Home KRYESORE Mali i Zi dorëzon 23-vjeçarin, dyshohet se ekzekutoi Behar Sofinë në qendër...

Mali i Zi dorëzon 23-vjeçarin, dyshohet se ekzekutoi Behar Sofinë në qendër të Tiranës

Sipas burimeve ekskluzive të gazetares Anila Hoxha, një 23-vjeçar i arrestuar në Mal të Zi, ju dorëzua autoriteteve shqiptare sot në mesditë.

Burimet ekskluzive thonë se i riu dyshohet të jetë autor i ngjarjes të rëndë të ndodhur në qendër të Tiranës, pak javë më parë.

Burimet gazetares Anila Hoxha, pranë policisë Malazeze tregojnë ekskluzivisht se 23 vjeçari ju dorëzua Shqipërisë, si i dyshuar për vrasjen e Behar Sofisë.

Por këto dyshime janë ende shumë paraprake, pohoi një burim pranë Interpol, që preferoi të qëndrojë anonim.

Burime ekskluzive të gazetares Anila Hoxha bëjnë me dije se është shoqëruar në polici edhe vëllai i tij binjak.

23-vjeçari, thotë Anila Hoxha, është nga periferia e Tiranës por për arsye hetimore gazetarja Hoxha theksoi se duhet respektuar sekreti i madh i autoriteteve.

Si ndodhi ekzekutimi?

Burimet, tregojnë se viktima ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.

Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.

Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.

Kush është Behar Sofia?

Behar Sofia, rezulton të jetë një përkrahës i njërës prej partive politike në vend dhe me njohje të shumta në policinë e shtetit, duke qenë edhe një biznesmen i suksesshëm në Tiranë. Viktima rezulton me disa biznese në zonën pranë stadiumit Dinamo, por shpesh ka pasur konflikte dhe në biznese i kanë vendosur edhe eksploziv. Sofia, në vitin 1998 u arrestua në Turqi së bashku me trafikantin Abdulselam Turgut, pasi u kapën me rreth 30 kg heroinë. Mes te arrestuarve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua përsëri në 2019, për llogari të operacionit Volvo 4 dhe i dyshuar se është kreu i grupit të laboratorit të kokainës në Has. Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vendin tonë.

Ndërkohë një dëshmitar me inicialet S.K. që punonte me kohë të pjesshme si shofer i viktimës i tha grupit të hetimit, thonë burimet e Top Channel se “gjatë kohës qe ishte me Behar Sofinë ai i ka shprehur shqetësim për një debat përmes telefonit me një sipërmarrës , të cilin me emër nuk e njeh. Po viktima i ka thënë se sipërmarrësi i ka vonuar pagesat për një dyqan që gjendet tek Unaza e re afër Astirit.”

Por gjithashtu bëhet me dije për gazetaren Anila Hoxha se gjatë hetimeve është shoqëruar një person me inicialet M. Elezi, i cili është marrë në pyetje dhe më pas është lënë i lirë.

Ai kishte karakteristikat e një të dyshuari por ky version ra poshtë thonë burimet e gazetares Hoxha. Kjo pasi në dëshminë e tij ku ai tregon itenerarin e tij, thotë se: “Atë ditë dola nga shtëpia në orën nëntë , bleva cigare në një dyqan që blej gjithmonë, pas orës 8:39 isha tek lokal B. tek fresku dhe më pas mora autobusin dhe zbrita tek Pazari i ri. Aty tërhoqa ca lekë dhe u nisa me taksi tek Ushtari i panjohur. Sapo hipa në taksi më ndaloi policia dhe më kërkuan që të më shoqëronin se kishte ndodhur një plagosje.”

“Nuk kam kaluar në këtë rrugë dhe s’kam asnjë dijeni mbi ngjarjen”, mësohet se ka thënë më tej i riu.

Ndërkohë që dëshmitari okular A. P ka zbuluar detaje të rëndësishme dhe ka thënë se: Në muajin nëntor 2020 dola për herë të fundit nga burgu, unë vjedh ndonjë gjë, jam edhe përdorues i të gjitha llojrave të drogës . Atë dite dola nga shtëpia pasi u zura me të zotin e shtëpisë mora një torbë me rroba dhe dola. Dola pa ditur as vete ku do shkoja, shkova tek ura poshtë bulevardit për të fshehur torbën me rroba. Në këtë moment një person i vjetër, i veshur me të zeza me kapele , erdhi nga krahu i piramidës dhe befas ndaloi aty poshtë urës.
Aty mori një biçikletë që kishte lenë aty. Ky person ecte me hap të shpejtë. Ishte me xhup të zi dhe kapele të zezë, dhe seç bëri një veprim duke ulur kokën dhe me dorë a e hoqi maskën a e vuri, nuk arrita ta fiksoj këtë veprim.  Pasi mori biçikletën po me atë shpejtësi u ngjit në drejtim të bordurës anësore.

Ndërkohë që gazetarja Anila Hoxha ka zbardhur edhe dëshminë e personit që e pa për herë të fundit Behar Sofinë.

Ai është K. Gj kamarier, i cili thotë seBehar Sofia ishte ditën e hënë në kafe i shoqëruar nga një person i moshës 40 vjeç , i shëndoshë, rreth 170 cm . Me të qëndroi gjysmë ore ose një orë. Nuk e njoh këtë person por po ta shoh jam në gjendje ta njoh, pasi ka ardhur dhe më parë në lokal me këtë person.

Top Channel

Share: