Home KRYESORE Gjermania “ultimatum” Holandës e Francës: E duam tani liberalizimin e vizave për...

Gjermania “ultimatum” Holandës e Francës: E duam tani liberalizimin e vizave për Kosovën!

Në Bundestagun gjerman, u rikthye çështja e liberalizimit të vizave me Kosovën.

Renata Alt, nga Partia Liberale, FDP, kujtoi se kredibiliteti i BE-së në Ballkan është prej kohësh në rrezik. “Është komplet e pakuptueshme se përse Kosova ende nuk ka liberalizim vizash“, tha ajo dhe kërkoi nga Gjermania që të përdorë më shumë peshën e saj për ta mbështetur Kosovën në këtë pikë.

Edhe deputetët e CDU/CSU-së që folën më pas, si Christian Schmidt, CSU; dhe Peter Beyer, CDU; kërkuan liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. “Ne duhet të flasim më shumë me vendet skeptike, sidomos me Holandën dhe Francën: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që i kemi vënë ne, pra, Bashkimi Evropian. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë tani dhe menjëherë”, tha Beyer.

Beyer, i cili është raportues për Kosovën si në Bundestag, ashtu edhe në Këshillin e Evropës, kërkoi nga udhëheqja aktuale e Kosovës që megjithë sfidat e mëdha, si pandemia dhe korrupsioni, të mos e lënë anash procesin e normalizimit me fqinjët veriorë.

Ndërkohë, Michael Roth, ministri i Evropës i Gjermanisë, kërkoi në emër të qeverisë gjermane miratimin e zgjatjes së mandatit të ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it, duke sjellë si argumentin kryesor se edhe në vitin e 23-të që nga përfundimi i luftës së Kosovës, prezenca e KFOR-it mbetet e nevojshme. “Kush merret me Ballkanin Perëndimor e sidomos me Kosovën në vitin 2021, ai do të konstatojë se ky rajon i vuajtur ende është larg nga pajtimi i qëndrueshëm, nga paqja, nga stabiliteti”, tha Roth.

Top Channel

Share: