Home Gjeo-Ekonomia “Përhapje të dezinformatave”, Kina sanksionon zyrtarë britanikë, përfshirë ligjvënës

“Përhapje të dezinformatave”, Kina sanksionon zyrtarë britanikë, përfshirë ligjvënës

Kina shpalli sanksione kundër organizatave dhe individëve në Mbretërinë e Bashkuar për, siç tha, “përhapjen qëllimkeqe të gënjeshtrave dhe dezinformatave” në lidhje me trajtimin që i bën Pekini pakicës myslimane ujgure. Ministria e Jashtme kineze tha se sanksionet godasin katër njësi dhe nëntë individë, përfshirë pesë ligjvënës britanikë.

Ministria përmendi në deklaratën e saj edhe sanksionet që ka ndërmarrë së voni Britania kundër Kinës. “Ky veprim, i bazuar në asgjë përveç në gënjeshtra dhe dezinformim, shkel në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar dhe normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërhyn në mënyrë të ashpër në punët e brendshme të Kinës dhe minon rëndë marrëdhëniet Kinë – Mbretëri e Bashkuar”, thuhet në deklaratë. Kina është e vendosur të ruajë sovranitetin e saj kombëtar, sigurinë dhe interesat e zhvillimit, thekson deklarata.

Palëve të sanksionuara dhe anëtarëve të familjes së tyre të ngushtë u ndalohet hyrja në Kinë. Kina ka arrestuar së paku një milion ujgurë – kryesisht myslimanë – duke i vendosur në kampe në rajonin veriperëndimor të Ksinjiangut. Atje dyshohet se bëhen tortura, punë të detyrueshme dhe abuzime seksuale. Kina i mohon akuzat e Perëndimit, duke thënë se kampet janë objekte “riedukimi”, që përdoren për të luftuar terrorizmin. Të hënën, Mbretëria e Bashkuar, së bashku me BE-në, SHBA-në dhe Kanadanë, kanë vendosur sanksione kundër disa zyrtarëve kinezë, për shkak të çështjes së ujgurëve.

Share: