Home KRYESORE JERUZALEM

JERUZALEM

Nga Gladiola JORBUS

Në Jeruzalem –
ditët shfaqen
nën dritëhije të mpakura.
Rrënoja kujtimesh pelegrine
endin librat e shenjtë
dhe mijëvjeçarët.

Retë dimërore lodrojnë
me harabelat ngjyrëhiri.
Ëndrrat dhe shpresat,
gjysmë të strukura brerojnë
nën kupolën e qiellit.

Muri i lotëve – djepi shpirtëror
i litanisë njerëzore.
Lumenj lotësh rrjedhin
si damarë gjaku.
Kujtesa krenare
që valëvitet ndër breza.
Heshtja e krijimit.
Dhembja e shoah-s
që pezull jeton
me frymën e Zotit.

Në Jeruzalem –
era pëshpërit vargje
për jetët e flijuara.
Dhe shekujt luajnë
kukafshehti me emrat –
Jeruzalem, al-Kuds i shenjtë, Shalem.

Share: