Sistemi politik, trualli ku zhvillohen e rriten lëvizjet politike është kontaminuar tërësisht. Është nevojë urgjente një lloj i zgjimit politik. Ky zgjim duhet të jetë në akordancë me mekanizmat parlementar dhe në përputhje me interesat jetike të kombit.
Shkruan: Dr Sadri Ramabaja
Prishtinë, 8 maj – Fashizmi konsiderohej deri vonë si një fenomen që ishte i kufizuar në “epokën e tij”, e që përthekonte gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Ai konsiderohej se është zhdukur si ideologji me shuarjen e Luftës së Ftohtë.
Kërkimet e fundit kanë vënë në dyshim këtë përfundim që ndërlidhet me këtë përkufizim kohor të fashizmit. Sipas politologut Zeev Sternhell, fashizmi ishte “pjesë integrale” e shekullit të 20-të dhe jo vetëm një shpërthim i periudhës së luftës. [Zeev Sternhell: 1999]
Fashizmi si ideologji dhe fenomen politik, po rezulton i pranishëm edhe në ditët tona. Historiani Robert Paxton gjithashtu shkruan për mbijetesën e fashizmit edhe sot e kësaj dite. Ai e përkufizon fashizmin si “një formë e sjelljes politike” e cila përcaktohet nga një “preokupim obsesiv me rënien, poshtërimin ose rolin e viktimës së një komuniteti dhe nga kulte kompensuese të unitetit, forcës dhe pastërtisë”.
Një “parti e bazuar në masën e aktivistëve të vendosur nacionalistë në një bashkëpunim të pakëndshëm, por efektiv, me elitat tradicionale po heq dorë nga liritë demokratike” dhe po ndjek “qëllimet e pastrimit të brendshëm dhe zgjerimit të jashtëm me anë të një force që lavdërohet si e shpenguar dhe pa kufizime etike ose ligjore “. [Samuel Salzborn: 2017]
1.
Në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, menjëherë pas lëvizjes studentore të filleve të viteve 60-ta, si produkt i paknaqësive të thella pikërisht në raportet e Shtetit me të djathtën gjithandej në Perendim, na shpërfaqet në skenën politike e majta ekstreme në trajtën e Brigadave të Kuqe, 17 Nëntorit…
Po në këtë periudhë, fill pas shuarjes së protestave masive studentore, profilohet edhe
E djathta e re. Historikisht ajo do të njihet si një lëvizje që u shfaq në fund të viteve 1960-ta, e që do t‘i vinte vetes për detyrë “formimin e një metapolitike intelektuale dhe arritjen e një hegjemonie kulturore (të djathtë)” si qëllime strategjike. [Samuel Salzborn: 2017]
Në këtë mënyrë kjo lëvizje po bënte përpjekje serioze të shkëputet nga çfardo ndikimi i të djathtës së epokës së fashizmit. Ndikimet nga Franca si në rastin e parë, me lëvizjen majtiste së cilës i printe filozofi i madh J.P.Sartri, edhe me këtë të djathtë të re, janë më se të venerueshme. Në Francë në këtë kohë ishte themeluar një “Nouvelle Droite”, që po pretendonte të krijonte shtigje krejt të reja për të djathtën e re. Teoricienët e këtij mendimi çuditërisht bazoheshin tek autorë të periudhës së luftës, të cilët ishin mbledhur nën paradoksin e një “revolucioni konservator”.
Në hapësirën shqiptare ky fenomen, për paradoks, ishte tejet i parakohshëm – ai po vinte në jetë përmes krijimit të NDSH-së.
Pas Marrëveshjes së Mukjes, (1943), ndaj Ballit Kombëtar, si forcë politike kombëtare zhvillohet një fushat komprometuese, duke e akuzuar drejtpërdrejt si bashkëpunëtore të fashizmit, dhe pas kësaj lindi nevoja që krerët e saj të mblidhen dhe me ndihmën e misionarëve diplomatik të shërbimeve informative angleze, në nëntor të vitit 1943, në Gjakovë të iniciohet formimi i ONDSH-së. Tutje ajo do të veprojë duke u shtrirë në gjithë hapësirën shqiptare që ishte e aneksuar nga Jugosllavia. Komiteti Qendror i NDSH-së në Shkup u formua në prill të vitit 1945 dhe veprimtarin e vet e zhvilloi edhe në Kosovë e Maqedoni. Themeluesit e saj ishin: Prof. Ymer Berisha (truri i saj), pastaj vinin profesorët e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë: Luan Gashi, Hajdar Maloku-Planeja, Gjon Sereqi, agronomi Adem Gllavica, gjykatësi Limon Staneci, gjykatësi Ibrahim Lutfiu, Ukë Sadiku, Ejup Binaku, Ajet Gërguri, Rexhep Bunjaku , Azem Morina…
Në Shqipërinë politike diktatura e sapoinauguruar komuniste (1945), kishte shuar çfardo mundësie për veprim legal të forcave konkuruese politike.
Kjo e djathtë e re (NDSH) ndër shqiptarët në Kosovë e Maqedoni, rezulton të ketë qenë një lëvizje e gjerë politike me shtrirje gjithandej në hapësirën shqiptare të aneksuar nga Jugosllavia. Ajo frymëzimin e gjente tek idetë për luftë kundër komunizmit si ideologji, por edhe në dobi të kauzës kundër penetrimit të sllavizmit në Evropë, ngjashëm siç do të veprojë edhe e djathta e re evropiane.
Pas shuarjes së Jugosllavisë dhe rënies së komunizmit, si në Shqipëri edhe në tokat tjera shqiptare të aneksuara nga tashmë tri republikat sllave, që do të profilohen si shtete të reja në harëtn politike të Evropës Juglindore të pas Luftës së Ftohtë (Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut), e djathta e re e riinstaluar në Tiranë e Prishtinë, në vend që të shfrytëzojë modelin e NDSH-së, ajo imitoi deri në detaje projektin e së djathtës greke (Nea Dimokratia -greqisht Νέα Δημοκρατία, në kuptimin Demokracia e Re). Jo rrallë, sidomos e ashtuquajtura e djthtë konservatore në Maqedoni dhe Kosovë, burim frymëzimi ka “Thellësinë strategjike” të Ahmet Turgutoglu-së, që prodhoi Neootomanizmin në Turqi.
2.
Mendimi politik i së djathtës në Shqipërinë politike meqë vazhdon të dominohet nga Nea Dimokratia greke, nuk kishte si të mos prodhonte fenomenin e Ardit Bidos, fatkeqësisht edhe Drejtor i Përgjithshëm i Arkivit Qendror te Shtetit dhe atë të Samire Bllca- Balajt, drejtoreshë e Shkollës fillore “Asim Vokshi” në qytetin e Prishtinës.
Drejtori i Arkivave Shqiptare, Ardit Bido, i ftuar në emisionin ‘Opinion’ shprehet shqeto për Qemal Stafën: “Miti i Qemal Stafës është një ndër mitet më absurde që kemi ne. Nuk kemi të bëjmë me një akt heroik, siç mund të themi për Vasil Laçinqë i doli para Mbretit të Italisë dhe donte ta vriste.“ Tutje, pa u skuqur fare, ky nefashist potencon se „me rastin e Qemal Stafës nuk kemi të bëjmë as me ndonjë përleshje, por është vrarë nga xhandarmëria. Nuk kemi të bëjmë me një dyluftim ballor. Nuk kemi të bëjmë as me një akt heroik dhe patriotik”!
Simotra e tij në fushën e mendimit politik në Prishtinë, Samire Bllca- Balaj, drejtoreshë e Shkollës fillore “Asim Vokshi”, po këto ditë, një prindi të një nxënëseje të kësaj shkolle, ish ushtar i UÇK-së, i thotë troç: “Asim Vokshi nuk ishte hero, ai ishte një ISIS i kohës së tij!” Kjo deklaratë e saj, nga ushtari idealist i UÇK-së (E.S.) mu bë e ditur tek sot. I indinjuar, po e bëj publike këtu, duke i bërë thirrje Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës dhe MASHT-it që të marrin masat e duhura.
Si në rastin e parë, edhe në këtë të dytin, gjithësesi nuk kemi të bëjmë me lajthitje të rëndomtë. Këto përfundime janë produkt i pastër i fashizmit modern, shumë aktiv edhe në hapësirën shqiptare.
Qemal Stafa dhe Asim Vokshi janë vlera kombëtare të patjetërsueshme dhe cenimi i figurës së tyre është fyerje e rëndë për gjithë idealistët e të gjithë brezave të Shqipërisë reale. Nuk vijnë të rastësishme këto deklarata-bombë në ditën e dëshmorëve të kombit (më 5 maj) dhe në prag të fitores ndaj fashizmit në rrafshin botëror (9 maj).
3.
Në publicistikën e së Djathtës së Re gjithandej në Europë, klasikët e Revolucionit Konservator të viteve 1920 dhe 1930 vazhdojnë të gëzojnë mbështetje të fuqishme.
Ndër shqiptarë kjo frymë identifikohet me ideologun e Ballit Kombëtar ,Mit’hat Frashërin. Vlerësimet e autorëve aktualë të djathtë, jo rrallë, citojnë formulën e “revolucionarit konservator” të Edgar J. Jung, sipas së cilës demokracia është “rregulli i inferiorit”. [Ellen Kositza/Götz Kubitschek: 2015] Përkufizimi i Jungut për “inferioritetin” përfshin kategoritë shoqërore dhe etnike.
Jynger vazhdoi tutje të proklamonte: “Ne nuk do të ndalemi askund, përderisa t’ i përshkojmë të gjitha fushat e përflakura nga zjarri i avionëve që goditën gjithandej të majtën, për të eliminuar edhe ato mbetje, ku flakëruesi nuk ka kryer pastrimin e madh deri në asgjësim”, duke i dhënë krah kështu Lëvizjeve Identitare neofashiste me sllogane krejtësisht fashiste, përmes të cilëve po u shpërlan trutë mbështetësve edhe sot.
Adhuruesit e tij sot, edhe në hapësirën shqiptare, janë të impresionuar nga qëndrimi pa kompromis që atbotë ai kishte kundër liberalëve dhe majtistëve.
Neofashizmi dhe neootomanizmi ndër ne na rezulton edhe si refuzim total i kulturës politike dhe “lloji ideal i një ideologjie përmbysëse”. [Zeev Sternhell: 1999]
Populizmi i djathtë me nuanca të neofashizmit është bërë pjesë integrale e spektrit të partive tona të ashtuquajtura demokratike për vite me rradhë. Shoqëria civile dhe politika i kanë toleruar në masë të madhe dhe të paarsyeshme. Sistemi politik, trualli ku zhvillohen e rriten këto lëvizje politike dhe parti të djathta, është kontaminuar tërësisht. Prandaj është nevojë urgjente një lloj i zgjimit politik dhe ndërgjegjësimitrrënjsor. Ky zgjim politik duhet të jetë në akordancë me mekanizmat parlementar dhe në përputhje me interesat jetike të kombit.