Nga Nimet Musai
Nëse ka patur, ka qenë shumë e largët dita kur një djalë i Patosit, me votat e bashkëqytetarëve të tij, ishte pjesë e parlamentit të shqiptarëve.
Unë, Nimet Musaj, ish-futbollisti i ngjyrave të qytetit të Patosit, djali i rritur aty, ku kam punuar e kam punësuar, ku jam rritur e kam ngritur familje, kërkoj që me votat e qytetit tim, të jem sërish në parlamentin e shqiptarëve, si përfaqësues i Patosit.
Nëse patosarakët votojnë masivisht për mua, një djalë i rritur anëve tona do të jetë sërish në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Sot mund të jem unë, nesër do të jetë dikush tjetër, por ne duhet ta vendosim pikën e parë, një pikë nistore, fillestare, që Patosi e dërgon djalin e tij në Kuvendin e Shqipërisë përmes alternativës politike më të mirë, Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke votuar masivisht nr. 12 për partitë dhe nr. 18 për individë: Partinë Socialiste dhe kandidatin Nimet Musaj.
Unë nuk jam tipiku i deputetit lokalist, edhe pse jetoj e mendoj me çështjet e përditshme të lokalitetit tim. Kam dëshmuar që në politikë, si në nivelin e debatit parlamentar, si në propozimet për ndryshime dhe përmirësime ligjore, si për përgjegjësitë e marra si kryetar i një grupi të pavarur parlamentar në radhët e asaj që njihej si opozita parlamentare (jobllokuese), si në nivel ndërkombëtar si pjesëtar i delegacionit NATO, si edhe në raportet e përditshme me qytetarë të qarkut tonë, se politikën e njoh, e dua dhe pjesëmarrjen në të e mbështes mbi përgjegjshmëri, integritet, dinjitet, përgjegjësi që merren përsipër, ndershmëri dhe korrektesë ndaj qytetarit, kolegëve dhe mendimeve të mia, sepse jam rritur në mesin e një komuniteti, siç komuniteti patosarak është, që të gjitha këto cilësi i çmon lart.
Veç të qenit patosarak, të qenit djalë i komunitetit çam, më ka shtuar edhe patriotizmën duke patur, mbajtur e ruajtur ndërmend flamurin e vendit tim, përpara çdo vendimi. Ai flamur më shtyu ta pranoja edhe mandatin e deputetit, në një kohë kur bllokimi i proceseve politike të vendit tonë mund të rezultonte shkatërrimtar për kryereformën e tri dekadave, reformën e drejtësisë.
Ai flamur është betimi im dhe mbi të nuk mund të shkelja, nuk kam shkelur e nuk do të shkel për asnjë gjë. Në këtë kuptim, si zëri që e preku në të paktën 8 diskutime parlamentare çështjen çame në vetëm gjysëm mandati, unë kërkoj edhe mbështetjen me votë të komunitetit tim të origjinës, çamëve të qarkut të Fierit.
Jo vetëm kaq, por me rendimentin parlamentar, me çështjet e ngritura që gjeografikisht niseshin në njerën anë nga ullishtat e Lushnjes dhe planin e posaçëm për mbrojtjen e tyre nga zjarri, për ndotjet në Shkumbin e Gjanicë, për çështjet e përditshmërisë së lagjeve të Fierit, për problemet që qytetarë nga Mallakastra e Rroskoveci më kanë sjellë e u kam dhënë zë në Kuvendin e Shqipërisë, në vetëm gjysëm mandati, unë dal ballëhapur për të kërkuar një mandat të plotë nga votat e fierakëve, lushnjarëve, divjakasve, rroskovecarëve, mallakastriotëve dhe patosarakëve.
Kërkoj sy më sy e ballëhapur votën e çdokujt në qarkun Fier, sepse vota ime, edhe pse partiakisht e pangjyrosur në gjysmë mandati, ishte pro çdo ligji e reforme që mbështeste interesat strategjike të vendit, kërkesat e aleatëve strategjikë dhe investimet e tyre.
Vota për Partinë Socialiste dhe Nimet Musajin, nr. 18 të listës së saj emërore, është garancia se qarku i Fierit do të korrë maksimumin nga superprojekti i Rrugës së Karvaneve, që përmes Beratit, lidh Fierin me Korçën; që Rilindja Urbane pasi shkëlqeu me Fierin të hedhë si me magji vellon e saj të ndryshimeve të pamenduara mbi të gjitha qendrat e tjera të qarkur për këto katër vjet që do të vijnë; që qarku ynë të korrë maksimumin nga afrimi gjeografik i superprojektit të Parkut Fotovolatik në Karavasta; që qarku ynë të korrë maksimumin nga afrimi i një superprojekti si Spitali Rajonal Memorial (i vetmi i atij formati në Ballkan) në Fier; që qarku ynë të korrë maksimumin nga afrimi i aeroportit në Vlorë dhe nga shëndrrimi i portit të saj në port turistik; që pagat minimale dhe mesatare të vijojnë rritjen, që punonjësit e administratës, mjekët, infermierët dhe mësuesit të paguhen 30-40% më tepër në 4 vitet e ardhshme; që vendi gazifikohet si e gjithë Evropa e ku qarku i Fierit duke qenë pranë industrisë së tillë, korr më së miri frytet e këtij revolucioni energjetik; që procesi integrues i vendit në BE ruan ritmet e larta të qeverisë socialiste; që familjet e reja stimulohen nga shteti e ku njerëzve në nevojë u dyfishohet ndihma shtetërore; që pensionet vijojnë rritjen; që parqet për fëmijë dhe mjediset e gjelbra të dyfishohen siç edhe në të gjithë Shqipërinë; që zëri i fortë çam në Kuvendin e Shqipërisë të dëgjohet nga dy në katër vjet të tjera e nga 8 në 16 fjalë të posaçme; që qytetari i çdo ane të qarkut të Fierit, ta dëgjojë problemin e tij të ngritur në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë me gjuhën e një ligjvënësi.
Katër herë në seancat plenare dhe tre herë në komisionet parlamentare, kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj, më fort, nëse Patosi e qarku Fier më dërgojnë në Kuvend si deputet të Partisë Socialiste, që degët universitare të universiteteve prestigjoze turke dhe evropiane, të shtrihen në fushat mes Fierit dhe Patosit, që rininë e qarkut Fier ta mbajmë këtu mes nesh duke e sjellë sërish jetën universitare në qarkun tonë; që degë të profileve bujqësore të mos i qëndrojnë Lushnjes larg.
Boom-i që agroturizmi do të njohë në këto katër vjet, do të na i gjallërojë e do të na i gjelbërojë kodrat, duke na punësuar të rinj e të reja e duke na sjellë të ardhura për familjet tona. Nxitja postpandemike për bizneset e vogla duke i përjashtuar nga taksat dhe ndihma e strukturuar dhe e padëgjuar më pare për bujqësinë dhe fermerët, do ta forcojë medoemos ekonominë e gjelbër dhe sipërmarrjen e re në qytetin tone. Qarku Fier do të ketë ditë më të mira nëse voton Partinë më të mire, Partinë Socialiste dhe kandidatin e saj, Nimet Musajin.
Kjo letër është ftesa dhe përshëndetja vëllazërore për secilin prej jush, burra e gra, të rinj e të reja, nëna e gjyshër, që po e lexoni. Kjo letër është edhe kontrata mes nesh, që nëse më dërgoni në Kuvendin e Shqipërisë me votat tuaja, do të kufizojë hap pas hapi, punën time të përditshme. Ju faleminderit e kërkoj përulësisht mbështetjen, që përmes meje, në Kuvend të dërgoni një pjësë tuajën, një të ngjashmin dhe njëherësh shërbyesin tuaj.