Partia Demokratike ka premtuar që nëse fiton zgjedhjet dhe vjen në pushtet do të anulojë një sërë kontratash koncesionare PPP. Për ekspertin e ekonomisë Majlind Lazimi, skanimi i tyre duhet bërë mbi bazën e analizës kosto-përfitim, për të shmangur dëmin që mund të pësojë buxheti nëse çështjet arrijnë në arbitrazh.
Ndërsa Roden Hoxha, shpjegon se zhbërja e këtyre kontratave është thuajse e pamundur për shkak të kompleksiteti të tyre.
“Ka të drejt legjitime PD që të kërkojë një lloj filtrimi, skanimi të të gjithë kontratave koncesionare përfshirë ato PPP. Është e rëndësishme të ketë një konsideratë si ligjore ashtu edhe financiare por duhet parë raporti kosto-përfitim. Nëse janë kontratat me impakt ligjor si rastet e mundshme të arbitrazhit, duhet patjetër të shmangen. Padyshim që ka kosto nëse ndërpriten në mënyrë të njëanshme.” Majlind Lazimi, ekspert ekonomie.
“Të premtosh të zhbësh kontratat koncesionare PPP është diçka largpamëse dhe gati e pabëshme. Këtro kontrata kanë specifikat e tyre, afatet dhe penalitetet e tyre. Në moment që këto penalitete ndërhyhet shpesh janë të rënda për buxhetin dhe xhepat e taksapaguesve sesa vetë vlera e kontratës. Sepse janë ndërtuar në formë të tillë që asnjëra palë të mos ndërhyjë. Penalitetet e tyre janë masive. Janë kontrata qindra miliona euro dhe nuk mund të prishen nga sot nesër. Shumë prej tyre janë investime afat gjata që edhe klauzolat e tyre parashikojnë edhe penalitete të mëdha.” Roden Hoxha, jurist.
Ekspertët vlerësojnë si domosdoshmëri monitorimin e rreptë të këtyre kontratave , teksa Majlind Lazimi shkon më tej dhe shikon si të nevojshme edhe ngritjen e një strukture të posaçme për zbatimin e tyre.
“Problem që kemi ne prej kohësh është që ne nuk kemi një agjenci të vlerësimit të investimeve publike dhe veçanërisht koncesionet. Në të ardhmen çdo kontratë koncesionare duhet të ketë një filtër, një monitorim eksperti si nga ana ligjore si nga ana financiare në mënyrë që këto kontrata të ketë monitorim rigoroz, sepse vetëm kështu shteti është i mbrojtur dhe mund të fitojë edhe arbitrazhin në rast se arrin çështja deri aty. Të rrisim kapacitetet institucionale për hartimin e kontratave.” Majlind Lazimi, ekspert për ekonominë.
“Këto kontrata lidhen vetë nga ministritë. Nuk mund të them që duhet të krijohen struktura paralele me ato që ekzistojnë sepsë nuk do ishte efiakse. Duhet të shqyrtohen paraprakisht para se të hidhet firma. Shteti gjithmonë do ketë nevojë për ndërhyrje të privatit, sepse jo çdo shërbim mund ta ofrojë shteti.” Roden Hoxha, jurist
“Anulimi i kontratave koncesionare është evidentuar nga PD si një nga burimet që do të plotësojnë faturën e premtimeve elektorale, për të cilën partia opozitare ka artikuluar se do të ndjekë rrugën ligjore duke dërguar një dosje në “SPAK”.
Top Channel