Home Gjeo-Ekonomia Defender 21 dhe hijet e Ballkanit që mbeten pas

Defender 21 dhe hijet e Ballkanit që mbeten pas

Nga Azem PARLLAKU

Si një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga Komanda në Evropë dhe ajo në Afrikë e ushtrisë së SHBA-së, “Defender-Europe 21” synon të ngrejë gatishmërinë dhe realizojë ndërveprimin midis ushtrisë së SHBA-së, NATO-s dhe ushtrive partnere, në mënyrë që bashkërisht të jenë të përgatitura për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi. Në ndërkohë kjostërvitje ushtarake demonstron aftësinë e SHBA-ve për të shërbyer si një partner strategjik sigurie në rajonet e Ballkanit Perëndimor dhe Detit të Zi.

Shqipëria është angazhuar si pjesë e përbashkët e logjistikës në bregdet, njohur me inicialet JLOTS (Joint Logistics Over-the-Shore-Logjistikë e përbashkët në bregdet) e cila do t’i mundësojë ekipit të shërbimit amerikan të përdorë anije për të ngarkuar dhe shkarkuar personel dhe pajisje ushtarake. Për Shqipërinë kjo është një ngjarje e rëndësishme, sepse do të jetë hera e parë që një JLOTS ndodh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Stërvitjet në këtë shkallë janë të parat në Ballkanin Perëndimor si ushtrime vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga SHBA-ja. Natyra e tyre është mbrojtëse dhe përqendrohet në parandalimin e agresionit.

Përse disa nga vendet e Ballkanit duhen mbajtur nën sqetullën e sigurisë?!

Ballkani nuk është më shumë se një gadishull i botës mesdhetare, që shkon prej ishullit të Siteritit në jug deri në Danub dhe Savë në veri, një përzierje etnish dhe besimesh fetare, një mozaik popujsh që i janë kundërvënë njëri-tjetrit gjatë shekujve, një grup shtetesh ku ka pakica irredentiste, që u shfrytëzuan dhe u mbështetën nga Fuqitë Evropiane dhe shkaktuan Luftën e Parë Botërore, për t’u ndezur më ashpër gjatë Luftës së Dytë. 

Më pas për gati pesëdhjetë vjet, me përjashtim të Greqisë në shtetet e tjera të gadishullit të quajtur Ballkan, u vendos rendi që vinte nga Moska. “Urë” apo “udhëkryq” midis Evropës dhe Azisë, “fuçi baruti” apo “fushë dyluftimi”, të gjitha epitetet janë të vërteta, e nuk e shterojnë larminë e hatashme të viseve dhe të njerëzve të këtij gadishulli, ku janë përjetuar makthet e pushtimit nga pesë perandoritë: persiane, romake, bizantine, otomane, dhe ruse. 

Deri në vitin 1815 harta e Ballkanit ishte ende njëngjyrëshe, njollat me ngjyra të ndryshme, që u shtrinë mbi gadishull gjatë shekullit XIX, ilustronin fitoren e nacionalizmave dhe tërheqjen e “njeriut të sëmurë të Evropës”. Modeli i shteteve të reja ishte ai i kujdestarëve të tyre. Koha më vonë provoi që, kopjet përfunduan në karikatura. Irredentizmat territoriale degjeneruan në konflikte me armë, ndërsa klientelizmi, korrupsioni, vrasjet politike, grushtet e shtetit, nuk mund t’i bindnin kujdestarët. Ndaj Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, luajtën lojën e shahut duke lëvizur gurët e tyre që quheshin Serbi, Greqi, Bullgari, Shqipëri, etj. 

Konflikti i parë botëror çoi në zhdukjen e perandorive osmane por edhe të asaj ruse, që kishin ndërhyrë shpesh në Ballkan. Ishte ora e demokracisë së Uillsonit, por shpejt ra ora e fashizmave dhe diktaturat mbretërore në Ballkan përpiqeshin herë haptas, herë tërthorazi të siguronin favoret, madje mbrojtjen ose të Duçes, ose të Fyhrerit, ndërsa vaniteti i të parit dhe oreksi i shfrenuar i të dytit e zvarritën përsëri gadishullin në katastrofën botërore, ku rekuizimet, shpërnguljet, dhe ekzekutimet në masë ishin ndodhi të zakonshme. 

Popujt e shtypur të Ballkanit të inkurajuar nga anglo-saksonët dhe të stimuluar nga partitë komuniste që ishin të lidhura Moskën, organizuan lëvizjet e rezistencës. Ushtria e Kuqe mbërriti në Bukuresht, Sofje e në Beograd, ndërsa shqiptarët e çliruan vetë Tiranën, ndërkohë në Athinë zbarkuan ushtarët britanikë. Gadishulli u kthye përsëri njëngjyrësh nga pikëpamja politike, sociale dhe ideologjike, ku përjashtim bënte vetëm Greqia, ku u vendosën bazat ushtarake amerikane. 

Me fundin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e Murit të Berlinit, si ngjarje të jashtëzakonshme historike, shpresëdhënëse dhe me ndikim mbarëbotëror, Ballkani ironikisht u mbërthye në spiralen e dhunës. Europa e pasviteve të 90-ta të shekullit të kaluar, njohu një përshpejtim të integrimit të saj të brendshëm dhe të jashtëm, e sigurisht mbreslënës dhe për ish-vendet komuniste, të cilat u bënë partnerë me Perëndimin, ku të gjitha u anëtarësuan në OSBE, depozituan kërkesa për anëtarësim në NATO dhe BE, proçes ky që ende vazhdon. 

Në kundërshtim me këtë panoramë bashkëpunuese dhe integrimi, Ballkani përjetoi katër luftëra si rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Një dekadë pas rënies së Murit të Berlinit, Ballkani iu paraqit Perëndimit si një sfidë e madhe strategjike, në të cilën u përfshi dhe NATO. 

Për shkak të armiqësive të vjetra, mosmarrëveshjeve etnike, fetare e kulturore, mungesës së traditave demokratike brenda shteteve dhe në nivel rajonal, si dhe mungesës së traditës paqësore në bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh, në fund të shekullit të kaluar, u regjistruan me dhjetra mijëra të vrarë, u prodhuan një numër jo i vogël krizash humanitare, ndërkohë që incidentet dhe provokimet ndërmjet shteteve dhe grupeve të individëve të ndryshëm pothuaj janë të përditësuara. 

Në thelb marrëveshjet e tilla si ajo e Dejtonit për Bosnje-Hercegovinën, ajo e Ohrit për Maqedoninë e Veriut, Rezoluta 1244 për Kosovën, etj, nuk janë implementuar sa e si duhet për shkaqe nga më të ndryshmet, e të ditura botërisht. Kjo klimë e mosimplementimit të marrëveshjeve të cituara, ka nxitur jo pak dialog dhe tryeza të ndërmjëtësuara, konkluzionet e të cilave i nënshtrohen ekspertizës së institucioneve ndërkombëtare, ku këto të fundit i kanë të “tepruara” qasjet burokratike, teksa duhet theksuar se ndikohen dhe nga lobe të interesave të caktuara. 

Aktualisht, vendet e Ballkanit Perëndimor vuajnë mosdakortësitë brenda sistemeve të politikës dhe qeverisjes, partitë në pushtet dhe qeverisjet aatemohen si të korruptuara dhe dhe që e ushtrojnë të drejtën e pushtetit me metoda jodemokratike. 

Kështu për shembull: Në Shqipëri me shumë vështirësi u arrit konsensusi për reformën më të rëndësishme dhe me interes publik, siç është ajo e Drejtësisë, implementimi i të cilës ka efekt të jashtëzakonshëm në lidhje me klimën e mirëbesimit të brendshëm dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Zgjedhjet Parlamentare të 25 Prillit, të konsideruara si më tërëndësishmet dhe të pranuara nga partitë politike dhe institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, shpresohet tëkrijojnë hapësirat drejt rrugës së hapjes së negociatave të Bashkimit Europian me vendin tonë. Ndërkaq ka zërra ndryshe që komentojnë se në Shqipëri demokracia është e sulmuar nga elitat politike dhe ekonomike, duke e vendosur vendin në një pikëpyetje të madhe.

Në Serbi, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i qeverisë së Millosheviqit në 1999, gjatë luftës në Kosovë, është president që përgjatë drejtimit të tij, herë duket evropianist, e herë i dashuruar me Moskën. Në Serbi pothuaj i gjithë spektri politik promovon ambiciet për një dominim serb të Ballkanit, e këtë përpiqet t’a bëjë duke u afruar shumë me Rusinë. 

Në Maqedoninë e Veriut, stabiliteti i brendshëm është i brishtë si pasojë e dallimit esencial midis komuniteteve, ku ai i shqiptarëve edhe pse është popull shtetformues, është lënë dukshëm pas dore, dhe për më keq se kaq, ende partitë-klube të shqiptarëve manipulohen lehtësisht nga grupimet politike maqedonase.

Në Malin e Zi, skandalet  që lidhen me emrin e Gjukanoviçit që kur ai është në pushtet janë të panumërta, herë si nacionalist dhe luftënxitës, herë si miku më i mirë i një numri të madh oligarkësh rusë, e deri te përpjekjet si demokrat dhe aleat besnik i Perëndimit. Modernizimi dhe europianizimi i Malit të Zi nuk mund të vijë kurrsesi nga Milo Gjukanoviçi, një njeri që simbolizon një sistemin të korruptuar dhe autokratik.

Në Kosovë tendencat e zhvillimit politik të shoqëruar me ashpërsi politike, janë karakteristikë jo e dëshiruar për një shtet të ri demokratik siç është Kosova. Mbledhja e mllefit dhe lufta politike i ka dëmtuar jo pak interesat e qytetarëve. Kosova nuk po shpëton prej dramacitetit të tepruar politik dhe mbledhjes së emocioneve e shkarkimit të tyre mes vetë partive politike. Dialogu me Serbinë është sfida e qeverisë të Albin Kurtit. Duke marrë parasysh që dy qeveritë e fundit kanë rënë për shkak të dialogut me Serbinë dhe pikërisht çështja me të cilën duhet të merret qeveria Kurti është dialogu dhe përmbyllja e tij me një marrëveshje me Serbinë, që do t’i hapte rrugë anëtarësimit në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare tëKosovës si shtet.

Dhe sikur të mosmjaftojë problematikat sa më sipër Ballkani duket se ka gjasa të shndërrohet në qendrën e konfrontimeve midis fuqive të Perëndimit dhe Lindjes. Pavarësisht konfigurimit që do të ketë ripërcaktimi i zonave gjeopolitike dhe gjeoekonomike midis deteve Adriatik, të Zi, Kaspik dhe Mesdheut Lindor, Ballkani paraqitet si një njësi e rëndësishme, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian Turqia dhe Rusia kanë interesa të mëdha. Veçanërisht ambiciet e Erdoganit dhe Putinit në lidhje me Ballkanin nuk duhen shpërfillur. 

Turqia një ekonomi e zhvilluar po investon fuqishëm në Kosovë dhe Shqipëri. Në Kosovë investimet areportuale, në energjitikë dhe autostrada, janë tërësisht investime turke, teksa dhe në Shqipëri, invesitorët nga Turqia, po fitojnë terren çdo ditë dhe më tepër. 

Modeli i ekonomive në tranzicion, i ekspozon dukshëm shtetet e Ballkanit përkundrejt investimeve të haja. Aktualisht, Rusia është ajo, e cila pothuaj e ka joshur Serbinë nëpërmjet marrëveshjeve në këtë fushë, ndërkohë që edhe Mali i Zi nuk mbetet pas, po të kihet parasysh, që 1/3 e investimeve në këtë vend janë të investitorëve nga Rusia. 

Konfigurimi i ri gjeopolitik e gjeoekonomik i Ballkanit, i ardhur për shkaqe historike, politike, ekonomike e ushtarake, bëri që faktori ndërkombëtar të ndërhyjë aktivisht në Ballkan, respektivisht nga koha e konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë dhe Maqedoni, ç’ka ka bërë në realitet një Ballkan dymbëdhjetë shtetesh, nga gjashtë që kish dikur. Kykonfiguracion në vazhdimësi ka rritur rolin e mekanizmave diplomatike, pse jo dhe ushtarake. 

Mbi këtë frymë Rusia e ka joshur Serbinë për të ngritur në zemër të Ballkanit, aty në Luginën e Preshevës një grup bazash ushtarake, ku janë instaluar raketat e blera në Rusi. Bëhet fjalë për një bazë ushtarake shumë afër asaj amerikane të Bonstill-it në Ferizaj. Shumë analistë e kanë cilësuar dhe Bonstill-in rus. Ndonëse duket e pamundur, por gjithësesi nuk duhet nënvlerësuar kërcënimi që mund t’i vijë Kosovës nga një prezencë e tillë ushtarake në kufijtë e saj. Po të kihen parasysh platformat politike të shtetit serb dhe interesesat hemogjioniste në Ballkan, nuk është çudi që të frymëzuar nga Rusia, serbët mund të provokojnë një luftë të armatosur, efektet e të cilës do të shtriheshin dhe në shtetet tjera si Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi edhe pse këto shtete janë anëtare të NATO-s.

Infrastruktura e armëve ruse në Ballkan, por edhe në rajone të tjera është e rrezikshme, aq më tepër ajo bëhet nëse Rusia provon krizën e brendshme, çfarë do të thotë se këto instalime ushtarake do të mbeten të ekspozuara dhe të pakomanduara siç duhet. Nëse ky skenar do të ndodhë atëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO mbeten i vetmi garant. Rusia, kjo fuqi ushtarake në rritje ka zgjuar interesat e saj, duke u deklaruar hapur në mbështetje të shteteve si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Duke mos qenë si “modeli i shtetit” për t’u konsideruar roli i Rusisë në rajon shihet me shumë rezerva, si nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu dhe nga vendet e Bashkimit Evropian. 

Bashkimi Evropian tashmë pa Anglinë, e ka shprehur ambicien për të marrë nën sqetull rajonin. Nëpërmjet mekanizmave të tij Unioni këshillon dhe monitoron qeveritë ballkanike, ndërsa kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë, topi lihet në fushën e amerikanëve dhe rolit të NATO-s. E shkuara e largët, ajo e afërt, atmosfera sot dhe shanset e të nesërmes, dëshmojnë që maskat e paqes në Ballkan bien shumë lehtë, ndaj elitat politike e intelektuale në rajon, duhet të rrijnë zgjuar. 

Share: