Home Approccio Italo Albanese Zgjedhjet e 25 prillit, ambasadori Bucci takon Celibashin

Zgjedhjet e 25 prillit, ambasadori Bucci takon Celibashin

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill në Shqipëri, Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, zhvilloi sot një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ambasadori falënderoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën e kryer deri tani si dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për veprimtarinë e ngjeshur e delikate në ditët në vijim. Në fakt roli i Komisionerit Celibashi do të jetë kyç edhe pas ditës së zgjedhjeve, kur do të duhet të çertifikohet zhvillimi normal i procesit zgjedhor.

Zgjedhjet duhet të zhvillohen në një klimë të qetë, pa përdorimin e dhunës. Në demokraci dita në të cilën votohet duhet të jetë një festë. Është çasti më i rëndësishëm dhe më i shenjtë pasi përfaqëson momentin në të cilin populli shpreh dhe vendos se prej cilit dëshiron të qeveriset. Për këtë arsye dënojmë me vendosmëri aktet e dhunës të ditëve të fundit. Dhuna nuk përkon me demokracinë. Nuk është kjo ajo që duan dhe që kërkojnë shtetasit shqiptarë.

Këto zgjedhje do të jenë tejet të rëndësishme. Sytë e Evropës dhe gjithë botës do të përqendrohen tek Shqipëria. U bëhet thirrje të gjitha forcave politike dhe të gjitha institucioneve shqiptare të tregojnë përgjegjshmëri, vetëpërmbajtje e pjekuri në një vit në të cilin do të çelen, të paktën ky është urimi dhe shpresa e Italisë, negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në konfirmim të mbështetjes së plotë për zgjedhje të rregullta, të lira e, mbi të gjitha, të qeta, Ambasada e Italisë do të vëzhgojë zhvillimin e zgjedhjeve me disa grupe vëzhguesish që do të vendosen në disa zona të Vendit. Në kuadër të Asambleve Parlamentare të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, në përbërje të grupeve ndërkombëtare të vëzhgimit do të jenë edhe shtatë deputetë dhe senatorë italianë.

Italia i ndjek zgjedhjet në Shqipëri me të gjithë afërsinë, gjithë vëmendjen dhe gjithë ngrohtësinë më të cilën ndjek gjithmonë një Vend të veçantë, mik e vëlla. Jemi besimplotë se në një çast kaq të rëndësishëm zgjedhësit shqiptarë, partitë politike dhe Institucionet do të dinë të tregojnë se janë në lartësinë e duhur të këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor.

Share: