Nga Prof. Lisen BASHKURTI
Një analizë e vëmendshme e retorikës politike të Edi Ramës të shpie lehtësisht në konkluzionin se demokracia dhe integrimi në Bashkimin Evropian nuk janë në agjendën politike të tij për katër vitet e ardhshme. Duket që Rama hyri në fushatën zgjedhore pa kurrëfarë programi. Ai e zhvilloi programin e tij në proces zgjedhor e sipër dhe në mënyrë ad hoc, pra kryesisht të improvizuar.
Kulminacioni i programit të tij të improvizuar në fushatë e sipër dhe ad hoc janë ‘katër portat ajrorë dhe katër portat detare’ të Shqipërisë dhe arritja ‘në majat më të larta’, për të arritur në pozicionet kampion të Ballkanit për ‘turizëm, eksporte bujqësore dhe energjie’.
Programi i improvizuar në fushatë e sipër i Ramës synon ‘të vazhdojë të bëjë punët e mbetura përgjysëm nga tërmeti dhe pandemia”. Pa pikë dyshimi është një program i improvizuar, diletant, pa profesionalizëm, i pa diskutuar, i pakonsultuar, i papërllogaritur, pa fizibilitet, i sajuar gjatë fushatës, e që për këto arsye nuk të shpie asgjëkundi.
Por ajo që bien në sy mbi gjithcka tjetër është mungesa e dy dimensioneve jashtëzakonsisht të rëndësishme për Shqipërinë, me qëllim që t’i japë fund trazicionit: demokracia dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Këto dy dimensione as që ekzistojnë në agjendën dhe madje as në vizionin e tij politik. Cfarë do thonë këto dy mungesa?
- Autoritarizmi centralist vs demokracinë
Mënyra sesi qeverisi Rama në tetë vite ishte me mungesa dhe përkeqësime shumë serioze të parametrave demokratik në vënd. Demokracia liberale u godit pak nga pak duke shkuar drejt një sistemi hibrid, ku vendin e pluralizmit, zgjedhjeve të lira e të ndershme e zunë autoritarizmi arrogant, zgjedhjet e manipuluara dhe moniste. - Vëndin e qeverisjes demokratike me legjitimitet, transparancë, llogaridhënie dhe gjithëpërfshirje e zunë republika ekzekutive nën një autoritet të vetëm, korrupsioni galopant, injorimi i kujtdo tjetër, fryma perjashtuese në politikë-bërje dhe vendim-marrje.
Vendin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve ndërmjet ekzekutivit, legjislativit dhje gjyqësorit e zuri dukshëm centralizimi dhe tentativa e fortë për kapjen e gjithë pushteteve dhe vënien nën kontroll të kryeministrit.
Vëndi i respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut u dominua nga shkelja e lirisë së mendimit, të shprehjes, të medias e të privatësisë përgjithësisht.
Vëndin e lirisë ekonomike dhe të drejtës së pronës dhe të biznesit e asfiksuan zgjerimi i kontrollit qeveritar mbi ekonominë, favoritizmi, monopolizmi dhe ekskluzivizmi në pak oligarkë të stisur me financa publike.
Për këto shtrëmbërime serioze demokrative Edi Rama as nuk flet, as nuk dëgjon. Ai është i vendosur për t’iu shmagur këtyre cështjeve themelore që kanë të bëjnë me sistemin politik që duhet të ndërtojë e konsolidojë Shqipëria. Rama është duke rrëshqitur qartësisht dhe vetëdijësisht pa kurrë farë ekuivoku drejt modelit erdoganist, që po i largohet trashëgimisë së Mustafa Kemal Ataturkut, demokracisë liberale dhe sekularizmit dhe po i afrohet modelit otomanist.
Shqiptarët e njohin mirë këtë model erdoganist që është autoritarist e otomanist. Shqipëria dhe shqiptarët janë përcaktuar për demokraci liberale Euro-Atlantike qysh në vitet ’90 dhe besoj se nuk do heqin dorë prej saj as sot e as në të ardhmen. Shqiptarët do heqin dorë nga Edi Rama, por kurrësesi nga vlerat, parimet, normat dhe institucionet e demokracisë liberale. - Orientimi Lindor vs Integrimin në BE
Agjenda e Edi Ramës po i largohet përherë e më shumë integrimit në Bashkimin Evropian. Gjatë fushatës elektorale integrimi Evropian as që u zu në gojë në retorikën politike të tij. Në retorikën e tij politike Bashkimi Evropian u bë vetëm objekt kritikash, cinizmi, satirizmi dhe euroskeptizimi. Asnjë vlerësim pozitiv për BE, asnjë falenderim për të, asnjë qasje mbështetëse ndaj tij. Një hendek i madh dukej i hapur midis BE dhe Edi Ramës.
Kriteret e BE të sanksionuara në kriteret e Kopenhagës dhe të Madritit në rafshin politik, ekonomik, juridik dhe administrativ as që konsiderohen nga Edi Rama në qeverisjen e tij. Kërkesat e bëra nga Këshillin Evropian si organi më i lartë politik vendim-marrës në BE dhe kritikat dhe kërkesat e bëra nga demokracitë genuine themeluese të BE si Gjermania, Franca, Holanda, Danimarka, për Edi Ramën janë ‘qasje politike subjektive’ që nuk përkojnë me gjëndjen e Shqipërisë.
Edi Rama është i mendimit se ‘nuk ka devijuar Shqipëria nga rruga Evropiane, por Evropa nuk është më ajo që ka qënë në kohën kur Rama erdhi në krye të qeverisë’. Pra ka devijuar Evropa dhe jo Shqipëria e Ramës nga vlerat, parimet e normat demokratike. Një absurditet i paparë dhe dëgjuar nga asnjë lider, madje as në Ballkan dhe Euro-Azi. Edi Rama është i ngarkuar me ndjenja e mendime jo pozitive ndaj BE.
Në vënd të rrugës drejt BE, Edi Rama ka hedhur sytë, shpirtin dhe mëndjen drejt Lindjes, madje drejt Lindjes më ekstreme, duke nisur nga modeli erdoganist, të cilin e falenderon dhe e lartëson në cdo fjalim, intervistë e koment në rrjetet sociale, e duke kulmuar me Vëndet Arabe, shoqëria e sheikëve të të cilave ka tërhequr gjithë vëmendjen e tij.
Në këtë qasje, madje ka një ndryshim gjeopolitik midis Vucicit dhe Ramës. Vucici qëndron bivalent midis Evropës dhe Rusisë, ku Rusia, dihet që është një komb Euro-Aziatik, pra mpleksje e vlerave Europiane dhe Aziatike, pavarësisht problematikave të Putinit dhe putinizmit. Ndërsa Rama qëndron bivalent midis Evropës dhe Lindjes së Mesme, ku dihet që vëndet e të cilës nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat Evropiane. Pra, qasja e Ramës duket të jetë më e skajshme sesa e Vucicit në rafshin gjeopolitik.
Mungesa e dimensionit demokratik dhe e integrimit Evropian ne agjendën e këtyre zgjedhjeve të Edi Ramës tregon se ai nuk arriti as në këtë fushatë zgjedhore të lartësohet në nivelin e shtetarit vizionar që mendon për gjeneratat e të ardhmes, por ngeli në nivelin e politikanit të vogël pushtetdashës e dritëshkurtër, që mendon vetëm për mandatet, pra për veten e tij. “Politikani-thoshte Cercilli- bëhet burrë shteti kur fillon të mendojë për brezat e ardhshëm e jo për zgjedhjet e ardhshme”. Duket që Edi Rama është larg të qënit i tillë. Ai po heq dorë nga demokracia dhe integrimi Evropian i vëndit që janë aspiratat shekullore të popullit shqiptar. Prandaj populli shqiptar do heq dorë nga Edi Rama dhe do luftojë që aspiratat e tij të bëhen realitet.