Tregu i punës në vendin tonë paraqitet mjaft problematik, sidomos në drejtim të informalitetit, i cili pritet përkeqësojë varfërinë në të ardhmen në moshat e treta, ndërsa aktualisht po deformon sistemin fiskal, pasi një pjesë e të ardhurave nga taksat shkojnë për pagesën e pensioneve që nuk mbulohen nga kontributet.
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) analizon se pandemia e Covid-19 ka ndikuar negativisht në treguesit e punësimit, duke e rritur më tej informalitetin në një vend si Shqipëria.
Për shkak të pandemisë, sistemet ekzistuese të sigurimeve shoqërore kanë një trend në rënie të mbulimit me kontribute të të punësuarve në moshë pune të popullsisë, referon ILO.
I ftuar në “Wake Up”, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli theksoi se kjo situatë mjaft shqetësuese, pasi ata nuk japin kontribute për shtetin. Sipas tij, kjo ndikon direkt në skemën e pensioneve.
“Situata është shumë shqetësuese, sepse është më shumë se gjysma që nuk paguan sigurime. Pra më shumë se gjysma është e punësuar, por nuk jep kontribut për shtetin.
Pse duhet dhënë ky kontribut për shtetin? Sepse ky kontribut mban skemën e pensioneve. Ne kemi 650 mijë pensionistë, rreth 700 mln euro u duhet për të përballuar pensionet e tyre.
Ndërkohë, ti ke 55%, pra më shumë se gjysmën e atyre që janë të punësuar, nga mosha 20-60 vjeç që nuk figurojnë në regjistrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ky institut merr paratë për të shpërndarë më pas pensionet.
Kjo është shqetësuese, sepse kjo skemë pensionesh prej dekadash nuk mbahet vetë. Nuk ka as paterica që ta mbajnë, kjo është një skemë që mbahet me subvencione, pra me dhurata nga buxheti i shtetit. Më pak se gjysma që kontribuojnë, nuk e përballojnë dot skemën”, sqaroi eksperti i ekonomisë.
Top Channel