Home KRYESORE Simfonia e korbave

Simfonia e korbave

Nga Gladiola Jorbus

Në abisin e trishtimit
si brerore hëne mbi det –
shfaqet perimetri i ëndrrave.
Në vorbullën ku enden
psherëtimat e plogështa –
duzina pendësh zezane
regëtijnë për meloditë e harruara.
Nga zbaticat e shpirtit,
krakëllima të ftohta si shkundadimri
kthjellohen në horizonte të hapura.
Simfonia e korbave oshëtin
në jehonën e shekujve:
për Adamin dhe Evën,
për majën e stolisur të Olimpit,
për Gralin e shenjtë të Krishtit.
… dhe butësia zgjohet nga thellësitë
e ekzistencës –
…teksa trishtimi nanuriset
në krahët e mi.

Share: