar, nëntoger Pilo Varfin dhe donin ta çonin me forcë në dhomën e izolimit. Në këtë kohë, Sarandi e shoku u tij Avni Protopapa, ndërhynë për të zgjidhur me qetësi atë zënkë, duke i kërkuar togerit rus, Derzdov, zbatimin e rregullores për të cilën ai jo vetëm që nuk ndërhyri të zbatohej, por filloi ta godiste dhe vetë Pilo Varfin.

Atëhere në gjaknxehtësi e sipër, Sarandi, goditi tre-katër herë togerin Derzdov dhe në ndihmë të tij, erdhën menjëherë studentët, Guçe Stropani e Shaban Reçi. Ajo ngjarje në mes rusëve dhe shqiptarëve, bëri bujë të madhe në shkollë, aq sa e detyrojë komandantin e saj, gjeneral- major Pjerushinin, të vinte dhe t’u komunikonte masat e dënimit, të cilat ishin nga dhjetë deri në njëzet ditë burg, si për rusët, ashtu dhe për shqiptarët që u implikuan në atë ngjarje. Pasi u njoftua misioni ushtarak shqiptar në Moskë për atë ngjarje, aty në shkollë erdhi kolonel Gjin Marku, i cili u komunikoi Sarandi Lulos e dy shokëve të tij, Petro Lubonja e Pilo Varfi, përjashtimin nga shkolla.

Urdhëri i Enver Hoxhës për degradimin e Sarandi Lulos

Pas përjashtimit nga shkolla dhe kthimit në Shqipëri, Komandanti suprem i Forcave të Armatosura të Republikës Popullor të Shqipërisë, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, lëshoi një urdhër degradimi, ku thuhej: “Nëntoger Sarandi Lula, nëntoger Pilo Varfi, nëntoger Petro Marko Lubonja, të dërguar për studime ushtarake në shkollat e Bashkimit Sovjetik, tash në dispozicion të Drejtorisë së Personelit, degradohen dhe nxirren në lirim, si element të pavlefshëm të Ushtrisë sonë Kombëtare dhe i kalohen për proçedim Gjykatës së Lartë Ushtarake për ndjekje ligjore, pasi të ngarkuar në detyrë, për të studiuar në Shkollat Ushtarake të Bashkimit Sovjetik, kanë neglizhuar studimet, kanë thyer urdhërat e superiorëve, duke përhapur këtë frymë edhe tek shokët e tjerë të grupit, kanë mbajtur një qëndrim të ashpër me sovjetikët, me frymë përçarje, derisa kanë arritur të rrahin një instruktor sovjetik”.

Ndërkohë që ishte lëshuar ky urdhër nga Enver Hoxha, forcat e Sigurimit të Shtetit, një ditë më parë, kishin arrestuar të tre kursantët, sipas fletës së arrestit të lëshuar nga prokurori i Ushtrisë Kombëtare, kapiten i parë Nevzat Haznedari. Kështu më datën 16 shkurt të vitit 1947, Këshilli i Gjykatës së Lartë, i formuar prej kryetarit Niko Çeta e anëtarëve Nexhat Hyseni dhe Veledin Zeneli, në prezencën e Prokurorit Ushtarak, Nevzat Haznedari, filloi gjyqin ndaj tyre, duke i marrë ata si të pandehur dhe një ditë më pas, u dha vendimi, duke i shpallur ata fajtor dhe i dënoi me nga tre muaj burg secilin.

Gusht 1957, dënimi i dytë për Sarandin, me 5 vite burg

Pas daljes nga burgu i parë në shkurtin e vitit 1948, për afro dhjetë vite, Sarandi punoi nëpër fronte punë të ndryshme, si normist – llogaritar, duke u pushuar dhe u rikthyer disa herë në punë në rrethin e Kolonjës, deri më datën 28 gusht 1957, kur zv/ministri i Punëve të Brendshme, Mihallaq Ziçishti dhe zv/prokurori i Përgjithshëm, nënkolonel Vangjel Koçani, aprovuan vendimin e hetuesit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme, toger Spiro Thimo, për arrestimin e Sarandi Lulos dhe kontrollin fizik e shtëpisë së tij. Më 30 gusht të 1957-ës, hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Llambi Jegeni, aktakuzën që kishte formuluar për ta, e aprovoi tek zv/drejtori i Punëve të Brendshme të Qarkut, Muço Saliu, në të cilën thuhej: “Për disa vite rresht, i pandehuri Sarandi Lula, ka agjituar dhe ka propaganduar kundër pushtetit popullor, duke thënë se: ‘në këtë pushtet nuk rrohet, ku punëtori punon shumë e merr shumë pak, 30 lek në ditë. Gabimet që janë bërë në partinë hungareze, janë bërë edhe në partinë tonë’. Ka folur për shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore, e cila do të përfundojë, në favor të anglo-amerikanëve, sepse kampi Kapitalist, është më i fortë se kampi Socialist.

Traktain e Varshavës e ka paraqitur si traktat lufte dhe jo paqeje. Politikën paqësore të Bashkimit Sovjetik, e ka paraqitur si politikë luftë-paqeje. Ka pritur ndryshimet e situatës në vendin tonë nga një ndërhyrje e jashtme”. Pas gjashtë seancash hetimore, Sarandi, u detyrua dhe pranoi: “Jam ankuar se nuk rrohet me 80 lek në ditë. Më kanë lënë disa herë pa punë dhe organet e pushtetit, më shikojnë me sy të keq. Nuk kam qenë dakord për eksportin e vajit të ullirit e populli të përdorte vaj kikiriku”. Më 2 shtator të vitit 1957, para hetuesit Llambi Jegeni, Sarandi pohonte: “Unë nuk kam zhvilluar ndonjë aktivitet armiqësor me qëllim, pohoj se pakënaqësi kam pasur.

Në një takim që kam pasur me sekretarin e Komitetit të Partisë, Xhoke Prifti, ai më ka thënë: Kam urdhër nga lart për të pushuar, por ti nuk ke faj, sa të pushohesh”. Duke mos pasur shumë akuza bindëse për ta dënuar Sarandin “organet kompetente” kërkuan zgjatjen e hetimeve, me preteksin se: ‘nuk janë plotësuar dhe nuk janë vërtetuar plotësisht të dhënat e krimit të agjitacionit e propagandës’ dhe për këtë arsye, thirrën dëshmitar të tjerë si: N. Prifti, J. Bërdufi, Sh. Islami etj. Më 24 janar të vitit 1958, Kryetari i Gjykatës së Korçës, Ibrahim Xhuli, me dy anëtarët Kristo Trajani e Vani Mileci, filluan gjyqin për dënimin e Sarandi Lulos dhe gjatë seancave ata nuk morrën parasysh disa deklarata të dëshimtarëve të ndryshëm nga Kolonja, që dëshmuan në favor të Sarandit, duke thënë se:

“Nuk mund të konsiderohen si rrethana që ta shkarkojnë nga përgjegjësia për krimin e kryer, sepse ka raste kur armiqtë e pushtetit, për të kamufluar punën e tyre armiqësore, siç është i pandehuri, paraqiten të rregullt në punë”. Të nesërmen, ky trup gjykues dha vendimin, duke e dënuar Sarandin me pesë vite heqje lirie. Por Sarandi nuk e vuajti të gjithë dënimin, pasi më 25 mars të vitit 1959, ai lirohet nga burgu, pasi një falje që i’u bë, ku komandanti i Burgut (Reparti 303), nënkolonel Beqir Bahja, ndër të tjera shkruante: “Gjatë kohës në burg, ka pasur qëndrim të keq, duke përkrahur njerëzit e pa penduar dhe duke hedhur parrulla të ndryshme”.

Dënimi i tretë, me 10 vite burg, që i vuan në Spaç

Në fillimin e vitit 1975, pak kohë pasi ishte arrestuar i ashtuquajturi “Grupi puçist i Beqir Ballukt”, regjimi komunist lëshoi sinjalin për ‘rritjen e vigjilencës dhe shtrëngimin e rradhëve’ gjë e cila bëri të ashpërsohej lufta e klasave. Si rezultat, u piketuan njerëzit që do goditeshin, duke përcaktuar dhe qëndrimin që duhej mbajtur për “armiqtë e popullit”! Në këto kushte, Sarandi Lula, vihet në qendër të goditjes nga autoritetet e pushtetit lokal të Kolonjës, pasi ‘hija e vëllait’ të tij, të pushkatuar nga Enver Hoxha, atë e ndiqte kudo nga pas! Pas kësaj u dhanë direktivat përkatëse, ku thuhej: “Gjyqi duhet të zhvillohet në prani të ndërmarrjes komunale, ku ai bën pjesë. Për organizimin e gjykimit, duhet të merret takim me Drejtorin e Ndërmarrjes e Kryetarin e Bashkimeve Profesionale, të merret takim me sekretarin e Parë të Rrethit, për të nxjerrë personalitetin e të pandehurit, të thirret si dëshimtar: Kryetari i Bashkimeve Profesionale të Rrethit. Ky vendim të punohet si në qytet, ashtu dhe në disa fshatra si: Taç, Starje, Selenicë, Gostivisht e Leskovik”. Pasi u përgatit tërësisht skenari për arrestimin e Sarandi Lulos, me porosi nga lart, organet përkatëse të rrethit, organizuan dhe me forma presionesh nga më të ndryshmet, nxitën njerëzit, për të bërë denoncime kundër tij.

Dhe ata nuk munguan: Q. Tafa, A. Qose, M. Nazarko, R. Rupi dhe N. Dalipi, firmosin dëshmi në dëm të tij. Kështu më datën 26 maj të vitit 1975, hetuesi Luan Beba, vendosi arrestimin me aprovimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Dhori Panariti, dhe gjatë kontrollit të banesës, i’u gjet aty romani “Doni i qetë” dhe “Lahuta e Malsisë”. Më datën 28, dy ditë pas lëshimit të urdhër-arrestit nga ana e Prokurorisë, Sarandi Lulos, i vihen prangat dhe në qytetin e Ersekës, me datë 18 qershor 1975, u organizua hetimi popullor për demaskimin e tij në kolektivin e punës, ku ai kishte punuar në Ndërmarrjen Komunale. Për demaskimin e tij, u caktua një presidium, i cili përbëhej nga: Hodo Kodaj, Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, Thoma Stefa, sekretari i Organizatës Bazë të Partisë, Thoma Duro, drejtori i Ndërmarrjes Komunale, Thoma Joti dhe Stavri Birbo.

Mbledhjen e mbyll Hodo Hodaj, i cili theksoi “porositë e shokut Enver Hoxha, për thellimin e vigjilencës dhe luftën që kishin bërë armiqtë, Todi Lubonja, Fadil Paçrami, etj., e deri tek Lipe Nashi”. Në hetuesi, Sarandi Lula, i deklaroi shefit të hetuesisë, Bujar Iljazit, duke i thënë: “Të gjitha proçeset janë trillime ndaj meje, por se kush e ka trilluar këtë proçes ndaj meje, nuk e di. Unë e di se do të dënohem, se kështu më ka përplasur jeta. Unë jam dënuar dhe një herë për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, por dhe ajo e them me ndërgjegje, ka qenë e padrejtë.

Meqënëse ju keni forcën, veproni si të doni”. Sarandi, ballafaqohet në hetuesi me shtatë dëshmitarë dhe u’a hedh poshtë të gjitha dëshmitë e tyre, si të manipuluara. Më datën 9 shtator të vitit 1975, Gjykata e Kolonjës, nis proçesin gjyqësor në ngarkim të Sarandit, ku në përbërjen të saj, ishin J. Ligori Kryetare, J. Konini (Qazimi) anëtare, e Vladimir Cepa, Prokuror i seancës. Gjykata bëri me dije, se: ‘në masën e dënimit të tij, ajo kishte parasysh rrezikshmërinë shoqërore të theksuar të pandehurit dhe të veprimtarisë së tij kundër pushtetit popullor, pavarësisht, fuqisë mbrojtëse dhe bazës ekonomike socialiste, ka pasur qëllim minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor. I pandehuri është dënuar dhe një here, për krimin që akuzohet, pra është përsëritës specifik, për të njëjtin krim, kjo tregon rrezikshmërinë e tij të theksuar, ka parasysh dhe qëndrimin e tij mohues, para gjyqit ndaj tij, ka vend për të aplikuar maksimumin e dënimit. I pandehuri është i vëllai e tradhëtarit, Anastas Lula”.

Pas pretencës së dhënë, si përfundim, trupi gjykues vendosi masën e dënimit, me 10 vite burg për Sarandi Lulon. Pas këtij vendimi, ai i paraqiti një kërkesë ankimore Kryetarit të Gjykatës, ku i thoshte: “Shoku kryetar, në proçeset e mia hetimore, jam shprehur që jam arrestuar si person i deklaruar, si vëllai i Anastas Lulos, i urryer e i dyshimtë nga organet e diktaturës. Unë lyp nga ju vetëm drejtësi dhe jo mëshirë dhe ju lutem që mbi mua të bjerë pa mëshirë, shpata e drejtësisë, por kurrë të mos bjerë shpata e intrigës, e opinionit kundërpeshë e pafuqisë time. Ju lyp mëshirë vetëm për një gjë, për fat të zi, u martova në moshën 40-vjeçare dhe kam dy fëmijë të mitur, ju lutem hiqeni nga vendimi sekuestrimin e pjesës së pasurisë time, që ta kenë fëmija e të hanë bukë, se rroga e gruas nuk i kalon 350 lek në muaj”. Gjatë zhvillimit të gjyqit, prokurori në mënyrë arbitrare, e ndaloi Sarandin të mbrohej dhe në mënyrë demonstrative, i drejtohej atij duke i thënë: “S’ke çfar t’i thuash popullit ti, popullin e kemi sqaruar neve, se kush je ti”.

Dënimi i katërt në burgun e Spaçit, 20 vite

Në nëntor të vitit 1975, pasi dhe Gjykata e Lartë nuk mori parasysh apelimin e Sarandit për pafajësi, ai u dërgua të vuante dënimin në Repartin 303 (Burgu i Spaçit). Në atë kohë, Sarandi, ishte nën moshën 50-vjeçare dhe aty në atë kamp, ai ishte ndër më të vjetrit, si nga mosha, ashtu dhe nga përvoja e dënimeve, e vuajtjeve nëpër burgje. Në atë burg, ai u takua me miqtë e tij të vjetër, kolonjarët Napolon Koleci e Tomor Koleci, të cilët e njohin dhe me një grup tjetër të burgosurish, si: Xhelal Koprenca, Flamur Rusi e Pal Ndreca. Duke qenë një njeri i kulturuar dhe intelektual e njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, Sarandi diskutonte me miqtë e tij, rreth situatës politike në vend dhe atë ndërkombëtare. Kështu ai së bashku me Xhelel Koprencën, diskutonin mbi Konferencën e Sigurimit Europian, vizitën e Hua Kuo Fenit në Jugosllavi dhe prishjen e marrdhënieve ndërmjet Kinës e Shqipërisë.

“Tani kam mendimin se nuk mund të priten ndryshime të dukshme në Shqipëri”, ju thoshte Sarandi bashkëvuajtësve të tij, duke argumentuar: “Diktatura ishte tepër e fuqishme dhe frenat zotëroheshin mirë nga udhëheqja e saj, por prishja e marrdhënieve me Kinën, do të sjellë vështirësi të mëdha ekonomike dhe mbetja e Shqipërisë pa mbështetje ekonomike e politike nga vendet e tjera, do të sjellë rezultate pozitive për ne”. Një nga miqtë më të afërt të tij në atë burg, Bardhosh Gjonzeneli, kujtonte: “Kur u prishën marrdhëniet me Kinën, Sarandi tha: Tani këta kanë mbetur si qen të vetmuar dhe do t’ua shohim se sa u vlen lëkura”.

Por me datën 21 shkurt të vitit 1979, kur kishte vuajtur nga dënimi i tretë 3 vite e 10 muaj, arrestohet përsëri “në emër të popullit”, për të katërtën herë, por me një ndryshim nga herët e tjera, se kësaj rradhe, ishte i qethur dhe nuk kishte pasuri të tundshme apo të patundshme për t’iu sekuestruar si më parë. I lidhur me pranga, ai dërgohet në ‘Repartin 313’ në Tiranë, ku pas kontrollit të imët, i sekuestrohet një çakmak i bardhë prodhim austriak, një palë syze optike të përdorura shumë, e një rrip mesi prej lëkure, e cila ishte e gjithë pasuria e tij personale, që ai poseidonte në moshën 54-vjeçare.

Prokuror i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino miratoi arrestimin

Arrestimi i Sarandit u miratua nga Prokuror i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino dhe hetuesi Isa Halili, formalizoi akuzën: “Sarandi Lula, në bashkëpunim me persona të tjerë që vuajnë së bashku dënimin në Repartin 303 Spaç, kanë krijuar një organizatë antisocialiste me qëllim për të kryer krime kundër shtetit”. Bashkë me Sarandin, atë ditë ishin arrestuar dhe 11 persona të tjerë si: Xhelal Sami Koprenca, Irfan Xhevdet Vrioni, Bardhosh Bego Gjonzeneli, Eduart Llesh Marashi, Ernest Luigj Kraja, Gaspër Rrok Gaspëri, Napolon Meto Koleci, Florenc Ferik Rusi, Nuredin Vesel Sula, Pal Zef Ndreca e Thoma Jorgji Bejo, të cilët konsideroheshin si personat më të rrezikshëm për rregjimin, e sipas porosisë nga ‘lart’, ata duhet të ridënoheshin e të mos dilnin të gjallë nga ai burg. Për Sarandin tashmë të lodhur nga mosha e dënimet e gjata, filluan dhe njëherë vuajtjet, torturat e presionet e hetuesve, ku në një nga seancat hetimore, ai do t’i deklaronte hetuesit e tij, duke i thënë.

“Zoti hetues, mua më kanë akuzuar pa faj dhe më mbajnë në burg për të më zhdukur”. Hetuesi i përgjigjet: “Organet e hetuesisë kanë prova i pandehur, se ju keni zhvilluar aktivitet armiqësor kundra Pushtetit Popullor, në Repartin e Edukimit në Spaç, ç’keni për të na thënë i pandehur?” Akuzës së hetuesit të tij, Sarandi Lula, i përgjigjet: “Provat që disponohen nga ju, se unë kam zhvilluar agjitacion dhe se jam anëtar i një organizate të tillë, nuk qëndrojnë dhe kjo më duket njëlloj sikur ta merrnin djalin e ta bëni nuse”. Më 7 maj të vitit 1979, Sarandi Lula dhe 11 bashkëvuajtës të tjerë, dalin para trupit gjykues të Gjykatës së Lartë, të përbërë nga Sofokli Kongo, Kryetar dhe Met Rreli e Luftulla Ceka, anëtarë, të cilët komunikuan vendimin që ishte paracaktuar që më pare, me porosi nga lart.

Akuza ishte tepër e rëndë, pasi Sarandi Lula dhe shokët e tij, akuzoheshin se: ‘në repartin e edukimit në Spaç, kishin formuar dhe ishin pjesmarrës në një ‘Organizatë Nacionaliste’ të kryesuar prej Xhelal Koprenckës dhe kishin bërë agjitacion e propagandë kundër pushteti popullor, për përmbysjen e tij me dhunë’. Sarandi Lula, u dënua me 20 vite të tjera burg, përveç dënimit prej dhjetë vitesh që vazhdonte ta vuante. Kurse Xhelel Koprencka, si krijues i “Organizatës Nacionaliste”, u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua, kurse të gjithë pjestarët e tjerë, morën dënime të rënda, nga 12, deri në 25 vite burg.

Ndërroi jetë më 25 maj 1986, në Spitalin e Burgut

Pas dhënies së dënimit, Sarandi morri fjalën duke kujtuar jetën e tij, që kur ishte 16 vjeç dhe kishte rrokur pushkën për herë të parë duke dalë partizan, në emër të një ideali, të cilin gradualisht më vonë, e kishte kuptuar se kishte qenë i gënjeshtër, pasi ai duhej të vuante burgjeve, si viktimë e tij, vetëm pse ishte vëllai i Anastas Lulos, “armikut të asaj partie”. Dënimi i katërt prej 20 vitesh burg, Sarandi, “nuk pati mundësi” ta kryente, pasi u sëmur në Spaç dhe ndërroi jetë në “spitalin” burg të Tiranës, më 25 maj të vitit 1986. Këtë gjë, familjarët e tij: motrat, vëllai Dhimitraqi, bashkëshortja me dy vajzat, mundën ta mësojnë, falë dashamirësisë së Qerimit, punëtorit të varrezave të Tufinës, që ju hapi atyre arkivolin, në atë mbrëmje të errët të majit të vitit 1986, ku ata njohën njeriun e tyre./ Memorie.al

Share: