Home KRYESORE Rikandidimi i Tom Doshit, Prokuroria kërkesë për informacion ambasadës së SHBA-ve

Rikandidimi i Tom Doshit, Prokuroria kërkesë për informacion ambasadës së SHBA-ve

Në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme i tha Zërit të Amerikës, se i është drejtuar zyrtarisht ambasadës amerikane për të kërkuar informacion mbi deputetin Tom Doshi i cili rikandidon edhe në zgjedhjet e 25 Prillit

Zoti Tom Doshi është në listën e 28 kandidatëve që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka nisur për verifikim Prokurorisë së Përgjithshme. Pak ditë më parë kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi shpjegoi se “në rastin e zotit Doshi KQZ ka marrë shtysën nga të dhëna publike, që e nxitin t’i kërkojë prokurorisë informacione të tjera, veç atyre që ai ka dhënë në formularin e vetëdeklarimin, për të bërë vlerësim më të plotë mbi përputhshmërinë e kandidimit të tij për deputet. Por edhe në formularin e vetëdeklarimit ka të dhëna që shërbejnë si indicie për KQZ-në, për të kërkuar hetim të thelluar për kandidatin” – tha zoti Celibashi.

Në letrën drejtuar ambasadës amerikane, Prokuroria e Përgjithshme kërkon të dijë informacionet që kjo ambasadë disponon rreth zotit Doshi, nisur dhe nga fakti që Departamenti amerikan i Shtetit në Prill të vitit 2018, vendosi që t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara zotit Doshi dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij. Ndërkaq, ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka bërë thirrje të përsëritura për të penguar rikandidimin e zotit Doshi.

Pas përgjigjes nga ambasada amerikane, Prokuroria shpjegon se do të vlerësojë hapat e mëtejshëm, në varësi të informacionit që do të marrë. Ndërkohë ajo ka nisur veprimet për kandidatët e tjerë, duke kërkuar fillimisht informacion nga të gjitha institucionet vendase. Bëhet fjalë për 5 kandidatë nga Aleanca ABEKO, 2 nga Bindja Demokratike, 2 nga Lëvizja për Ndryshim, 1 nga Lëvizja e Re, 6 nga LSI, 2 nga Nisma Thurrje, 4 nga Partia Demokratike, 3 nga Partia Socialiste dhe 3 nga Partia Social-Demokrate. /VOA/

Share: