Home Gjeo-Ekonomia Administrata e Joe Biden-it zyrtarisht njeh gjenocidin turk ndaj armenëve

Administrata e Joe Biden-it zyrtarisht njeh gjenocidin turk ndaj armenëve

Shtëpia e Bardhë natën e së premtës publikoi një deklaratë nga Presidenti i SHBA Joe Biden në të cilën vrasja masive e Armenëve në Perandorinë Osmane në vitet 1915-1922 cilësohet me emrin real: gjenocid.

Turqia e tërbuar kërkon mbylljen e bazës Incirlik për trupat amerikane.

Nga Dr Sadri Ramabaja

Prishtinë, 25 prill – Njohja e gjenocidit turk kundër popullit armen (1915) nga presidenti i SHBA Joe Biden, ka shkaktuar pasione dhe ka provokuar reagime të shumta politike e publike në të gjithë botën.

Nga konsiderata për partnerin e NATO-s, Turqinë, presidentët e ShBA-ve deri tashti kishin shmangur njohjen e masakrës së armenëve nga Perandoria Osmane në Luftën I Botërore si gjenocid. Presidenti i SHBA Biden ndërkohë ndoqi një rrugë tjetër – i dha vlerësimin e merituar aktit makabër turk ndaj armenëve, duke sinjalizuar kështu diktaturat në ngjallje se çfarë mund t’ i pres. “Populli Amerikan nderon të gjithë ata armenë që vdiqën në gjenocidin që filloi 106 vjet më parë sot,” thuhet në deklaratën presidenciale, që u bë publike në orët e vona të së premtës. 

Në kryeqytetin gjerman, Berlin, mijëra njerëz këtë lajm e shoqëruan me dalje në rrugë e të entuziazmuar tundnin flamurin armenë. Situata ishte e ngjashme në Lyon (Francë), ku një turmë qytetarësh ishin mbledhur pranë konsullatës turke, duke kërkuar nga Ankaraja ta njohë edhe vetë gjenocidin e vitit 1915 dhe të nderojë kujtimin e 1.5 milion armenëve që u vranë mizorisht atbotë.

Është me interes të potencohet se një lumë qirinjsh ishin ndezur edhe në Alepo (Siri), në shenjë kujtimi për viktimat e gjenocidit turk.

Krimi ndaj 1.5 milionë armenëve ka emrin gjenocid

Gjatë Luftës së Parë Botërore armenët u persekutuan sistematikisht dhe, përveç tjerash, ata u dërguan në marshime vdekjeje në shkretëtirën siriane. Historianët flasin për jo më pak se  1.5 milion viktima. 

Armenia dhe disa shtete të tjera – përfshirë Gjermaninë që nga viti 2016 – si dhe historianë të shumtë, kanë klasifikuar këto mizori si gjenocid.

Të mbijetuarit e persekutimit janë shpërndarë pastaj në të gjithë botën. Populli Armen megjithatë mbijetoi, duke mos e harruar kurrë  historinë tragjike.

“Ne nderojmë historinë e tyre. Ne e ndjejmë këtë dhimbje dhe e konfirmojmë historinë. Ne nuk e bëjmë këtë për të shenjuar fajtorin, por për t’u siguruar që ajo që ndodhi nuk përsëritet kurrë”, thuhej me gjuhë të matur, në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, rreth 2.5 milion armenë jetonin në Perandorinë Osmane. Përkatësia e tyre joislame (ata ishin ortodoks), ishte burim kryesor i asaj tragjedie.  Situata ishte përkeqësuar pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të fshehtë midis Perandorisë Osmane dhe Gjermanisë (1914) – me ç’rast vendi ishte përfshirë nga ndjenjat antikristiane. Fillon deportimi i armenëve nga zonat kufitare, duke u pasuar me vrasje masive. 

Masakrat e para të armenëve u njohën zyrtarisht dhe u dënuan nga parlamenti Uruguajan në vitin 1965. Pastaj këtë akt e bëri Qiproja, e pasuar nga Rusia (1995). 
Greqia, Kanadaja dhe Libani këtë do ta bënin në fillim të viteve 2000;  numri i përgjithshëm i vendeve që njohën zyrtarisht gjenocidin turk ndaj armenëve tashmë ka shkuar në 30-të. 
Më në fund këtë akt e bën edhe  Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prsidenti amerikan ndërkohë la anash përkujdesin dhe pragmatizmin e pararendësve të tij, duke acaruar tutje raportet edhe ashtu të acaruara mes SHBA-ve e Turqisë.

Sidoqoftë, analistët gjithandej shtrojnë pyetjen: pse veproi kështu tek tashti SHBA-ja në raport me gjenocidin turk ndaj armenëve? Çfarë ka ndryshuar në rrafshin e gjeopolitikës që të dëgjohet ndërkohë zëri i më se 3 milion qytetarëve amerikanë me origjinë armene?

Përgjigjet do të gjendeshin vetëm nëse venerohen me kujdesë veprimet e Turqisë erdoganiste në rajon në raport me interesat amerikane. Të kujtojmë faktin se Turqia ndërhyri ashpër dhe në kundërshtim me interesat amerikane në konfliktin e Sirisë; Erdogan-i ndërkohë  po ndërmerr një sërë hapash tjerë (në Azerbajxhan, Ballkan, në Iran, Liban…),, duke injoruar kërkesat e Uashingtonit. Tutje Erdogani po furnizon ushtrinë turke me armët moderne ruse, 

ai tërhoqi Turqinë nga Konventa e Stambollit për të Drejtat e Grave …  
Duket se administrata e re amerikane gjykon ndërkohë se, ka ardhur koha që Turqia duhet të ndëshkohet për këto sjellje, duke mos hequr dorë nga përpjekjet diplomatike për kthimin eTurqisë në “rrugën e duhur”. 

Por se sa do të mund të arrihet në këtë rrafsh, mbetet të shihet. 

Reagimi i Ankarasë zyrtare i ashpër

“Ne e dënojmë me forcë dhe e hedhim poshtë deklaratën e presidentit amerikan dhe përsëritjen e shpifjeve të atyre qarqeve, axhenda e të cilëve është, armiqësia ndaj vendit tonë. Ne rekomandojmë presidentin amerikan të shohë historinë dhe të tashmen e vendit të tij “, u shpreh zëdhënësi i presidentit turk Ibrahim Kalyn.

Edhe më i ashpër ishte në deklaratën e tij kryetari i Partisë Atdheu, Dogu Perincek. Ai propozoi mbylljen e bazës ushtarake Incirlik për ushtrinë amerikane dhe dhënien e një afati prej 15 ditësh për ushtarët amerikanë për t’u kthyer në shtëpi. Ai gjithashtu bën thirrje për bllokimin e kalimit të anijeve amerikane përmes ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve, madje edhe për tërheqjen nga Turqia nga NATO.

Presidenti turk Rexhep T. Erdogan me këtë akt të administratës Bajden është mbështetur për muri: ai tashmë ndodhet para alternativës: ose të veprojë kundër këtij akti të Shteteve të  Bashkuara, e që automatikisht nënkupton edhe ndaj BE-së, dhe të vazhdojë tutje me  forcimin e bashkëpunimit me Kinën, Rusinë dhe Iranin, ose të  heshtë dhe ta pranojë historinë ashtu si është, duke ia lënë pasuesit të tij kërkimfaljen ndaj armenëve. 

Në rast se do të heshtëte, ai në fakt do të bënte hapin e parë drejt tërheqjes nga politika dhe me këtë edhe nga ëndërra e tij për t’u shndërruar në një tip sulltani modern.

Duket se rrugë të mesme në këtë aks me interesa të theksuara gjeopolitike nuk do të ketë, meqë  intresat e palëve janë diametralisht të kundërta.

Ministri i Jashtëm turk në protestën e tij  kundër deklaratës së Bajdenit, potencoi se akti ka dëmtuar rëndë raportet mes Ankarasë dhe Uashingtonit, të cilat do të jenë të vështira për t’u rindërtuar. 

Në vetë Armeninë, shumë qytetarë ishin mbledhur pranë memorialit të gjenocidit në kryeqytetin Jerevan pikërisht të shtunën që lam pas për të shënuar ditën e përkujtimit. Përkujtohet kështu edhe dita e arrestimit të 250 intelektualëve armenë në vitin 1915, e cila konsiderohet të jetë fillimi i mizorive turke ndaj popullsisë armene. Me këtë rast Zëvendës Ministri i Jashtëm Armen Avet Adonts tha para qytetarëve tek kompleksi memorial se, njohja që i bëri SH.B.A.-të këtij krimi si gjenocid do të jetë një hap i rëndësishëm. “Ai do të shërbejë gjithashtu si një shembull për pjesën tjetër të botës së civilizuar.”

Kërkohet që Biden t’i njohë zyrtarisht krimet e Serbisë në Kosovë si gjenocid

Aktin e njohjes së gjenocidit turk ndaj armenëve e ka përshëndetur organizata jo-qeveritare Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, duke kërkuar që SHBA ta njohë zyrtarisht cilësimin e asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë periudhës së luftës (1998/99) si gjenocid.

Në reagimin e kësaj qendre hulumtuese potencohet  se qëndrimi i Bajdenit si burrështetas demokrat, dëshmon se gjenocidi është krimi më i shëmtuar që godet njerëzimin në tërësi dhe si i tillë nuk harrohet asnjëherë!
“Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës, i kryer para dy dekadash nga shteti serb, është një plagë e madhe, e hapur dhe e mbushur plot e përplot me të vrarë, të përdhunuar seksualisht, të dëbuar në politikën e spastrimit etnik që synonte shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë”, thuhet në komunikatën e lëshuar po dje.

Më tutje në kumtesë thuhet se viktimat e mbijetuara të këtij gjenocidi dhe një populli të tërë që u ballafaqua me politikën gjenocidare të Serbisë kërkon drejtësi! “Njohja e gjenocidit që ka kryer Serbia në Kosovë është kusht paraprak për të dalë nga logjika e mosndëshkimit të gjenocidit dhe formë e parandalimit të përsëritjes së krimeve të tilla. Kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe personalisht nga presidenti J. Biden që të njohë zyrtarisht cilësimin e asaj që ka ndodhur në Kosovë si krim i gjenocidit”.

Drejtuesit e kësaj qendre hulimtimi që vepron në Zvicër, gjithashtu kanë shfrytëzuar rastin që të grishin institucionet e Republikës së Kosovës për veprim në përputhje me obligimet që kanë marrë.
“Ftojmë institucionet e Kosovës që të veprojnë në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Kosovës lidhur me krimin e gjenocidit dhe të intensifikojë angazhimet në fushën diplomatike që gjenocidi i kryer në Kosovë të njihet botërisht”, thuhet në fund të komunikatës.
Krimi serb ndaj shqiptarëve tri herë radhas brenda një shekulli: 1877/8, kur qenë vrarë  mijëra shqiptarë dhe qenë shtrënguar të lëshojnë trjet e tyre (998 ven rurale e qendra urbane në krahinat e Toplicës, Pustarekës, Kurshumlisë, Medokës…);  1912/13 (Kosovë, Sanxhak) dhe 1998/99 në Kosovë,  ka gjithashtu emrin gjenocid.

Share: