Nga Benny Musliu
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i zënë ngushtë dhe në panik nga problemet me mos qeverisjen e duhur brenda vendit kërkon fajtorë jashtë vetes së tij. Akuzat se Bashkimi Evropian nuk po e bën detyrën e tij, duke mos i bërë presion Bullgarisë që mos ta bllokojë Maqedoninë e Veriut, ka irituar shumë vende anëtare të BE-së. Në politikë është shumë e lehtë të akuzosh, por është e vështirë që të realizosh dhe të numërosh suksese.
Fatkeqësisht qeveria e Zoran Zaev kohën e fundit ka filluar të numërojë mbrapsht, duke mos realizuar asnjë sukses, qoftë në rrafshin e bisedimeve me Bullgarinë por as edhe me problemet e përditshme të qytetarëve. Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajon së bashku me Kosovën që nuk arrijnë të sigurojnë vaksina kundër virusit Covid 19.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se janë duke e shqyrtuar mundësinë e furnizimit me vaksina kineze kundër COVID-19, ndonëse kanë theksuar se prioritet mbetet furnizimi përmes programit COVAX, teksa shteti po realizon bisedime të drejtpërdrejta edhe me kompaninë amerikane, Pfizer.
Ata theksojnë se nuk e shohin si problematike furnizimin me vaksinat e prodhuara nga kompanitë kineze edhe pse të njëjtat ende nuk janë miratuar për përdorim nga Agjencia Evropiane e Barnave.
Zaev nuk është aspak i vendosur në veprimet e tij. Në dhjetorin e vitit të kaluar, ai kishte deklaruar se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s mbetet e orientuar kah institucionet perëndimore sa i përket furnizimit me vaksinat kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi. Por, tani kur nuk mundi të futet në listën e COVAX sistemit, ka filluar të kërkojë ndihmë nga kinezët dhe rusët. Nga këta të fundit ka pranuar një sasi të caktuar të vaksinave, ndërsa pret që të arrijnë në tërësi rreth 200 mijë vaksina ruse.
Për këtë sigurisht se dikush duhet të mbajë llogari, sepse një paaftësi e tillë nuk mund të falet. Zvarritja e procesit të furnizimit me vaksina, tregon paaftësinë e autoriteteve qeveritare. Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut mund të fillojë fushatën e vaksinimit në masë para muajit maj apo qershor.
Përveç dështimit me vaksinat, Maqedonia e Veriut dështoi edhe në luftën kundër korrupsionit. Të dhënat e fundit nga policia financiare tregojnë se të paktën 30 milionë euro janë keqpërdorur nga buxheti i shtetit. Pjesa më e madhe e rasteve që ndërlidhet me korrupsionin në nivele të larta, ka të bëjë me keqpërdorimin e tenderëve për furnizimet publike. Fatkeqësisht, pandemia e koronavirusit në masë të caktuar ka bllokuar dhe hetimet që ka iniciuar Policia Financiare dhe korrupsioni nuk po luftohet ashtu siç duhet.
Si hap i parë në luftën kundër korrupsionit ishte se asnjë anëtar apo drejtor në organe të ndryshme shtetërore nuk do të emërohet pa konkurs paraprak, por në praktikë kjo nuk u realizua pasi të gjitha emërimet u bënë nga qeveria sikurse dhe në të kaluarën.
Lufta kundër korrupsionit mund të ketë sukses vetëm nëse organeve ekzistuese u lihen duart e lira për të nisur fillimisht me hetimin e pasurisë së funksionarëve. Rruga e vetme është hetimi dhe konfiskimi i pasurisë të personave, të cilët e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke krijuar pasuri të cilën nuk munden ta argumentojnë apo nuk kanë paguar tatime.
Fuqia e një shteti në luftën kundër korrupsionit qëndron në pavarësinë dhe kapacitetet e institucioneve që të përballen me këtë fenomen. Rol të madh duhet të luajë Komisioni Anti-korrupsion, por puna e tij nuk ka asnjë efekt nëse organet gjyqësore nuk kryejnë punën e tyre në hetimin e të gjitha nismave nga komisioni antikorrupsion, por edhe të organeve tjera siç janë revizioni shtetëror, inspektoratet e organe tjera që duhet të jenë të pavarura në punën e tyre.
Zoran Zaev së fundmi mori një dush të fuqishëm nga ana e Bashkimit Evropian, të cilat ia bënë me dije se ai duhet të zgjidhë çështjen me Bullgarinë. Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria i ka përmbushur kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Maqedonia e Veriut ende jo. Varhelyi lavdëroi punën e kryer nga Shqipëria dhe vlerësoi se BE po bën të pamundurën për t’iu përmbajtur zotimeve të saja për sa i përket projektit të zgjerimit. Mirëpo nga Maqedonia e Veriut ai kërkoi më shumë punë, së cilës i vuri në dukje problemet me Bullgarinë për sa i përket disa pikave rreth historisë.
“Maqedonia e Veriut ka zhvilluar një ritëm të qëndrueshëm në zbatimin e reformave për në BE, në veçanti në sferën e të drejtave themelore. Është e rëndësishme që sa më shpejtë të gjenden zgjidhje të pranueshme për çështjet e pazgjidhura midis
Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë,” – tha Varhelyi.
Kryeministri i Zoran Zaev u përgjigj se Shkupi pret prej 16 vitesh nisjen e bisedimeve për anëtarësim, se përpjekjet për reforma vazhdojnë ndërsa për çështjen me Bullgarinë tha se po punohet, por theksoi se “për identitetin maqedonas nuk mund të bëhet kompromis”.
Kjo porosi më shumë se e qartë që i bëhet Zaevit, tregon se ky iu fundit nuk guxon të akuzojë për paaftësitë e tij Bashkimin Evropian, por t’i përveshë krahët e t’i kryejë fillimisht detyrat e tij brenda vendit. Qeveria duhet të përforcojë luftën kundër korrupsionit, të reformojë gjyqësorin, sepse ka mbetur vrima e zezë në Ballkan, të gjejë zgjidhje për çështjet e vaksinave, të zhvillojë ekonominë dhe së fundmi të gjejë kompromision e duhur me Bullgarinë dhe të hapë rrugën e BE-së për Maqedoninë e Veriut. Është e lehtë të akuzohet tjetër kush dhe më e vështirë që të bëhet vetkritikë. Andaj, fati i Maqedonisë së Veriut varet nga lidershipi i saj.