Kryeministri Edi Rama foli nga shkolla “4 Dëshmorët” për vaksinimin e mësuesve, që ka nisur ditën e sotme në vendin tonë, duke thënë që vaksinimi anti-Covid do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
Gjatë falës së tij, kreu i qeverisë “thumboi” edhe Presidentin Ilir Meta, teksa tha se “vaksinën për tërbimin nuk e ka akoma, do të jetojmë edhe pak kohë me shfaqje tërbimi”.
“Vaksinimi do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Shkollat do të shërbejnë si qendra vaksinimi. Është një hap i madh përpara dhe kam shumë shpresë që në ditët në vijim do të kemi një lajm shumë të mirë për një sasi të madhe, që do na lejojë të hyjmë në një vaksinim masiv, që sezonin turistik ta kemi të lehtësuar. Do të vaksinojmë pensionistët masivisht, vaksinën për tërbimin nuk e kemi për fat të keq. Kështu që do të na duhet të jetojmë edhe pak kohë me shfaqje tërbimi të kësaj natyre, që janë shprehje dëshpërimi. Ajo që ka rëndësi është të mundim armikun e padukshëm, pastaj mundjen e kundërshtarëve të dukshëm e kemi më të lehtë”, tha Rama.
I pyetur nga gazetarët për përplasjen e Presidentit Ilir Meta me policinë, një ditë më parë, te zyrat e FRD, Rama theksoi se “më lejoni mos bëj asnjë koment, sepse jemi në kushtet e një shfaqjeje që është klinikisht e rëndë dhe natyrisht kërkon solidaritet njerëzor me këdo qoftë jo vetëm që ka qëllime dukshëm të rënda”.
(BalkanWeb)