Nga Kimete Berisha
Kur u bë iftar, dola nga banesa.
Më pëlqen ajo heshtja e madhe që e gjej ramazaneve, në rrugët e boshatisura, natën nëpër shi.
Asnjëri në rrugë.
Më dukej qetësia e madhe po m’i shpëlan mendimet e egra dhe shiu po i shlyen fjalët e mia të tepërta.
Nganjëherë e humb besimin, sikur kur nuk e gjen çelësin e banesës që e ke para syve;
Nganjëherë e humb shpresën, sikur kur i lyp syzet që i ke në sy;
Nganjëherë të humb shpirti, të bëhet zemra gur, nuk ndjen mëshirë për askënd, as nuk lyp mëshirë për veten!
Më mirë është të ndjehesh keq, sesa të mos ndjesh asgjë, sepse s’ka ndjenjë më të keqe sesa kur nuk ndjen asgjë!
E kaluara ka faj, për gjithçka!
Dikush të këshillon: Mos shko pas hijes, por ktheja shpinën hijes, se kur ia kthen shpinën
ajo vjen pas teje.
Shikova në tokë dhe i pashë dy hijet e mia!
Fryente një erë e akullt, që i përplaste pikat e ftohta të shiut në sytë e m’i, si në dritaret pa perde.
Ndal.
Çka ke sonte o shpirt që ik nga vetmia e shtëpisë në kërkim të një vetmie më të madhe në rrugë!
Do ta blej një bukë. Hyra në një market të njohur. Nuk kishte njeri veç shitëses.
E pyeta: A agjëron?
Tha: Po.
E ke bë iftar?
Tha: Jo. Veç ujë kam pirë….
Më kanë lënë vetëm….nuk guxoj ta mbyll dyqanin!
Kish kaluar një orë që kur ishin dhezur kandilat. Vajza nuk e kishte humbur besimin! Se, ai që ia ndalon iftarin ai han iftar anipse nuk agjëron!
Je e mërzitur? – pyeta.
Jam nervoz – tha.
Dola kokëulur. S’i t’i them ‘qetësohu’ kur mua vetja ime nuk po më përfill kur po i them ‘boll’!
Pse Zoti i duron këta skllavopronarë, që i shfrytëzojnë punëtorët si skllevër!
Padrejtësi e madhe në tokë, drejtësia nuk pikë prej qielli, kur duam ne!
Po, është e mundur që në Kosovë, punëtori s’ka të drejtë të ulet të ha bukë, kur vjen koha e bukës!
Ironia më e madhe është që duron urie edhe ai që punon në furrë buke!!
Presidentja çdo ditë shkon varr më varr, ua qajnë hallin heronjëve, në vend se të angazhohet dikush të merret me padrejtësitë barbare që bëhen ndaj punëtorëve në sektorin privat.
Ata s’kanë të drejtë as të hanë me orar!
Ata shfrytëzohen si në mesjetë!
Edhe në sektorin publik ka diskriminim sa të duash, por më pak.
Për shembull nëse je udhëheqës, ha,, pin, telefonon me pare të shtetit, e nëse je zyrtar ha e pi me pare t’ua!
Pra, nëse je menaxher ke të drejtë të ushqehesh në Kosovë, nëse je punëtor s’ke të drejtë!
Është shumë zor të bëhet ky shtet, derisa sektori privat është në duar të skllavopronarëve!
P.S. Hasta la vista, baby!