Akoma sot e kësaj dite që nga viti 1978 kur mori rrugë vrullshëm strategjia e re politike, ekonomike e sociale e Kinës dhe në funksion të saj diplomacia, e cila filloi të aktivizohej me një dinamikë gjithnjë më vepruese në çdo nivel qoftë të dyanshëm apo shumëpalësh, në kuadrin e organizatave ndërkombëtare me OKB-në si bosht kryesor, vazhdojnë të thuren ‘enigma’ nga më të ndryshmet mbi rolin e ardhshëm të Kinës në çështjet botërore. “Çfarë roli do të luajë Kina tani pas hapjes ndaj botës” filloi të bëhej një ndër pyetjet insistuese në kancelaritë kryesore perëndimorë apo qarqe mediatike që merreshin me çështjet kineze më 1978 e në vijim. “A do të jetë pozitiv roli i saj në mbështetje të proceseve integruese dhe të një rendi harmonik botëror apo me zhvillimin e forcimin e saj ky vend do të shikonte ngushtësisht interesat e veta”? ishte nje pyetje tjetër. E në këtë tiradë hamendësimesh një gjë ka tërhequr vëmendjen: askush nuk vinte në dyshim, madje edhe në radhët e qarqeve me dashakeqe dhe cinike ndaj saj, se çfarë u fillua nga Kina katër dekada më parë do ta ngrinte atë në statusin e një prej fuqive më të mëdha botërore si në planin ekonomik ashtu edhe në atë politik dhe ushtarak me një autoritet të padiskutueshëm si ‘i barabartë në mes të barabartëve’ në arenën ndërkombëtare.
Por tani kur jemi në vitin 2021 ‘enigmës’ i është shtuar pyetja lidhur me vijën e sjelljes së Kinës në një botë pas kovidiane, kur kjo e fundit akoma po vuan pasojat e pandemisë si në humbje njerëzore ashtu edhe në aspektin politik, ekonomik e social.
Pikërisht duke mos lënë asnjëherë vakum e të panjohura Këshilltari i Shtetit dhe Ministër i Jashtëm Wang Yi më 7 mars 2021 në një konferencë shtypi në kuadrin e sesioneve vjetore të Kongresit të Popullit dhe të Konferencës Kombëtare Politike Konsultative, që u mbajtën në Pekin, i parashtroi opinionit të brendshëm publik dhe atij ndërkombëtar në hollësi platformën e ardhshme të politikës së jashtme të Kinës, të një vendi i vetmi në botë sipas të dhënave zyrtare, që ka mposhtur me sukses pandeminë më të rrezikshme në këto 100 vitet e fundit dhe me një ekonomi e projektuar të ketë një rritje prej më shumë se 6 përqind këtë vit.
Meqenëse pjesa më e madhe e shqetësimit dhe interesit botëror vazhdon të jetë pandemia dhe lufta kundër saj shefi i diplomacisë kineze deklaroi që në krye të herës se lufta kundër COVID-19 ka qënë në plan të parë në planin diplomatik gjatë vitit të kaluar. “Ne kemi bërë të pamundurën për të lehtësuar kundërpërgjigjen ndaj COVID-it brenda vendit dhe kemi qëndruar në krah të botës në luftën e përbashkët duke kryer operacionet më të mëdha të emergjencës humanitare që nga themelimi i Kinës së Re dhe duke dhënë kontributin e Kinës ndaj përgjigjes globale”, deklaroi Wang.
Ministri i Shëndetësisë i Serbisë është vaksinuar nga vakina kineze
Por me interes të madh është mirëpritur rikonfirmimi se në vijën e politikës së jashtme të saj rikonfirmohet solidariteti për çështjen e vaksinave anti-COVID dhe është kuptimplotë zotimi i Wang se vaksinat duhet t’i shërbejnë të gjithë botës dhe të përfitojë tërë njerëzimi.
Është me të vërtetë shpresëdhënëse për popujt çfarë tha konkretisht shefi i diplomacisë kineze: “Kina është fort besimplotë që vaksinat COVID të bëhen një produkt publik. Kina ka qënë ndër të parat të zotohet se vaksinat e saj, kur të jenë të disponueshme, do të bëhen një produkt global publik”.
Presidenti indonezian Joko është vaksinuar me vaksina kineze
Një bilanc i koncentruar do të fliste më shumë se mijëra faqe komente. Konkretisht Kina ka marrëveshje bashkëpunimi për kërkim dhe zhvillim si dhe prodhim në fushën e vaksinave me rreth 12 vende duke tërhequr më tepër se 100.000 vullnetarë të rreth 100 kombësive të ndryshme. 17 vaksina kineze kanë hyrë në provat klinike, dhe më tepër se 60 vende kanë autorizuar përdorimin e vaksinës kineze. Kina është pjesë e marrëveshjes globale COVAX dhe në këtë kuadër ka marrë përsipër të jap fillimisht 10 milionë doza për përdorim emergjence në vendet në zhvillim. Deri tani ajo ka dhuruar e po u dhuron vaksina COVID 68 vendeve në zhvillim që kanë nevoja urgjente dhe po i eksporton ato në 43 vende. Nga ana tjetër Pekini zyrtar i është përgjigjur thirrjes së OKB-së për të dhuruar vaksina për trupat paqeruajtëse nga vende të ndryshme kurse është gati të punojë me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për të dhënë vaksina për pjesëmarrësit në olimpiada.
Nëse ka fushë ku bujaria humanitare e Kinës po demonstrohet ndaj vendeve në zhvillim, veçanërisht atyre të varfëria, janë ndihmat kundër pandemisë me pajisje mjekësore dhe vaksina. Sipas të dhënave zyrtare rreth 120 kontingjente furnizimesh të ndihmës emergjente i janë dërguar Afrikës dhe ekipe ekspertësh mjekësor në 15 vende të këtij kontinenti. “Ne kemi filluar të furnizojmë me vaksina COVID 35 vende afrikane dhe Komisionin e Bashkimit Afrikan”, tha Wang.
Presidentit të përkohshëm të Perusë Francisco Sagasti që shfaqin certifikatën e tij të vaksinimit pasi ishin inokuluar nga vaksina kundër COVID-19 nga kompania kineze “Sinopharm”
Kina nuk i është imponuar ndonjë vendi që të marrë vaksinat e saj, nuk e ka konsideruar atë produkt biznesi. Dhe këtë e përforcoi ministri i jashtëm sipas të cilit nëse është vaksinë kineze apo jo ajo është një vaksinë e mirë përderisa është e sigurt dhe efektive. Kina kundërshton “nacionalizmin e vaksinës” si dhe çdo përpjekje për të politizuar çështjen e saj.
Meqenëse po flasim për pandeminë Wang zbuloi se një ngjarje historike do të ngjasë në prill të këtij viti që shënon një-vjetorin e heqjes së bllokimit në Wuhan të Provincës Hubei ku do të prezantohet një provincë e re Hubei e dalë më e fortë nga vështirësitë e pandemisë së mposhtur.
Në sytë e pjesës dërmuese të vendeve të botës por edhe të studjuesve të çëshjeve ndërkombëtare bota pas kovidiane do të jetë ndryshe. E në këtë frymë, ministri Wang theksoi se Kina do të ndjekë rrjedhën e historisë. “Në do të nxisim një lloj të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, të nxisim paqen, zhvillimin, barazinë, drejtësinë, demokracinë dhe lirinë si vlera të përbashkta të njerëzimit, dhe të punojmë me vendet e tjera për një komunitet me një të ardhme të përbashkët të njerëzimit”.
Në këtë kuadër tërheq vëmendjen fakti se në kushtet e reja të shkaktuara nga pandemia sipas Wang sa më tepër bota të jetë e destabilizuar, aq më e madhe është nevoja për të çuar përpara bashkëpunimin Kinë-Rusi. “Kina dhe Rusia duhet të jenë mbështetëse strategjike të njëra-tjetrës, dhe partner global”, tha ai, duke shtuar se kjo është një domosdoshmëri në kushtet e tanishme.
Duke analizuar me vëmendje dy qëndrime, atë të SHBA të shprehur në slloganin ‘Amerika është kthyer” si motiv i Presidentit aktual Joe Biden dhe qëndrimin konsekuent të vazhdimësisë së Kinës mbi multilateralizmin, duket qartë se Uashingtoni kërkon të ruajë hegjemoninë e vet duke iu imponuar të tjerëve. Madje edhe multilateralizmi i servivur nga administrate e re për krijimin e qarqeve të ngushta shtetesh bie ndesh me atë që aspiron mbarë komuniteti ndërkombëtar nën flamurin e OKB-se. Duket, sipas analistëve, se unilateralizmi i Trumpit synohet të maskohet tani nën ‘multilateralizmin elitar’ të një klubi fuqish të mëdha i drejtuar nga SHBA.
Kurse në fakt multilateralizmi ka qënë një alternativë e promovuar prej shumë kohësh prej Kinës për të zgjidhur problemet botërore dhe koha ka treguar se kjo rrugë ka gjetur mbështetje dhe konstatohet kjo linjë edhe në gjirin e BE-së dhe të disa vendeve të tjera të zhvilluara. “Kina beson se multilateralizmi nënkupton respektimin e parimeve të Kartës së OKB-së, ruajtjen e rendit ndërkombëtar me OKB-në në themel, dhe nxitjen e demokratizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha Wang.
E në këtë kontekst ngritja e qarqeve të vogla në emër të multilateralizmit është në fakt një ‘grup politik’, multilateralizëm që ka precedencë interesat e ndonjërit, është mendim unilateral dhe ‘multilateralizmi selektiv’ nuk është rruga e drejtë, tha Wang.
Ndërkohë ka një vazhdimësi të qëndrueshme dhe pa asnjë ekuivok në politikën e jashtme të Kinës dhe ka konsistuar në ruajtjen e integritetit të saj territorial, sovranitetit dhe kundërshtimi i çdo ndërhyrje në punët e brendshme të rikonfirmuara prerazi nga shefi i diplomacisë së Pekinit edhe me këtë rast.
Kina vazhdimisht është përpjekur të zhvillojë marrëdhënie normale me SHBA në të gjitha fushat, por në vitet e qeverisjes së administratës të Donald Trump ata kanë pësuar një përkeqësim të gjithanshëm. Me shpresë për një frymë të re me ardhjen e administratës së Joe Biden, Wang theksoi rëndësinë e kapërcimit të ndryshimeve midis Pekinit dhe Uashingtonit. Por në të njëjtën kohë ai shprehu pikëpamjen e vendosur për të mos lejuar ndërhyrje të SHBA në punët e brendshme nën egidën e ‘mbrojtjes së të drejtave të njeriut’ dhe ‘demokracisë’. Ndërkohë mbi çështjen e Tajvanit, ai i bëri thirrje palës amerikane të ndryshojnë praktikat e administratës së mëparshme të ‘kapërcimit të vijës së kuqe’ dhe ‘të luajtjes me zjarrin’. Po kështu nuk ka asnjë tolerancë ndaj pretendimeve amerikane dhe disa vendeve perëndimore lidhur me Hong Kongun dhe çështje të ngritura për Xinjiang.
E thënë pa dorashka më e provokuara, më e prekura nga një frymë tensioni e nxitur prej SHBA me Kinën është BE-ja, e cila provoi katër vjet izolacionizëm nga presidenti i mëparshëm amerikan që shpesh tejkalonte edhe caqet e mirësjelljes ndaj udhëheqësve të ndonjë vendi aleat. Edhe kjo që po përpiqet të imponojë administrata e Biden është presion për ‘solidaritet’ të aleatëve në përpjekje për izolimin e Kinës.
Por sikurse e ka treguar koha dhe përvoja interesat ekonomikë por edhe politike afatgjatë strategjikë marrëdhëniet normale me Kinën janë jetike për BE-në, dhe ky grupim europian nuk e ka luksin të vetësakrifikohet për interesat e ngushta amerikane. Kina dhe BE-ja e kanë zhvilluar bashkëpunimin e tyre mbështetur në parimin e interesit të përfitimit reciprok dhe rezultatet janë të dukshme. Vjet ata përkujtuan 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Kina është zyrtarisht partneri tregtar më i madh i BE-së dhe nënshkrimi i marrëveshjes për investimet në fund të vitit të kaluar është një hop i madh në çimentimin e bashkëpunimit të tyre.
“Sipas pikëpamjes sonë, Kina dhe Europa janë dy lojtarë të rëndësishëm në botën shumëpolare. Marrëdhëniet janë të barabarta dhe të hapura duke mos patur objekt ndonjë palë të tretë ose të kontrolluara nga ndokush tjetër”, deklaroi Wang Yi, që njihet si një ndër interlokutorët kryesorë me Brukselin. Kina vlerëson ndër të tjera autonominë strategjike të BE-së dhe qëndrimin ndaj multilateralizmit dhe në situatat e tanishme kritike është e gatshme për të rritur përpjekjet ndërkombëtare në luftën kundër pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike.
“Kina do të vazhdojë të mbështesë integrimin europian dhe një BE të bashkuar dhe të fuqishme për të luajtur një rol më të madh në çështjet ndërkombëtare”, tha Wang. Në këtë kuadër dua të vë në dukje se një qëndrim i tillë është në favor edhe të vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar Unionit, dhe në rastin konkret autoritetet kineze u kanë konfirmuar pa ekuivok atyre se mbështesin anëtarësimin e tyre në BE.
Nuk mund të kaloj pa përmendur një ngjarje të rëndësishme historike për Kinën por edhe mbarë botën: 2021 shënon 50-vjetorin kur ajo zuri vendin e saj të ligjshëm në OKB të mohuar në mënyrë të padrejtë që prej themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Siç e kujtoj edhe ministri kinez sesioni i 26-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së miratoi një rezolutë e cila vendosi të drejtën në vend, dhe është rasti të sjell në vëmendje se Shqipëria ka qenë një ndër sponsorët kryesorë të asaj rezolute një veprim diplomatik që është vlerësuar lart nga Pekini zyrtar në shumë raste.
Në këtë përvjetor signjifikativ, që sipas shefit të diplomacisë kineze është një moment i ri historik, Kina do të veprojë me solemnitet në përputhje më masat dhe iniciativat madhore të shpallura nga Presidenti Xi Jinping dhe do të luaj një rol më aktiv duke marrë pjesë në veprimtaritë e OKB-së dhe të punojë në përputhje me vizionin e saj për një botë në të cilën kombet i kthejnë shpatat në plugje dhe jetojnë në paqe të qëndrueshme e jo nën kërcënimin e luftës.
Një rezyme e platformës diplomatike e prezantuar në formën e konferencës së shtypit nga kreut i diplomacisë kineze e shtrirë në një kohë prej rreth 1 orë e 40 minuta dhe me 27 pyetje tregon dy gjëra që më tërheqin vëmendjen: interesin e madh publik për vijat e politikës së jashtme të Kinës më 2021 nga njëra anë por edhe gatishmërinë e saj për t’iu dhënë përgjigje çdo problemi dhe shqetësimi të ngritur nga të pranishmit. Në asnjë rast kryediplomati kinez nuk përdori termin ‘No comment!’ edhe në raste kur ndonjë pyetje ishte disi provokuese. Kjo tregon se Kina e diplomacia e saj nuk kanë asgjë për të fshehur dhe dialogu e rrahja e mendimeve shikohet si rruga e vetme për të shmangur çdo keqkuptim, që nganjëherë sikurse e ka treguar praktika e kaluar e zhvillimeve botërore, kanë çuar në zhvillime të padëshiruara. Duke lexuar në mes rrjeshtash platformën e paraqitur nga ministri kinez dhe veçanërisht pjesën lidhur me marrëdhëniet me SHBA dhe perëndimin në përgjithësi mund të kuptohet edhe një element tjetër i ‘enigmës’ kineze në politikën e jashtme të saj që, në fakt, sipas mendimit tim modest e ka karakterizuar atë edhe në kohët më të vështira të historisë së saj: maturi e përmbajtje, pritshmëri për reciprocitet në marrëdhëniet dypalëshe ose shumëpalëshe si dhe mos shkelje e piketave të kuqe!/Cri.cn