Home KRYESORE Kukull

Kukull

Nga Gladiola JORBUS

Kukull lecke.
Kukull e porcelantë.
Kukull e drunjtë.
Kukull kartoni.
Kukull këmbëzbathur,
me shpirt artificial.
Që në vend të kozmetikës farfuritëse,
preferon ngjyrën e plogësht
Të neonit.
Kukull e dëshiruar
në vrujime puthjesh
që perënduan larg.
Kukull e uritur për emocionin
e sëndukut të pajës.
Dantellat e tua,
S’janë veçse vello të rreckosura
të plandosura mbi një shtrat të çartur, anonim.
Të dashurosh -oh po
Ky ishte shkretimi yt.
Kukull, pafund e bukur!
duar, duar e sërish të tjera duar – të padukshme
të lëvizin fijet e fatit të çmeritur.
Fshihesh pas rolit modern
të kërkimit të vetvetes –
derisa heroi i legjendës urbane,
të shndërron në një kufomë patetike,
me ditë të numëruara.
Dhe ti kukull – mbetesh peng
i një ujëvarë lotësh,
dehëse – gjer në marrëzi.
Nata sërish,
të mbuzet mbi shpirt.
Si fragmenti i një ëndrre
që përthyen vetmitë.

Share: