Përktheu Gladiola Jorbus
Anzhela Dimcheva, e lindur në Sofie / Bullgari, më 12 shkurt 1963. Ajo është gazetare, poete, kritike letrare, redaktore, sekretare e përgjithshme e Qendrës Bullgare PEN.
EGO
Para se lulja të thahet,
puthe me një nga lotët e tu.
Para se të dënohesh me urrejtje,
thuaj dy fjalë të mira.
Para se të ledhatosh fëmijën tënd,
pyete dorën përse godet, atë të të tjerëve.
Para se të strukesh në vetmi,
dëgjo zërat e njerëzve të lumtur.
Sepse veç muzika e paekzistueshme
e formave, e shenjave, e mendimeve dhe, dëshirave do të të mbrojë nga dëshira atavike e të qenit më shumë se të tjerët,
duke e shkelur lulen
me këpucët plot baltë.
Shkëputur nga ‘’Gjilpërat në ëndërr ‘’ – Vëllimi 2
Ai u dashurua me dritën e moçalit … Në sfumaturën e paqyrimit të tij, njeriu sheh vetëm imagjinatën: jo ëndrrat, por një ëndërr; jo një fluturim, por një ngritje; jo retë, por fluturat …
Vetëm një çast – dhe shiu do të shfaqë fytyrën e Zotit.