Home KRYESORE Ikën apo i largoi Rama, çfarë po zjen në PS?

Ikën apo i largoi Rama, çfarë po zjen në PS?

Nga Manjola Bregasi

Edhe pse në një sistem zgjedhor si ky që kemi aktualisht, ku përbërja e emrave nuk duket se do të jetë elementi i vetëm përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve, në mënyrë të padiskutueshme listat mbeten një nga elementët më të rëndësishëm të fushatës.

Pavarësisht faktit, se fituesin e mandatit më shumë se sa vlerat e tij (politike, akademike apo njerëzore) e përcakton renditja që kryetari do i bëjë në listë, sidoqoftë përbërja e këtyre listave mbetet jo thjesht një element kërshërie, por edhe një moment diskutimi. A do të jenë listat edhe një element përcaktimi për të marr votat e elektoratit gri? Dyshoj!

Sidoqoftë në këto zgjedhje kur fituesi mbetet shumë i vështirë për t’u parashikuar, përbërja e listave, sjellja e emrave të rinj dhe figurave të pastra (veçanërisht e rëndësishme në sytë e ndërkombëtarëve) pritet të jetë patjetër një qershizë e vogël mbi tortën elektorale.

Nëse PD e nisi që në fillim të verës punën për zgjedhjen e kandidatëve që nga baza, duke ngritur për këtë qëllim edhe një komision vlerësimi, socialistët u përgjigjën me platformën “Deputeti që duam”.

Por nëse në fillim u duk se në lista nuk do të kishte surpriza të mëdha, ato mbetën për orët e fundit.

Ndërsa në PD shfaqen më diskretë sa u takon emrave, të rinj a të vjetër qofshin, në PS situata duket se po zjen.

Pasi prezantoi disa nga emrat e rinj, finalistë në platformën “Deputeti që duam”, Rama nisi punën me të vjetrit.

Pas çdo të riu që dilte në skenë, largohej një i vjetër ose anasjelltas.

Në fillim Vasilika Hysi. Ndërsa e vlerësoi për kontributin e saj në reformën në drejtësi, Kryetari i Partisë Socialiste se znj. Hysi kishte vendosur të largohej.

“Vasilika më ka bërë me dije se ka vendosur t’ju hapë rrugën kalamajve”, tha Rama duke i lënë megjithatë vend dyshimit, nëse ky ishte vendim i zonjës Hysi.

Dhe vetëm një ditë më pas, vetë kryetari i socialistëve lançoi një hyrje të re në lista. Një emër i njohur publikisht, por i paangazhuar politikisht, shefja e infektivit Najada Çcomo u pa nga shumë njerëz si një gjetje populiste e Ramës.

Në fakt e njëjta frymë u përforcua një ditë më pas, kur Rama prezantoi si pjesë të listave edhe inxhinieren Luljeta Bozo një emër popullor për shqiptarët pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

Dhe pas saj një tjetër largim. Ish- kryetari i PS në Tiranë Besnik Baraj njoftoi tërheqjen nga kandidimi në po të njëjtën ditë.

“Nisur nga afrimet e reja në PS, e për t’u krijuar hapësira atyre kam vendosur të mos plotësoj formularin për kandidimin si deputet”, u shpreh Baraj duke lënë sërish dyshime, nëse ky ishte vërtet vendimi i tij, apo një vendim i kryetarit, të cilin Rama preferoi të mos e merrte si kosto politike për zgjedhje 25 Prillit. Mbase duke kujtuar se çfarë ndodhi 4 vjet më parë me të larguarit nga lista e PD, të paktën publikisht Rama ndoshta nuk deshi të krijojë të pakënaqur, ndërsa lista e të ikurve u shtua.

Sadi Vorpsi, mbase jo aq i spikatur në parti sa dy të parët, deklaroi gjithashtu tërheqjen.

“Pas 4 vitesh kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe 4 vitesh si deputet i Partisë Socialiste, kam vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë tek familja ime dhe në angazhime të tjera private”, shkroi Vorpsi duke njoftuar largimin e tij.

Duke mos dashur të flasim edhe për Reme Lalën, që më shumë se për fjalimet do të kujtohet në kuvend për markat e këpucëve dhe çantave, duket se mes socialistëve diçka po zjen. Por sidoqoftë kryetari ja doli, që të paktën deri tani, gjithçka ta mbajë brenda mureve të tij.

Share: