Lëvizshmëri intensive diplomatike ka pasur në 24 orët e fundit në trekëndëshin Athinë-Tripoli-Ankara. Disa ditë pasi ka shoqëruar kryeministrin Mitsotakis në Libi në takimin e tij me kryeministrin e qeverisë së përkohshme të unitetit kombëtar, kreu i diplomacisë greke ka shkuar përsëri, kësaj here në Bengazi ku ka rihapur konsullatën greke.
Aty ai ka falenderuar publikisht kryeministrin e parë plotësues Al Katrani për pozicionimin e tij, gjatë të cilit ka pohuar se memorandumi i Ankarasë me Tripolin për ZEE mes dy vendeve është i paligjshëm.
“Greqia është në dispozicion të Libisë për të rënë dakord mbi zonat tona detare. Kishim arritur shumë pranë siç më thatë, jashtëzakonisht afër, marrëveshjes detare të vitit 2010, nuk kishin mbetur shumë hollësi për të përfunduar këtë marrëveshje”- tha Dendias. Memorandumi në fjale mes Ankarasë dhe Tripolit u nënshkrua nga qeveria e atëhershme,por nuk u aprovua nga parlamenti dhe ka shkaktuar një tension të ri gjatë vitit të kaluar që solli shpeshherë përballë anijet luftarake turke e greke në Egje për zonën detare në jug të ishullit grek Kastelorizo, midis Kretës dhe Qipros.
Sipas Turqisë, ishte brenda zonës për të cilën nënshkroi marrëveshjen me qeverinë e Tripolit në Libi ndaj do të fillonte kërkime për gaz natyror, ndërsa Greqia u përgjigj se ajo ndodhej brenda zonës së saj ekonomike ekskluzive. Nga ana e saj qeveria e re e përkohshme e unitetit kombëtar të Libisë po përpiqet të vendosë një ekuilibër midis Turqisë dhe Greqisë. Në të njëjtën ditë kryeministri Libian vizitoi Ankaranë dhe presidenti Erdogan është pozicionuar menjëherë duke ju përgjigjur deklaratave greke.
“Memorandumi i mirëkuptimit në lidhje me juridiksionin detar në Mesdhe që ne nënshkruam me fqinjin tonë Libinë, ka siguruar interesin dhe të ardhmen e të dy vendeve”- tha Erdogan.
Këto zhvillime vijnë vetëm dy ditë para vizitës së ministrit të Jashtëm grek Nikos Dhendias në Ankara dhe takimit të tij me homologun turk Mevlut Cavusoglu, ndërsa në të njëjtën orë viziton Athinën edhe Mohammad Younes Menfi president i qeverisë së përkohshme të Libisë .
Top Channel