Nga Brikena Bogdo
Le të bëjmë ligjin lider, pasi historia po përsërit vetveten, kultet e individëve, etjet për pushtet të gjithkujt. Njeriu është joshës dhe i joshur me mëkatin fillestar. Deri këtu, mbetet njerëzore. Por, kur mëkati njerëzor modifikohet në dominim të njërit, për të deformuar dhe vjedhur jetën, lirinë, mirëqenien e tjetrit, atëhere “mëkati joshës shndërrohet në krim dhe kjo duhet dënuar, apo ndëshkuar. Duhet ta pranojmë që kjo tendencë për dominim të tjetrit është po aq njerëzore, saqë ka kulmuar me shprehjen e Aristotelit njeriu është kafshë politike. Në këtë përpjekje njerëzore të vazhdueshme, dominimi deri dhe skllavërimi i tjetrit, a qëndron përmbi palët? Njerëzimi, pasi kaloi shumë faza kafshërimi politik, vendosi një fuqi extra partes (përmbi palët), vendosi ligjin. Le të mos jetë krimi dhe ndëshkimi vetëm fantazi e shkrimtarit rus Dostojevski. Ata popuj që e konsideruan në këtë formë krimin e gjithkujt, për t’u ndëshkuar, pa dallim pushteti politik, ekonomik, u qytetëruan, kaluan nga kafshë politike, në popuj juridik. Le ta ngremë ligjin në kult, përballë tendencës së gjithkujt, që tenton të shndërrohet në kult individi.
Le ta zëvendësojmë fjalën udhë-heqës, një individ që na heq lirinë, të drejtat, mirëqenien, të ardhmen, projektet, vizionet, me ligj-vënës, që na vendos shtetin ligjor dhe të së drejtës, mbi çdo gjë dhe gjithëkënd. Dikush mund të thotë, që jemi në emergjencë, nuk kemi kohë, duhet vepruar shpejt, ta heqim një udhë-heqës, të vendosim një udhë-heqës tjetër. Ai udhë-heqësi tjetër, vetëm do të na heqë udhë, do na heqë përsëri lirinë, përsëri të ardhmen.
Le të mos i nënshtrohemi mendërisht dhe realisht kulteve të individit. Le t’i nënshtrohemi mendërisht dhe realisht ligjit. Le të veprojmë drejt njëherë. Jemi në një luftë asimetrike dhe baktereologjike, pandemike, që ka favorizuar një situatë, që na ka bërë të gjithë njësoj të varfër dhe të pabarabartë përpara ligjit dhe të pambrojtur nga ligji. Duhet të jetë e kundërta. Natyra na ka bërë të ndryshëm dhe me diversitet, por jemi ne që duhet të vendosemi të barabartë përpara ligjit. Kjo ka humbur prej kohësh.
“Është e natyrshme që kombet të sulmohen në mënyrë të paparashikuar, nga lloj-lloj rrethanash, shpesh nga vetvetja, e ky është sulmi më i rrezikshëm thotë i madhi Kadare.
Në këto kohëra zgjedhore, më së shumti, po sulmohemi nga vetvetja, duke e bërë seriozisht të rrezikshme situatën. Nuk na e ka fajin veçse vetja jonë, që ngushton mëndjen ndaj njëri tjetrit, dhe që hap mendjen ndaj miteve dhe heronjve të rremë.
Të nënshtrohesh është mbase edhe e imponuar nga rrethanat, nga ku fillon faza e parë, shkatërrimi. Të mësohesh me nënshtrimin, këtu fillon faza e dytë, vetshkatërrimi, ose përplasja me vetveten. Jemi prej 500 vjet nën sulltanizëm, 50 vjet diktatorizëm dhe 30 vjet anarshizëm, nga ku po nxjerrin përfitim individë karrieristë, që po krijojnë regjime personale, përfitime personale, pushtete personale. Duken “diktatorucë”, por që po nënshtrojnë seriozisht mendjen, shpirtin dhe fizikun shqiptar, por më së shumti të ardhmen.
Si komb kemi disa probleme. Së pari (problemi psikologjik) kemi mosbesim tek vetvetja, presim gjithçka nga jashtë, Amerikë, BE, Bangladesh, Mars. Problemi i dytë, që është mbase edhe më i rëndësishëm, ai ligjor dhe i treti konceptual (konceptin lider). Ligji dhe lideri shumë lehtësisht mund të bëjnë rrokadë me njëri-tjetrin. Nëse vendosim prioritet ligjin, automatikisht i kemi ulur pushtetin liderit. Nëse prevalojmë konceptin lider, automatikisht i kemi ulur fuqinë ligjit.
Dhe ky është problemi, kemi ngritur në kult individët pushtetar, Enverin, Saliun, Ramën e me rradhë, në kurriz të shtetit ligjor.
Gjithçka që po ndodh në Shqipëri mund të shmanget shumë mirë, vetëm me makanizëm. Ne si popull nuk e kemi kulturën e votës, aq më tepër që sot shitblerja e votës është një fenomen i pranuar nga të gjitha palët, si të brendëshme, ashtu edhe të jashtme dhe më e keqja është, se po bëhet dominant, gjithmonë e më tepër.
Atëherë, le të vendosim mekanizmin extra-partes, që minimizon gati e zeron efektin e shitblerjes së votës, mekanizmin ligjor, zgjedhor. Le të vendosim me detyrim që të votojnë 100% e popullsisë ashtu si në Greqi, vend që ka hedhur themelet e demokracise, ose të jenë pjesmarrës mbi 75% e popullsisë, në të kundërt zgjedhjet konsiderohen të pavlefshme. Me këtë mënyrë ia bëjmë edhe më të kushtueshme procesin atij që hedh lekë për të blerë votën, ndërkohë edhe ja zhvlerëson shitblerjen.
Trendin real të votës, (jo të blerë), e tregon ose pjesmarrja shumë e lartë, ose si në rastin e zgjedhjeve lokale, pjesmarrja shumë e ulët. Pushteti nuk hodhi lekë për blerje vote, pasi opozita hoqi dorë. Ato zgjedhje ishin revolta më e madhe antipartiake e këtyre viteve anarshizëm.
Prej 30 vitesh elektoratin gri, të pavendosur, të pakënaqur, indiferent, nuk e thith dot askush. Demagogjia nuk do e thithë atë, qoftë e djathtë qoftë e majtë, sepse ajo shtresë është apartiake, por që ka fuqi intelektuale, ekonomike dhe integritet. Le t’ia rrisim ndërgjegjen asaj shtrese të mesme-gri, me forcën e ligjit, apo sistemit zgjedhor, si një domosdoshmëri në një situatë emergjence kombëtare, ku oligarkët pushtetarë, ashtu siç shesin dhe blejnë votën, ashtu po shesin dhe blejnë Shqipërinë. Me forcën e ligjit ta bëjmë këtë shtresë të votojë. Le ta quajmë ndershmëri me detyrim ose ndershmëri e imponuar ligjore.
Pamë në këto zgjedhje edhe fenomenin e prishjes së fletëve të votimit, duke e çuar në numër rekord prishjen e tyre, 83 mijë vota që minimalisht janë gjashtë deputetë, që do të ndryshonte tërësisht spektrin politik aktualisht. Le ta vendosim me ligj që sikur një mandat deputeti të cënohet nga fletët e pavlefshme, zgjedhjet të quhen ta pavlefshme. A do guxojë njeri që të prishë fletët e votimit dhe të paguajë nga tre mijë euro komisionerëve?
Nuk bëhen zgjedhje të shpeshta pasi janë tejet të kushtueshme? Le të vendosim me ligj një kuotë modeste për zgjedhjet, pa flamuj e banderola. Le të vendosim thjesht një datë, ku zgjedhësi të hedhë votën e tij. Le t’ia lemë mekanizmit të ftohtë ligjor dhe jo kokëve të nxehta, që iu errën sytë përpara lekut dhe pushtetit, që të mos mbetemi përsëri në qerthullin e mëkateve dhe babëzive njerëzore. Kanë kaluar 30 vjet dhe ende merremi me individë që krijojnë frymë të rreme.
Për ta çglorifikuar liderin le ta bëjmë me ligj zgjedhor, që askush të mos qëndrojë më shumë se dy mandate, si në pushtetin ekzekutiv, ashtu edhe në atë lokal. Nëse e realizojmë këtë do të ketë impakt edhe në parti, pasi askush nuk do të ketë interes të qëndrojë gjatë (nuk do të ketë pushtetin ekonomik dhe politik). Çfarë po e gjen Italinë, Kosovën që shkojnë në zgjedhje çdo 6 muaj, apo çdo një vit? Çfarë po e gjen Italinë dhe Kosovën që po iu bien qeveritë dhe kryeministrat?
Forca e ligjit është ajo që na bën të gjithëve individ të fortë dhe të barabartë përpara ligjit. Ky është katarsisi i madh. Nëse do të jetë individi në shërbim të ligjit, atëhere nuk do të ketë fare rëndësi emri që do të vijë. Nëse ndodh e kundërta që ligji është vegël e interesave të një individi të pushtetshëm, atëhere nuk ka rëndësi se kush do të iki. Të gjitha lëvizjet Ik Nano, Ik Berisha, Ik Rama, Ik Basha nuk kanë prodhuar asgjë. Ikja e një pushtetari ka sjellë një pushtetar tjetër, që e ka gjetur të gatshëm mekanizmin që e bën të gjithpushtetshëm të të gjithë pushteteve parlamentare, ekzekutive, gjyqësore dhe partiake.
Kam ngritur shpesh pyetjen individi apo sistemi. Në kushtet që jemi, ku prodhojmë vetëm kulte individësh të korruptuar, kemi domosdoshmëri ngritjen e sistemit që bën individin. Amerika, kur u gjend përballë luftës së bandave, vendosi prioritet dhe extra partes kushtetutën, duke e bërë atë të paprekshme. A mundet t’a bëjmë si Amerika ku presidenti nuk qëndron më shumë se dy mandate dhe pasi ikën askush nuk do të dijë më, se çfarë ndodh me të, apo shumë pak e dinë emrin e kryetarit të partisë, qoftë i majtë, qoftë i djathtë? Edhe në Shqipëri konsensusi apo marrëveshja e vetme midis palëve, duhet të jetë mosprekja e kushtetutës.
Ti ulim nga piedestali kultet e individit dhe t’ja zhveshim spaletat gjeneralëve. Le t’i presim kokën Luigjëve, dhe arma e vetme le të jetë ligji. Një popull jo domosdoshmërisht mund të ketë frymë, çdo katër vjet, për të rrëzuar diktatorë.
Lindin pyetjet: Do të lejojmë diktatorë? Ikja e një diktatori sjell domosdoshmërisht demokraci? Sepse jemi në një qerthull që kushdo që vjen shndërrohet në diktator. Vendet e lindjes po manifestojnë të gjitha të njëjtën problem, individë të pushtetshëm, nuk e lëshojnë pushtetin. Domethënë janë peng pikërisht e mentalitetit të rrënjosur përgjatë komunizmit, të kulteve të individëve, në kurriz të mekanizmit ligjor dhe zgjedhor.
Pse nuk rrëzojnë dot turqit, Erdoganin, apo rusët, Putinin? Ata kanë mentalitetin e kultit të individit, të sulltanit apo të carit. Ku ndryshojnë demokracitë e brishta, me demokracitë e konsoliduara, pikërisht ndarja nga kulti i ndividit, për të vendosur kultin e ligjit, gjë që bëri Europa Perëndimore.
Socialistë të thjeshtë dëgjon që justifikohen: “Pse të mos rrijë Rama katër e pesë mandate, kur po kaq gjatë qëndroi në pushtet edhe Merkeli, në Gjermani”. Por, ka diçka thelbësore me sistemin ligjor dhe administrativ në Gjermani. Së pari, Gjermania ka një sistem ligjor jashtëzakonisht të fortë dhe gjermanët, veçanërisht i janë nënshtruar ligjit, që në kohën e mbretërve (madje e tregojnë si barcaletë, kur një fshatar i thjeshtë kërcënon mbretin që do e çojë në gjykatë). Nëse ka shtet, ku ka fuqi gati absolute ligji, është pikërisht Gjermania.
Së dyti, Gjermania funksionin me lande, ku çdo land ka parlamentin e tij të pavarur nga shteti federal dhe kjo ul pushtetin absolut të kancelares Merkel e cila e ka të pamundur që të ketë të gjithë shtetin në dorë. Gjermania, me sistem ligjor, ka pavarësi pushtetesh, parlamentar, gjyqësor, ekzekutiv.
Ardhja e Ramës në një mandat të tretë duhet të na pozicionojë në një alarm kombëtar, sepse jemi pjesë e Europës, jo e Turqisë së Erdoganit as e Rusisë së Putinit, që e ndryshojnë ligjin sa herë u duhet që të qëndrojnë në pushtet, ashtu siç e bëri edhe Rama. Ai bëri ndryshimin territorial që i solli automatikisht deputetë shtesë, apo ndryshoi mekanizmin zgjedhor që i prodhoi të tjëea mandate deputetësh, duke e vënë kundërshtarin në pozicion të pabarabartë.
Nga figura e Skënderbeut, le të marrim konceptin Skënderbe, që është bashkimi i të gjithë forcave përballë një armiku më madhor, në këtë rast, pushteti absolut i Ramës dhe kulti tij i individit.
Deri më sot, nuk ka dalë ndonjë që të na japë një mekanizëm të qartë se si do të shmangë korrupsionin, apo si do të ngremë një shtet ligjor? Askush. Atëhere do të prodhohet një Nano i ri, apo Ramë i ri. Kundërshtarët e Bashës, a kanë ndonjë ide të qartë se si do të reformohet e djathta? Kanë ide të qartë cilat janë mekanizmat zbatuese, sepse me letra statutet e partive janë në rregull. Nëse jo, do të prodhohet një Berishë i ri, apo Bashë i ri.
Le t’i nënshtrohemi njëherë të vetme ligjeve dhe nuk do na duhet të djegim Shqipërinë çdo 10 apo 20 vjet, as të marrim cfurqet, madje as të luftojmë për demokraci. Po filluam, me shprehjet lufta për demokraci, do digjemi përsëri. Thjesht të jemi demokraci, që do të thotë, të gjithë të barabartë përpara ligjit, qartësi idesh, shance të barabarta. Nëse nuk ndryshojmë mentalitetin e kultit të individit do të prodhojmë vetëm autokratë, arrogant, diktatorë, hajduët, të papërgjegjshëm. Po mbetëm tek emrat, nuk do të tejkalojmë dot fatalitetin historik, sulltanizmin, bolshevizmin, autoritarizmin. Shqipëria është Europë, nuk është Lindje.