Home KRYESORE (Pa)barazia gjinore në status quo

(Pa)barazia gjinore në status quo

Nga Gladiola Jorbus

Pjesëmarrja aktive e gruas në jetën sociale, artistike dhe politike është një domosdoshmëri, sepse gruaja e angazhuar duhet të gëzojë rol trajtëformues në shoqëri.

Gratë janë të zonjat dhe dinë si të shtrëngojnë frerët e familjes e të profesionit, por ato vihen gjithnjë në pikëpyetje. Ato lodhen dyfish për të realizuar veten dhe kjo kërkon energji, impenjim, efektivitet, integritet, përgjegjshmëri, sens të detyrës.

Përgjatë periudhave të ndryshme historike kanë spikatur shumë heroina apo ikona femërore, por sërish grave u duhet të depërtojnë në një botë që mbetet thellësisht maskiliste në kërkesa e mendësi.

Ndonëse ka pasur një rritje të përfaqësimit të grave dhe të pranisë së saj në strukturat vendimmarrëse, ato sërish mbeten të nënpërfaqësuara. Demokracia do të merrte plotësisht kuptim dhe dinamizëm, nëse politika do t’u kushtonte vëmendje të barabartë, interesave dhe aftësive të të dyja gjinive.

Gratë duhet të gëzojnë plotësisht të njëjtat mundësi, shanse, detyra dhe të drejta me burrat. Ato nuk kanë pse të rivalizojnë me ta, por të shijojnë lirinë e të shpalosurit të kompetencës, pikëpamjeve e personalitetit të tyre.

Prezenca e grave në jetën publike dhe politike është e domosdoshme, pa harruar se edhe gruaja mund t’i gëzojë privilegjet e konsideruara mashkullore siç janë; të folurit haptas apo ngritja e zërit, kundërshtimi a stoicizmi. Gjithmonë, nëse ajo nuk ndihet një kukull, por një aktore protagoniste në jetën publike.

Gratë nuk duhet të jenë marioneta që veprojnë sipas interesave e vullnetit të liderëve apo eprorëve të tyre dhe as t’i nënshtrohen symbyllazi çfarëdolloj udhëzimi që u jepet, pavarësisht nga niveli i hierarkisë.

Perceptimet kufizuese, nepotizmi, ushtrimi i presionit a i dhunës, shpeshherë bëhen faktorë penalizues që gratë të mos japin maksimumin apo të mos demonstrojnë dot, se cilat janë në të vërtetë.

Ndaj duhet të reshtin së qeni thjesht statistika dhe të refuzojnë çdo nismë që komprometon interesin publik. Vallë, sa syresh do të ishin në gjendje të braktisnin privilegjet apo të privoheshin nga status quo – ja e fituar, për të mirën e përgjithshme ?! Pyetje retorike.

Por s’mund të lë pa cituar Rudyard Kipling, (fitues i Nobelit në letërsi në vitin 1907, autor i vargjeve të papërsëritshme të poezisë ‘Në mundsh’) – i cili shprehej se: ‘Supozimi i një gruaje është shumë më i saktë se siguria e një burri’.

Politikanët e etur për pushtet dhe të korruptuar, me një moral të dyshimtë dhe retorikë mjegulluese kanë kontribuar në ndjenjën e fortë antipolitike të krijuar në shoqëri. Ata kanë pasur një impakt negativ duke ndikuar në distancimin e njerëzve të kualifikuar e seriozë nga politika, në humbjen e besimit dhe të shpresës në popull.

Rëndom jemi mësuar me imazhin e politikanëve meshkuj. Roli dytësor i gruas vazhdon të mbetet një dukuri konstante në politikë. Edhe pse qeveritë janë inkurajuar të zhvillojnë strategji për të promovuar pjesëmarrjen e barabartë të grave, përsëri prezenca e tyre në politikë, nuk evidentohet dukshëm si përparësi.

Roli i gruas në politikë konsiderohet pasiv, duke u trajtuar si një objekt, i cili mund të shfrytëzohet mediatikisht, në një garë të pabarabartë. Madje, ndonjëherë është një qenie e dënuar që të urdhërohet nga burra, inferiorë kundrejt saj në intelekt.

Gjithsesi, njerëzit vazhdojnë të shfaqin përqasje të dukshme ndaj stereotipeve, ndaj shoqëria duhet të indinjohet dhe të mbajë qëndrim ndaj kujtdo që servir imazhin e grave “dështake” apo përbalt figurat femërore.

Gjithashtu ia vlen të theksosh se gratë kanë nevojë të pretendojnë më shumë nga vetja, të mbrojnë dhe të mbështesin njëra – tjetrën, duke kujtuar thënien e diplomates Madeleine Albright se: ‘Në ferr ka një vend të veçantë për gratë që nuk ndihmojnë gratë e tjera’.

Prezenca e gruas jo vetëm që zbut klimën politike, por njëkohësisht sfidon maskilizmin, promovon vlerat e saj, luan rol kyç në vendimmarrje për zgjidhjen e problemeve që ka shoqëria; në aspektin ekonomik, arsimor apo social.

Potenciali i jashtëzakonshëm i gruas vihet në dobi të shoqërisë, si kontigjent kontributiv që jep zgjidhje, rrit kredon, dhe gëzon veçoritë e duhura. Ajo nuk joshet lehtë nga butësia e kolltukut, sepse për nga vetë natyra, është energjike dhe e ndërgjegjshme.

Këtë veçori e pasqyron saktë këshilla e një figure shumë të rëndësishme politike, e shpallur nga revista amerikane ‘Forbes’, në dhjetor të viti 2020 si ‘Gruaja më e fuqishme në botë’, kancelarja gjermane Angela Merkel: ‘Kush nis të punojë në politikë, le ta dijë se paratë nuk janë përparësia më e madhe’.

Një politikan i vërtetë është ai që ambicien e shndërron në vendosmëri, zhgënjimin në përvojë, humbjen në mësim. Ai karakterizohet nga sensi i përgjegjësisë, meritokracia, empatia dhe logjika. Dhe këto cilësi përkojnë më së miri me shumë zonja.

Në fund të fundit: ‘Nëse doni që diçka të thuhet, kërkojani një burri; Nëse doni që diçka të bëhet, kërkojani një gruaje’, – ka thënë Zonja e Hekurt (M. Thatcher).

Politikani i vërtetë synon t’u sigurojë mundësi më të mira brezave të ardhshëm. Ai lufton për të krijuar një shoqëri më të drejtë për të gjithë, përfshirë edhe kundërshtarët e tij, sepse dinjiteti vjen i pari.

E kush më mirë se një zonjë, një nënë, një motër, një mike, një profesioniste, një grua mund ta realizojë këtë mision ?! Ajo që çdo ditë të jetës së saj shërben me dashuri, përballet me sfida pa u ankuar, buzëqesh pa u dorëzuar, motivon me shembullin e saj dhe në fund ia del.

Share: