Home Approccio Italo Albanese ✔ Ja Pse, që këtu nga Italia, Margarita Xhepa, më duket si...

✔ Ja Pse, që këtu nga Italia, Margarita Xhepa, më duket si një “Virna Lisi shqiptare”.

*Sot, në ditën e lindjes së aktores. 🎉

Nga Adela Kolea

Lexoja një intervistë me Margarita Xhepën, realizuar së fundmi nga A. Zholi.

Lexoja mendimin objektiv të Margaritës mbi artin nën diktaturë dhe vlerësimin e lartë që ajo i adresonte kolegëve artistë të brezit të saj në Shqipëri.

M.Xhepa: “Ngelëm të varfër por, bëmë art që ka lënë gjurmë. Regjimet kalojnë, arti mbetet. Por edhe pse në kontroll, artistët tanë të mëdhenj kanë bërë art. Ne ishim më shumë idealistë se materialistë, ndaj dhe sot jemi të varfër. E bënim punën me dashuri e nuk mendonim se sa para do të merrnim në fund të shfaqjes.”

Nga ana tjetër, më duhet të pohoj se Margarita më pati befasuar disi me atë zgjedhjen e saj të pak kohëve më parë, për t’u mbuluar me perçe e për të treguar përralla për fëmijët në një stacion televiziv islamik.

Po nejse, megjithë rënien efektive të klasit të saj në atë rast të përcaktuar, duke e konsideruar atë, si një ikonë të artit të skenës dhe ekranit shqiptar, ndoshta e morëm nën shqyrtim vetëm nga ana profesionale dhe e “gjykuam”, pa marrë parasysh zgjedhjen e saj në sferën emotive apo personale për rolin e “gjyshes me perçe”…

Përtej kësaj, së fundmi lexoja komente ofenduese mbi të, nga disa luanë tastierash, në publikimin e intervistës së re të saj, ku ajo lëvdon artin dhe punën e zellshme që kryenin artistët nën diktaturë, duke pohuar njëkohësisht, anët negative të diktaturës, pa dyshim.

Shumë debate janë zhvilluar në Shqipëri mbi artin e krijuar nën diktaturë.

Qe kërkuar edhe ndalimi i filmave të realizmit socialist.

Faktikisht, është e kotë të përsërisim, që ato filma qenë komplet ideologjikë, të njëanshëm e të indoktrinuar.

Kjo është e mirëqenë, nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Madje, çudi do të kishte qenë e kundërta.

Ato filma apo pjesë teatrale kanë shkaktuar dëme morale ndaj personazheve reale që kanë denigruar apo vënë në lojë me sarkazëm të fortë, duke pas qenë ata, në mënyrë direkte, disidentë e kundërshtarë të regjimit.

Dëme u janë shkaktuar atyre si Qazim Mulleti, Sali Protopapa etj, etj, dëme u janë shkaktuar familjarëve e pasardhësve të tyre, që pas atyre filmave, disave nga fisi i tyre, u është dashur të ndryshojnë edhe mbiemër, për të mos u vënë më në lojë apo izoluar nga opinioni publik.

Por, unë mendoj se të gjithë ato skenarë të pilotuar dhe inskenime të imponuara nga censura e regjimi, të hartuar në tavolinë enkas, nuk duhen përzier me talentin, punën dhe përkushtimin e artistëve shqiptarë të kohës së diktaturës.

Nuk mund t’u quhet atyre “faj”, se u përgatitën dhe kryen karrierën e veprimtarinë e tyre artistike nën diktaturë në Shqipëri apo u arsimuan në vendet e aksit lindor.

E duhet ndarë përmbajtja e indoktrinuar e një skenari, përpiluar nën një sistem politiko-ideologjik të njohur, me aftësinë e një aktori, regjisori, apo interpretuesi çfarëdo të skenës apo ekranit.

Po kjo gjë ka ndodhur me letërsinë, muzikën, pikturën, skulpturën e të ashtuquajturit “realizmi socialist”, me çdo fushë tjetër, jo domosdoshmërisht art, me gjithçka nga një mikrokozm i përcaktuar, që në kompleks, ishte veçse një ingranazh i mekanizmit të një shoqërie të tërë, mbërthyer nën një sistem monopartiak e totalitar.

Ndaj, për të qenë objektivë, unë vetë p.sh, duke qenë se i përkas atij brezi teleshikuesish, përtej aspektit nostalgjik, ose më mirë:

Duke qenë larguar nga Shqipëria në ’92-shin, nuk njoh aktorë të tjerë të sotshëm shqiptarë aq të vlefshëm, si mund të themi, përveç ikonave “të artistëve të kohës së diktaturës”.

E prandaj nuk mund të bëj as krahasime mbi brezat e tyre.

Di vetëm të them që një shtet tjetër, ndryshe nga Shqipëria, artistë të kalibrit, si Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Gjon Karma, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, Marie Logoreci, Robert Ndrenika, Mevlan Shanaj, Timo Flloko, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Lazër Filipi, Bujar Lako, Edmond Budina, Viktor Zhusti, Violeta Manushi, Ndrekë e Mimika Luca, Reshat Arbana, Drita Pelingu, Justina Aliaj, Elvira Diamanti, Hajrie Rondo etj, etj (janë shumë, që për efekt hapësire të kufizuar në fletën elektronike, nuk mund të përmenden të gjithë) – një pjesë e tyre tashmë, kuptohet, për çështje kohe e moshe, nuk jeton më…- një pjesë tjetër, për fat, është ende në jetë apo aktive në skenë ose ekran, relativisht sipas mundësive e konteksteve e lista e tyre është e pafund përgjithësisht, një vend tjetër, pra, do t’i kishte ngritur ata në piedistal të lartë mirënjohjeje e stime.

E nuk do të ishte mjaftuar me dekorimin apo nderimin e disave prej tyre, jo për aq kohë sa ata ishin në jetë, në kohë reale e siç e meritonin vërtet por, nderuar vonë, shumë vonë, vetëm post mortem…

E siç flet Italia p.sh, për artin për antonomazi, kur përmend Marcello Mastroianni, Vittorio Gassman, Virna Lisi, Anna Magnani, Gina Lollobrigida, Sofia Loren, Massimo Troisi e shumë të tjerë, ashtu duhej të fliste me krenari Shqipëria, në mënyrë objektive e të painfluencuar nga asnjë “ngërç” tjetër, për artistët e formuar dhe që shkëlqyen në Shqipëri nën diktaturë.

E gjitha kjo, duhet trajtuar në plane veçmas fatkeqësisë komplekse që pësuam të gjithë ne shqiptarët, me influencën e saj drastike në jetët tona, nga diktatura në vetvete, me ndërgjegjësimin se këto, janë koncepte që, pas disa shtrirjesh në kohë në linja paralele e që nuk preken, – sepse arti është diçka universale – në një pikë të vetme fundja, thyejnë “formulën” apo ritin, edhe puqen, fatkeqësisht gërshetohen, kur bëhet fjalë për një epokë “stereotip” të njohur të trishtë e tipike shqiptare …

Kjo influencë “Art – Diktaturë” ishte thjesht e pashmangshme nën sferën e autarkisë së përgjithshme, aty ku rënkonte edhe arti apo kultura.

Share: